E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Agim Daka, vrau veten për t’i shpëtuar hakmarrjes së njerëzve të ish-gruas"

27/02/2005  Policia zbardh motvin. Dhjetë ditë më parë i ishte vetëhelmuar bashkëshortja

TIRANË - Agim Daka vrau veten për të shpëtuar nga mëria e vëllezërve të gruas. Burime zyrtare nga grupi hetimor, bëjnë të ditur se i vetëvrari kishte probleme mendore, që nga 17 shkurti, ditë kur u gjend e helmuar Mira, bashkëshortja e tij. Të afërmit e 20-vjeçares bënin përgjegjës për vdekjen e së resë Agimin, duke mos e lejuar as në varrimin e saj. I gjendur në çdo çast nën presionin dhe frikën e ekzekutimit, Daka ka gjetur si të vetmen rrugëzgjidhje, vetëvrasjen.

Pistoleta e shefit të krimeve të Komisariatit nr.4 e ka "shpëtuar".

Ekspertiza zbulon gjurmë baruti në duart e tij, ç'ka dëshmon se, Dritan Cuku nuk mund të ketë vënë dorë mbi të. Agim Daka ishte thirrur nga kreu i antikrimit për të dëshmuar mbi vendndodhjen e të vëllait në kërkim. Lotët e të vetëvrarit dhe paralajmërimi se do të vriste veten për të shpëtuar nga hallet.

Vetëhelmimi i bashkëshortes

Historia e vetëvrasjes së Agim Dakës e ka zanafillën e saj që në datën 17 shkurt. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, rreth orës 21.15 të kësaj dite, në spitalin e Shkodrës është dërguar e helmuar rëndë, Mira Daka, 20-vjeçarja ish-bashkëshortja e të vetëvrarit. "Ata nuk kishin më tepër se 7 muaj martuar. Në fillim, Agimi sillej mirë me të shoqen, por më pas gjërat ndryshuan. Ai e trajtonte gjithnjë e më keq. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë pasur marrëdhënie jashtë martesore me ndokënd tjetër, ndaj rrekej t'i mërziste jetën të shoqes, që ajo ta linte", shprehen burimet.

Sipas tyre, viktima nuk ka mundur të përballojë më situatën e krijuar në familje. Familjarëve të saj nuk mund t'u rrëfente asgjë nga ajo që po i ndodhte, pasi i frikej reagimit të tyre. E vetmja rrugëzgjidhje ishte të vriste veten, që të kishte të qetë shpirtin. Nuk u mendua gjatë për të ndërmarrë hapin fatal. Në lagjen ku banonin Dakët, te "Tre heronjtë" gjenden shumë farmaci bujqësore, ku mund të blesh me të lirë gjithfarë helmesh për insektet. Zgjodhi fostoksinën, për vetë faktin se kish dëgjuar se kush e përdorte nuk e shihte më dritën e diellit. Duke qenë se shumicën e kohës qëndronte e vetme në shtëpi, Mira Daka e pati krejtësisht të lehtë të gatitej më parë për të lënë këtë botë. E megjithatë, në një farë mënyrë kërkoi që i shoqi ta ndjente veten fajtor për vdekjen e saj. Priti orën e zakonshme kur ai kthehej në shtëpi, rreth 20.00 e mbrëmjes. Kur Agim Daka i ra ziles së banesës, 20-vjeçarja e kishte konsumuar gjithë sasinë e fostoksinës që kish blerë në farmaci. Ndaj, pas disa minutash lodhjeje në derë, i vetëvrari pa të udhës të përdorte çelësin për të hyrë brenda. Pamja që iu servir para syve ishte rrënqethëse. E shoqja, shtrirë në krevatin bashkëshortor, shkumëzonte e tëra. Helmi kishte nisur të bënte efektin. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se, Daka kish dëshmuar në policinë e Shkodrës se ishte tmerruar nga fakti se gruaja mund të vdiste. I kishte kërkuar me shumë ngulm të mësonte se çfarë kishte pirë, por më kot. Ajo nuk pranonte të tregonte, pasi duket se ora e vdekjes ishte tejet tunduese. Për më tepër, më në fund, po ia arrinte qëllimit për të vënë të shoqin para përgjegjësisë. Pak minuta më pas, një automjet shoqëroi urgjent në spitalin e Shkodrës, çiftin Daka. Por, tanimë ishte vonë. Mira dha shpirt pak minuta pas mbërritjes atje. Bluzat e bardha deklaruan se 20-vjeçarja kishte konsumuar një sasi helmi, të mjaftueshme për të zhdukur një elefant. As që vihej në dyshim fakti se, familjarët e viktimës nuk mund të bënin kënd tjetër fajtor për vdekjen e së motrës, veç Agim Dakës. Ky i fundit dëshmoi para oficerëve të antikrimit, se vëllezërit e bashkëshortes e kishin cilësuar përgjegjës për vetëhelmimin e Mirës, duke e përzënë, madje, dhe nga varrimi i saj.

Vetëvrasja e Agimit

Në Shkodër, Agim Daka e kishte të vështirë qëndrimin. Ndaj vendosi ta lerë qytetin ku banonte, për t'u vendosur në Tiranë. Moria e njerëzve në kryeqytet do ta ndihmonte për t'u fshehur pak kohë, sa kundërshtarëve të tij t'u fashitej dhimbja e vdekjes së Mirës. Burimet nga grupi hetimor, saktësojnë se ai nuk ka mundur të mbërrijë lirisht në destinacionin e planifikuar. Në Vorë, ai është ndaluar nga postblloku i policisë së rendit të Komisariatit nr.4. Efektivave në patrullë u bëri shumë përshtypje ngjashmëria e tij me të kërkuarin Bujar Daka. Madje, në fillim, pandehën se kishin të bënin me të, duke përjashtuar disa detaja të papërfillshme.

"Nuk jam Bujari, jam Agimi. Unë jam vëllai i atij që kërkoni ju. Për këtë kam dhe dokument identifikimi, merreni po të doni. Po shkoj në Tiranë se kam një punë timen", mësohet t'u ketë thënë uniformave në Vorë, i vetëvrari.

Sakaq, lajmi se i arratisuri është parë në Vorë, ka marrë dhenë. Për të verifikuar më tepër rreth këtij fakti, drejtori i policisë së Tiranës, Albert Dervishi, ka ngarkuar posaçërisht shefin e krimeve të Komisariatit nr.4. Dritan Cuku, i cili ka mbërritur në vendin ku u bllokua Daka, pa humbur kohë. Ai e ka parë të udhës ta shoqërojë në komisariat të dyshuarin. Por me të mësuar lajmin se do të përfundonte në polici, shkodrani ka nisur të qajë.

"Nuk dua të shkoj asgjëkundi. Ju lutem më lini të lirë, se boll halle kam. Unë nuk e dua jetën, se do më vrasin vëllezërit e gruas", qenë fjalët e tij. Megjithë habinë e efektivave të antikrimit, Agim Daka ka vijuar të qajë e ngashërehet nga Vora, deri sa ka mbërritur në zyrën e Cukut. Sipas burimeve, shefi i krimeve e ka qetësuar, duke i thënë se do të qëndrojë atje vetëm pak minuta, sa të verifikohet identiteti i tij në bashkëpunim me Drejtorinë e policisë së Shkodrës.

Cuku ka dëshmuar për grupin hetimor se koha e qëndrimit të Dakës në zyrën e tij ka qenë vetëm 5 minuta. Duket se emri i qytetit të lindjes ka shkatuar reaksion te vëllai i të kërkuarit. Ai ka nisur të qajë dhe më tepër dhe të deklarojë se do vrasë veten shpejt. Për ta sjellë në vete, Dritan Cuku mësohet se i ka ofruar ujë nga shishja që mbante në zyrë. Pasi ka shuar etjen, Agim Daka e ka marrë veten disi, por një komunikim tjetër i kreut të antikrimit me Shkodrën, ka bërë që ai të reagojë keqas. Me një veprim të shpejtë, ai ka rrëmbyer pistoletën e Cukut dhe ka e shkrepur menjëherë në kokë. Pa arritur nënkomisari të kuptojë atë që po ngjiste i shoqëruari, kishte përfunduar gjithçka.

Daka prehej në mes të një pellgu gjaku dhe në duar mbante ende pistoletën e krimit. Në pak sekonda, në Komisariatin nr.4 u dha alarmi dhe i lënduari u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak. Por bluzat e bardha nuk kanë mundur ta shpëtojnë Agim Dakën nga kthetrat e vdekjes. Veç faktit se plumbi kishte hyrë thellë në kokë dhe humbja e gjakut ishte shumë e madhe. Pak minuta më pas, i plagosuri u shua, duke lënë pas vetes dilemën nëse ishte vrarë apo vetëvrarë në zyrën e shefit të krimeve.

Ekspertiza

Daka u vetëvra

Grupi hetimor, i atashuar me zbardhjen e ngjarjes, hetoi gjatë gjithë ditës së djeshme vendin e ngjarjes si dhe marrjen e dëshmive të Dritan Cukut dhe të uniformave të tjera të Komisariatit nr.4. Ndonëse efektivat e antikrimit kanë parë trupin e të plagosurit me armë në dorë në zyrën e shefit të tyre, gjithsesi ishte ekspertiza ajo që do të kategorizonte faktin nëse ishte vetëvrasje apo vrasje. Të njëjtat burime nga grupi hetimor, kanë deklaruar pas përfundimit të të gjitha verifikimeve dhe analizës, se Daka ishte vetekzekutuar. "Në duart e viktimës gjetëm copëra baruti, që kanë mbetur aty pas qitjes së plumbit. Pra, klasifikohet vetëvrasje e pastër në kushtet e depresionit", saktësojnë burimet. Është kopsitur tashmë dosja përkatëse mbi ngjarjen, e cila pritet të pushohet shumë shpejt.

Dëshmia e shefit të krimeve

Artan Çuko: Dakën e pyetëm për vendndodhjen e vëllait të arratisur

Prokuroria e Tiranës, menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e të premtes, në zyrën e shefit të krimeve, pranë Komisariatit 4 të Tiranës, Artan Çuko, ku Astrit Daka, i vëllai i të arratisurit nga burgu i Shkodrës, Bujar Daka, ka qëlluar veten me pistoletën e zyrtarit të policisë. Nga burime pranë organit të akuzës, mësohet se menjëherë është marrë në pyetje shefi i krimeve, Artan Çuko, lidhur me rrethanat e ngjarjes. Burimet thonë se Çuko është shprehur se e kanë shoqëruar Dakën, pasi ngjante mjaft me vëllanë e tij, Bujar Daka. Por, pas verifikimeve, ata kishin konkluduar se nuk ishte i arratisuri nga burgu, por i vëllai i tij. Pas kësaj, Çuko është shprehur se e kishin pyetur viktimën Daka, për vendndodhjen e vëllait të tij, apo të paktën të jepte ndihmë për të bindur Bujar Dakën të vetëdorëzohej. Por, në një moment kur shefi i krimeve, ka hequr xhaketën dhe ka shkuar ta vendosi në varëse, Daka i ka rrëmbyer pistoletën nga brezi. Çuko ka pohuar se ishte kthyer dhe kishte parë Astrit Dakën që e kishte drejtuar pistoletën në kokën e tij, por nuk kishte mundur ta ndalonte, pasi ai e kishte shkrehur armën, duke u rrëzuar përdhe. Menjëherë ne e shoqëruam të plagosurin në spital, ka përfunudar në dëshminë e tij Çuko. Burimet e prokurorisë thanë se, menjëherë pas marrjes së dëshmisë, pistoleta është çuar në laboratorin balistik për kryerjen e ekspertizës, me qëllim krahasimin e gjurmëve të gjetura aty, me ato të viktimës. Kjo me qëllim vërtetimin e thënieve të Çukos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›