Prekë Doçi, i paralizuar, me gruan e verbër dhe 3 fëmijë ka mbetur në qiell të hapur
Shkodër-Pesë pjesëtarë të familjes Doçi, banues në lagjen “Draçin”, të Shkodrës prej dy ditësh jetojnë në rrugë, pa asnjë strehë. Kreu i shtëpisë është i paralizuar, gruaja gati e verbër dhe si të mos mjaftonin këto, nuk kanë shtëpi ku të fusin kokën. Prej disa kohësh kanë jetuar në shtëpinë e një të njohurit, dikur emigrant, por me kthimin e tij, ata mbetën në qiell të hapur dhe apelojnë për ndihmë.
***
Prekë Doçi, i paralizuar dhe me statusin e tetraplegjikut, ka 3 vjet që ka zbritur nga fshati malor i Kasnecit dhe është vendosur në lagjen “Draçin”. Lagje, ku një i njohur i tij, i cili kishte emigruar jashtë vendit e lejoi të shfrytëzonte banesën e tij për të jetuar. “Kam ardhur në Shkodër, në dhjetor të vitit 2004. Ishin kushtet e vështira të jetës në Kasnec ato që me detyruan të lëviz drejt Shkodrës, me shpresën e një jete më të mire”- rrëfen Prekë Doçi. Me shumë dhimbje pranon faktin e të qenit i pazoti për të siguruar jetën për familjen e tij. “Jam i sëmurë dhe rrugë makine në fshatin tim nuk ka. Duhet ecur rreth 3 orë në këmbë për të shkuar deri aty ku ka rrugë dhe ku lëvizin makinat. Fëmijët e kishin larg shkollën dhe djali i madh nuk e përfundoi dot”,- vazhdon historinë dhe vuajtjet e tij, Doçi. Ai vetë është i paralizuar, ndërsa gruaja e tij, Mrika ka pasur humbje shikimi, ndërsa tani thuajse është verbuar krejtësisht.
***
Në kushtet e pamundësisë për të vijuar jetën në fshat, bashkë me gruan dhe tre fëmijët ata u vendosën në Shkodër. Prej dy vitesh jetuan aty, me pensionin e invalidit që përfitonte Doçi. “Djali, 14-vjeç, Agustini, del e kërkon punë tek sheshi i të papunëve në Shkodër, por gjen shumë pak”- thotë ai. Hallit të mbijetesës për pak ditësh i është kthyer ai i të qenit pa strehë. Kthimi i pronarit të shtëpisë prej emigracionit i ka lënë jashtë, në mes të rrugëve. “Dolëm jashtë, ndaj i kërkojmë ndërhyrje shtetit të na gjejë një mundësi strehimi”,- thotë ai, duke i bërë apel për ndihmë prefekturës e bashkisë së Shkodrës. Nuk kanë pretendime, mjaft një vend ku të mund të fusin kokën. Mes një varfërie të madhe, pa mundësi rrugëdalje, Preka i paralizuar nuk mund të imagjinojë se si do të ngrysin netët e ftohta në qiell të hapur. Gruaja e tij Mrika, shprehet se nuk ka pasur mundësi të mjekohet për shikimin, i cili çdo ditë që shkon ihumbet. Në Kasnec, sipas tyre, nuk ka kush e punon atë pak tokë që kanë, pasi fëmijët janë të vegjël, ndaj dhe zgjidhje mbeti të largoheshin.