E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Aliu, fuqi për ndryshime në Ferizaj

“Agim Aliu e ka përkrahjen edhe timen edhe të qeverisë së Republikës së Kosovës për të gjitha zotimet që i ka dhënë para qytetarëve të Ferizajt. Do ta ketë përkrahjen për vazhdimin e ndryshimeve për të mirë”, u ka thënë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi qytetarëve ferizajas në ditën përmbyllëse të fushatës parazgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj. Ndërsa, kandidati i kësaj partie, për kryetar të kësaj komune, Agim Aliu, u ka thënë qytetareve se të dielën, më 29 prill, është koha kur ata mund të votojnë për ndryshime.

Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe njëherit edhe kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, duke iu drejtuar qytetarëve ferizajas në ditën përmbyllëse të fushatës parazgjedhore për kryetar të kësaj komune, ka thënë se kandidati i PDK-së është kandidati të cilin duhet ta votojnë qytetaret e Ferizajt më 29 prill. Thaçi ka shtuar se Agim Aliu do ta ketë përkrahjen e tij dhe të qeverisë që ai e drejton për të gjitha zotimet dhe projektet, të cilat ai i ka paraqitur para qytetareve të këtij qyteti.

"Agim Aliu për katër vite ka qene krahu i djathtë i Bajrush Xhemajlit, Agim Aliu fuqi e re për qytetin e Ferizajt, për vazhdimin e ndryshimeve për të mirë për Ferizajn. Agim Aliu e ka përkrahjen e shumicës së qytetarëve të Ferizajt dhe çdo premtim, zotim dhe projekt që e ka prezantuar Agim Aliu para gjithë qytetarëve të Ferizajt e ka edhe përkrahjen time, edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ato projekte do të zbatohen", ka thënë ai.

Ndërsa, kandidati i PDK-së, Agim Aliu, u ka thënë qytetareve se jo shpesh vjen dita për ndryshime, prandaj qytetarët duhet ta shfytëzojnë atë pikërisht në ditën e diel, kur edhe do te mbahen zgjedhjet për kryetar të Ferizajt.

"Jo çdo dite mund ta ndryshojmë të nesërmen. Mirëpo, këtë të diel, secili nga ne mund të ndryshojë ditën pasardhëse. Me zërin tuaj mund t'i thoni vetes suaj dhe të gjithë neve që po mundemi, mundemi ta bëjmë ndryshimin, po, ne mundemi të fitojmë, po, ne mundemi të bëjmë qytetin tone qytet edhe më të mirë, sepse, për ne fitorja është fitore e qytetarëve", ka thënë Aliu para qytetarëve të Ferizajat.

Aliu është zotuar se do të angazhohet që të krijojë klimë sa më të mirë për investime edhe vendore edhe të huaja, në mënyrë që qyteti të ketë një ekonomi më të zhvilluar dhe të ketë një mirëqenie më të mirë për qytetarët ferizajas. Ai, po ashtu, ka premtuar se do ta bëjë rregullimin e infrastrukturës se qytetit si dhe do të përqendrohet edhe arsim, duke ndërtuar shkolla të reja, në mënyrë që qyteti i Ferizajt të ketë një arsimim më cilësor.

Ndryshe, zgjedhjet në komunën e Ferizajt pritet të mbahen më 29 prill ku do të votohet për kryetar të kësaj komune, kjo për shkak të dorëheqjes së, tashmë ish-kryetarit të kësaj komune, Bajrush Xhemajli. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›