Shkodër, auditimet nxjerrin përgjegjës 535 persona
Shkodër-Evazion fiskal, paga dhe shpërblime të pajustifikuara, abuzime me dietat dhe investimet. Ky ka qenë rezultati i 30 auditimeve të kryera nga prefektura e Shkodrës në institucione të ndryshme. Sipas prefektit Maxhid Cungu, shkeljet e konstatuara kapin shifrën e 9.214.000 lekëve. “Nga shkeljet e konstatuar në auditimet e bëra janëngarkuar me përgjegjësi 535 persona, të cilët do të bëjnë zhdëmtimet përkatëse”- thotë ai. Cungu ka vërejtur se shkeljet e konstatuara i përkasin evazionit fiskal, që lidhet me moszbatimin e ligjit për tatimet në masën 85.000 lekë;pagave e shpërblimeve të pajustifikuara në masën 3.860.000 lekë; dieta në masën 124.000 lekë; investime në masën 4.628.000 lekë; dëmtime në masën 236.000 lekë etj. Auditimet janë bërë në institucionet në varësi të prefekturës dhe njësitë e qeverisjes vendore. Komuna Dajç dhe Bashkia Koplik, sipas tij janë njësitë e qeverisjes vendore, ku janë konstatuar dhe shkeljet më të rënda. Sipas tij, pas zgjedhjeve për pushtetin vendor ka pasur disa probleme lidhur me funksionimin e organeve drejtuese të këtyre njësive, ku është dashur ndërhyrja e specialistëve, të institucionit të prefektit. Kështu janë ndeshur probleme në vlefshmërinë e mandateve të këshilltarëve të komunës Ana e Malit në Shkodër, për sekretarin e këshillit të komunës Qafë Mali në Pukë, për anëtarë të këshillit të komunës Rrethina, për kryetarë fshatrash në komunat Rrethina, Velipojë, Gur i Zi, etj. Deklaratat janë bërë gjatë analizës së punës së prefekturës për vitin e shkuar dhe në të është vënë re mungesa e drejtuesve të këshillit të qarkut dhe e atyre të njësive të qeverisjes vendore.