Shkodër, plagoset rëndë një 30- vjeçar
Shkodër-Një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë, pasi është qëlluar me armë zjarri nga dy persona, ende të paidentifikuar. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Shkodrës, mësohet se shtetasi Elvis Peraj, nga Shtoji i Shkodrës është në rrezik për jetën në spitalin e qytetit, për shkak të goditjes së rëndë që mori mbrëmjen e djeshme nga një armë zjarri tip pistoletë. Sipas hetimeve paraprake, bëhet e ditur se 30-vjeçari ka qenë në lokal, kur rreth mbrëmjes së djeshme, është qëlluar nga jashtë lokalit dhe ka rënë përtokë i mbuluar në gjak. Personat që kanë qenë aty, kanë pohuar se gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë dhe nuk kanë ditur të tregojnë detaje për ngjarjen. I dëmtuari është përcjellë me urgjencë në spitalin e Shkodrës, por sipas mjekëve që po e trajtojnë gjendja e tij paraqitet në rrezik, për shkak të plagës së plumbave. Policia sqaron se ka ende shumë pikëpyetje mbi ngjarjen, por hetimet paraprake e lidhin gjithë këtë me një hakmarrje të vjetër. Personat që kanë qëlluar ndaj Perajt me armë zjarri mendohet se kanë qenë të maskuar dhe askush nuk di të thotë gjë për identitetin e tyre. Pas ngjarjes ata janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira. Sipas burimeve, plagosja e të riut dyshohet të jetë bërë për hakmarrje, pasi vëllai i të dëmtuarit, Elidoni, ka qenë i pranishëm në një vrasje të ndodhur në gusht të vitit 2006, në qytetin e Shkodrës. Policia nuk jep ende shumë të dhëna për ngjarjen, ndërkohë që burimet zyrtare sqarojnë se gjithçka është në hetim e sipër.