Javët e kulturës Gjermane në Shiqëri
Edhe këtij vit sipas traditës më të re të krijuar për dy mote me radhë do të startojnë në kryeqytet por edhe në rrethe javët e kulturës gjermane ose të quajtura ndryshe “Tetori gjerman”.
Javët e Kulturës Gjermane organizohen nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë dhe pritet të hapen më 5 tetor me ekspozitën fotografike “Ortszeit / Local Time” në ambasadën gjermane. Gjithashtu, ato do të shoqërohen me shfaqje filmash në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Fotot e fotografit gjerman Stefan Koppelkamm të paraqitura në ketë ekspozitë janë një udhëtim në të shkuarën duke dokumentuar ndryshimet në Gjermaninë Lindore prej vitit 1990. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri në datën 15 tetor. “Tetori gjerman” sivjet merr edhe një kuptim sinjifikativ tepër simbolik e të veccantë; para 20 vitesh, në vjeshtën e 1989-s është shembur i famshi mur i Berlinit që e ndante Gjermaninë në Lindje dhe Perëndim.
Veprimtaritë e këtij aktiviteti kulturor shtrihen gjatë gjithë muajit tetor deri në datën 22 nëntor. Programi i “Tetorit gjerman” përmban sivjet një sërë projektesh të tjera në fushën e muzikës, artit figurativ, filmit, shkencës dhe letërsisë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në lidhje me këtë, ja si do të shprehej ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt: “Në datën 9 nëntor 1989 Muri i Berlinit u shemb. Të kujtuarit e kësaj ngjarjeje për ne, gjermanët, është me rëndësi të veçantë. Rënia e Murit të Berlinit simbolizon në mënyrë figurative fundin e regjimeve komuniste në Europën Lindore dhe Juglindore. Në këtë kontekst, 9 nëntori 1989 nuk është vetëm një ditë kujtese kombëtare për ne gjermanët, por ka rëndësi historike, që shkon përtej kufijve të vendit tonë. Pikëprerje të shumta rezultojnë edhe me historinë shqiptare.” Ai vijon më tej se “20 vjet që nga rënia e Murit të Berlinit, Ambasada Gjermane organizon me rastin e këtij përvjetori javët gjermane nën moton ‘Tetori Gjerman’. Tetori Gjerman në Shqipëri ka krijuar tashmë një traditë: edhe në dy vitet e shkuara Ambasada bashkë me partnerë të shumtë gjermanë dhe shqiptarë, si dhe falë mbështetjes bujare të një sërë sponsorizuesish, kanë realizuar javët e kulturës gjermane. Elementi qendror ‘20 vjet nga rënia e murit’ do të tematizohet në një sërë aktivitetesh: Një ekspozitë posterash në gjuhën angleze (e cila hapet në përvjetorin e rënies së Murit në Ambasadën Gjermane) hedh dritë mbi prapaskenat e ngjarjeve të vjeshtës së vitit 1989 në Gjermani. Pjesa teatrale ‘Mauerkinder – Fëmijë të Murit’ në gjuhën gjermane dhe shqipe, në të cilën marrin pjesë nxënës dhe studentë shqiptarë, ua bën më të qartë temën shikuesve me anë të një kolazhi skenik tepër dëfryes. Si e kanë ndryshuar hartën politike dhe kulturore të Europës ngjarjet e Gjermanisë të vitit 1989, kjo pyetje është dhe objeki i një ekspozite artistike me artiste ndërkombëtarë në Hotel Dajti si dhe e një aktiviteti në formën e një diskutimi. Me një sërë projektesh të tjera nga fusha e muzikës, artit figurativ, filmit, shkencës dhe letërsisë ju ftojmë të takoni edhe këtë vjeshtë kulturën bashkëkohore gjermane. Një falenderim i përzemërt u shkon të gjithë partnerëve të Tetorit Gjerman.”
29 Shtator 2009