E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Prisnim që Agimi të ikte në Greqi dhe jo të vriste veten në polici"

27/02/2005  Familjarët, dyshojnë te vetëvrasja

SHKODËR – Në shtëpinë e Prelë Dakës, dje, kishte rënë zija. Gratë kishn vënë kujën, jo aq për kapjen e Bujarit, sesa për vdekjen e djalit tjetër të familjes, Agimit 27-vjeçar, vëllait të Bujarit, i cili humbi jetën dy net më parë në Komisariatin 4 të Policisë së Tiranës. Mes lotëve të grave, burrat ishin të indinjuar për vdekjen e Agimit.

Familjarët e Agimit, mohojnë që ai të jetë vetëvrarë. Të afërmit e të vdekurit në birucat e komisariatit në kryeqytet, dyshimet e tyre i lidhnin me faktin se si ai u ndodh në duart e policisë, kur ata vetë s’dinin asgjë për një fakt të tillë, ndërsa shtojnë si një argument më shumë se së shpejti Agimi priste të ikte në Greqi, dhe se, sipas tyre, në qoftë se do të vriste veten, këtë fare mirë mund ta bënte në Shkodër.

I ashpër me strukturat shtetërore është treguar daja i vëllezërve Daka, Mhill Çuni, i cili, megjithëse në një moment delikat, në një intervistë për gazetën “Metropol”, ka bërë të ditur dyshimet e familjes për vdekjen e Agimit.

Kur dhe nga kush e morët vesh vdekjen e Agimit?

Për vetëvrasjen e nipit, jemi lajmëruar nga policia, atë natë vonë. Kur u interesuam, kur, si dhe qysh ndodhi kjo gjëmë, morëm vesh se Agimi ishte ndaluar nga policia në Vorë, duke u kthyer nga Tirana, për t’u marrë në pyetje në lidhje me arratisjen dhe vendndodhjen e të vëllait, Bujarit.

Pse kishte shkuar në Tiranë Agimi?

Agimi së bashku me të shoqen, Mira, kishte aplikuar për të marrë vizën greke. Pas fatkeqësisë që i ndodhi, sepse ende nuk është mbushur java që e shoqja vdiq e vetëhelmuar me fostoksinë, atij i erdhi faksi për t’u paraqitur në ambasadën greke për procedurat e marrjes së vizës. Për këtë, dy ditë më parë, ai ishte nisur në Tiranë. Të nesërmen kishte marrë rrugën e kthimit për në shtëpinë e tij në Shkodër, ku edhe jetonte.

Nga këto që thoni, dukeni shumë i zemëruar. Cili është shkaku?

Fillimisht shpreh indinjatën ndaj veprimeve të strukturave të shtetit që më arratisjen e Bujarit nga dhomat e paraburgimit. Të gjithë familjarët u ndodhën para një stresi të madh dhe para një presioni psikologjik, pas arratisjes së tij, duke u marrë nën hetim për 24 orë rresht. Ky është edhe një nga shkaqet që e shpuri në depresion të shoqen e Agimit, e cila në këto kushte u vetëhelmua. Bujari u largua nga qelitë, për faj të tij apo të policisë, pak rëndësi ka, por çfarë faji ka familja e tij me u mbajtë nën hetim 24 orë?

Pra, sipas jush, familja juaj ka qenë nën presionin e policisë?

Po. Pa dyshim. Djali tjetër Agimi nuk ka pasur ndonjëherë probleme dhe nuk ka qenë në ndjekje apo i kërkuar nga policia. Pse u ndalua prej tyre në Tiranë? Si ka mundësi që ai e vrau veten atje, kur shumë mirë mund të ishte vetëvrarë në shtëpinë e tij në qoftë se i kishte shkuar ndërmend?

Pra, ju keni dyshime që Agimi është vetëvrarë?

Gjithçka mund të ketë ndodhur. Kujt i mbushet mendja se Agimi i ka marrë pistoletën punonjësit të policisë dhe ka vrarë veten. Në qoftë se me të vërtetë është kështu, siç thotë policia, ç’është ai ministër që mban në punë punonjës që në një dhomë me të ndaluarin heq xhaketën dhe pistoletën dhe i lë të varura e pakujdes? Unë dhe të gjithë familjarët kërkojmë urgjentisht nga ministri zbardhjen e së vërtetës për ndalimin dhe arsyen e ndalimit, shoqërimin, marrjen në pyetje, dhe për atë ç’ka ndodhur në dhomat e Komisariatit 4 të Policisë së Tiranës. Në qoftë se policia qëndron në versionin e vetëvrasjes, për të cilin dyshojmë shumë, madje na duket e pamundur, ne nuk do ta lëmë në heshtje, por do të bëjmë ç’është e mundur për ta zbardhur ngjarjen. Përveç rrugës individuale, private, do të hapim edhe një proces gjyqësor dhe do ta ndjekim çështjen deri sa t’i dalë fundi, deri sa të zbardhet plotësisht. Tani për tani, nuk mund të besojmë në vetëvrasjen e Agimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›