E Shtunë, 31 Tetor 2026

“BOHEMA”, Saimir Pirgu protagonist ne Zvicer



Një spektakël i jashtëzakonshëm me yllin e artit operistik shqiptar, Saimir Pirgun do të elektrizojë për të disatën herë Zvicrën. Opera e Puccinit, midis mureve të shtëpive dhe lagjeve të Bernës, kalimtarëve, banorëve dhe spektatorëve të shumtë pritet të mbahet pikërisht mbrëmjen e sotme dhe të transmetohet drejtpërdrejt nga disa prej televizioneve më kryesore zvicerane.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm me “Traviata” në Lausanne dhe “Rigoletto” në Opernhaus të Zurichut, tenori shqiptar Saimir Pirgu është ftuar përsëri në Zvicër për të qenë protagonisti i ngjarjes më të madhe artistike të vitit. Në një apartament të thjeshtë të njërës prej lagjeve të Bernës, midis një dekori pallatesh dhe fasadash të thyera, ku jetojnë prej 20 vjetësh banorë zviceranë e të huaj, spektakëli i ri do të shpaloset me të gjitha mundësitë e ofruara nga ky ambjent i guximshëm: duke investuar të gjitha mundësitë e ofruara nga rrethanat . Spektatorët dhe telespektatorët mund ta ndjekin historinë dramatike të kësaj opere të Puccinit që nga çatitë e shtëpive, nga ballkonet, dritaret e guzhinës, dhomave apo salloneve. Madje mund ta ndjekin edhe në ashensor, ku Rodolfo (Saimir Pirgu) dhe Mimi do të këndojnë duetin e tyre të dashurisë. Duke i lënë mënjanë vështirësitë e mëdha teknike për realizimin e këtij spektakli gjigand, duhen nënvizuar nga ana tjetër mundësitë e jashtëzakonshme që u ofrohen spektatorëve të panumërt për të ndjekur operën e Puccinit si asnjë herë më parë, duke marrë pjesë aktive në regjinë dhe vënien në skenë të saj, duke ndërhyrë e duke patur edhe mundësinë ta tregojnë historitë tyre më intime. Nga kjo ndërthurje e intrigës me realitetin social lind një emocion i jashtëzakonshëm, një poezi e rrallë. Kurrë opersa s’ka qënë më e gjallë se kësaj here. Komente të shumta janë bërë edhe për tenorin Pirgu nga kritikë të muzikës, në gazeta e uebsajte të ndryshme interneti. Karriera e tij është marramëndëse për moshën e re dhe roli i Rodolfos, që kërkon pjekurinë më të lartë vokale e artistike, këndohet për here të parë nga një tenor 28-vjeçar.
“Do ta dëgjoj operën ‘La Boheme’ me kënaqësinë më të madhe e njëkohësisht do të brohoras ‘Rroftë Shqipëria’”, shprehet Jean Charles Autier, një nga zyrtarët e lartë të kantonit të Neuchatelit në Zvicër, mes shumë simpatizantëve të tenorit Pirgu.

29 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›