E Diel, 1 Nëntor 2026

Agim Canaj: Arratisja e shtatë lojtarëve të Kombëtares me Francen (1)

/* */

Dash FRASHËRI - Shqipëria do të zhvillojë të premten e ardhshme, 2 shtator, supersfidën me Francën, kryesuesen e grupit tonë (D) eliminator për Euro 2012. “Gjelat” vijnë në “Qemal Stafa” me synim për të regjistruar fitoren e tretë kundër Shqipërisë, teksa dy të parat, të zhvilluar para 20 vitesh, i kanë fituar 1-0 në Tiranë (17 nëntor 1990, trajner Agron Sulaj) dhe 5-0 në ndeshjen e kthimit në Paris (30 mars 1991, trajner Bejkush Birçe). Ish-lojtari i Dinamos (2 herë kampion) dhe i përfaqësueses shqiptare, Agim Canaj, sot trajner karriere (ka drejtuar 9 skuadra), ishte dëshmitar në fushë i humbjes tenistike në “Park dë Prins”. Pragndeshja dhe pasndeshje me Francën u shoqërua me probleme të mëdha, madje të bujshme, për shkak edhe të braktisjes së ekipit dhe kërkesave për azil politik të shtatë lojtarëve titullarë:  Kaçaçi, Leskaj, Ibro, Vata, Gjergji, Sukaj dhe Kepa. “Ashtu si gjithë populli, edhe futbollistët të ekipit Kombëtar kërkonin një jetë më të mirë. Ndeshja me Francën ishte një vitrinë për shumë futbollistë, - tha trajneri Agim Canaj gjatë intevistës së tij ekskluzive për “Telegraf”. “Atëherë, Franca ishte një ekip i konsoliduar, me shumë kampionë, një nga skuadrat më të mira në botë. I fitoi të tetë takimet në grupin tonë, madje mundi dy herë Spanjën. Sot, gjëat kanë ndryshuar disi, mund të guxojmë edhe të marrim një rezultat pozitiv”.

Agim Canaj, pas një jave Shqipëria do të përballet me Francën në Tiranë (2 shtator). Në dy përballjet e vetme me të kemi pësuar humbje, madje në të dytën ju keni qenë pjesë e formacionit titullar në atë humbje 5-0 në “Park de Prince” të Parisit, pikërisht 20 vjet më parë, në mars të vitit 1991. Çfarë pararelesh mund të hiqni?
Mbase nuk duhet të bëjë një shenjë barazimi. Nëse ne do t’i referohemi kohës kur ne jemi përballur me ta, Franca ishte një ekip i konsoliduar, me shumë kampionë, një nga skuadrat më të mira në botë. Franca, në ato eliminatore (Euro 1992), i fitoi të tetë takimet në grupin tonë. Kishte një grup lojtarësh të shkëlqyer, madje mundi dy herë Spanjën. Kishim frikë nga një rezultat tenistik, dhe në fakt edhe pse luajtëm mirë, pësuam një humbje të thellë. U ndëshkuam me gol qysh në minutën e parë e më pas ndeshja u zgjidh me lojtarë individualë, tre gola i ka bërë Zhan-Pier Papin. Sot, Franca është një skuadër e ribërë. Dihen problemet e saj. Është një skuadër, që mbase ne duhet të pretendojmë që ne të arrijmë rezultat pozitiv. Sot, thuajse 75 për qind e lojtarëve të Kombëtares shqiptare luajnë jashtë dhe kanë shumë eksperiencë.
Shqipëria mbërriti në Francë pas humbjes 9-0 dhe shkarkimit të trajnerit Agron Sulaj. A pati ndikim në përfaqësuese kjo situatë?
Pas Sulajt, Kombëtaren e mori Bejkush Birçe, me ndihmës të tij Astrit Hafizin. Në Paris na pritën grupe të mëdha refugjatësh, të cilët kishin iku me eksodin e ambasadave. Ne qëndruam në një hotel madhështor në Paris, “Konkord La Fajet”. Të them të drejtën, situata rreth ekipit ishte paksa kaotike për lojtarët e ekipit Kombëtar. Kishin ardhur shumë njerëz për t’i takuar, rrinin nga gjashtë-veta në dhomat e lojtarëve. Unë vetë flija me durrsakun Ardian Sukaj, një bashkëlojtar te Dinamo, e që pas ndeshjes u largua dhe kërkoi azil politik në Francë, ku dhe drejton tani një ekip në Lion
Pragndeshja dhe pasndeshje me Francën u shoqërua me probleme të mëdha, madje të bujshme, për shkak edhe të braktisjes dhe kërkesave për azil politik të shtatë lojtarëve titullarë. Si rodhën ngjarjet?
Në fakt, Dinamo, ku bëja pjesë dhe unë, ishte ekipi i parë që luajti në Europë pas rënies së regjimit komunist. Luajtëm kundër Olimpikut të Marsjës (0-0, 1-5, edicioni 1990-1991), me president Bernard Tapinë, e që doli kampion i Ligës së Kampioneve. Nga Dinamo u largua atëhere Pjerin Noga. Ndeshja me Francën u zhvillua në kohën e eksodit të madh të viteve 1990 dhe 1991 dhe ishte një vitrinë për shumë futbollistë.  Në atë kohë, gati 90 për qind e futbollistëve u sistemuan në Francë, Belgjikë, Greqi, apo vende të tjera. Ekipi u nis me avion nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Zvicrës me rreth 45 minuta me vonesë. Ne udhëtonim në linjën Tiranë-Zyrih-Paris. Avioni që na priste në Zyrih priti vetëm 30 minuta dhe ne e humbëm atë. Policia zvicerane na mbajti në një kontroll të rreptë, deri në orën 2 të mëngjesit në ambientet e aeroportit. Më pas na sistemuan në hotel. Avioni i parë drejt Parisit nisej në orën 5 të mëngjesit, dhe në momentin që hipëm në autobus për të shkuar drejt avionit mungonin tre lojtarë: Eduard Kaçaçi, Genc Ibro dhe Lorenc Leskaj, të cilët kishin kërkuar azil politik në Zvicër. U krijua një problem shumë i madh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›