E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grekët presion botëror Shqipërisë për praktikimin e fesë ortodokse

27/02/2005  Lobi grek nuk heq dorë nga propaganda e vazhdueshme për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Këtë zona e fushatës antishqiptare u shtri në Kanada dhe Australi. Cili ishte aktiviteti që ndërmori politika greke në fund të vitit ’80? Grekët i bëjnë presion Shqipërisë në opinionin botëror për praktikimin e fesë. Cila ishte stradegjia e sulmit ndaj Shqipërisë nën logon “Lotos” në fillim të viteve ’90?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Për të hedhur poshtë akuzat e qarqeve greke në SHBA kundër qëndrimeve të qeverisë shqiptare ndaj minoritetit grek, komuniteti shqiptar në Amerikë shfrytëzoi edhe deklaratën e ministrit Plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë, Karolos Papulias. Pas vizitës së tij në Shqipëri, në fund të vitit 1984, ai deklaroi se, qeveria shqiptare nuk kishte ndërmarrë hapa për dehelenizimin e minoritetit por, përkundrazi, ajo kishte forcuar karakteristikat e këtij minoriteti, po kultivonte gjuhën greke, shkollat greke, botimin e librave dhe shtypit grek. Sami Repishti e përktheu në anglisht deklaratën e Papuliasit dhe ua dërgoi atë kongresmenit Gus Yatron, si he nëntë anëtarëve të tjerë të Nënkomisionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut. Ai i shkruajti atij se, deklarata e Papuliasit hidhte poshtë shumë nga akuzat e bëra prej elementëve, që synonin ta përdornin për përfitime politike çështjen e ndershme të të drejtave njerëzore.

Aktiviteti dhe propaganda e rretheve “vorio-epirote”, të organizuara në Federatën Panepirote të Amerikës, Kanadasë e Australisë (PAOK), ishte intensive edhe në fundin e viteve 80. Këto rrethe po kërkonin hapur aneksimin e Shqipërisë së Jugut. PAOK botonte një gazetë dyjavore me një tirazh prej disa mijëra kopjesh, e cila u shpërndahej, me abonime dhe falas, të gjithë rretheve “vorio-epirote” nëpër botë, përfshirë këtu edhe ata të Greqisë. Ajo drejtohej nga I.Becos dhe J.Kamberi. Qarqet vorioepirote shfrytëzonin gjerësisht edhe programet e radios greke për të propaganduar çështjen e “Vorio-Epirit”. Një kontribut të veçantë jepte në këtë drejtim edhe kisha greke në Amerikë. Këto qarqe dhe kisha greke e kishin intensifikuar nderhyrjen dhe veprimtarinë në drejtim të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB, para të cilit pozuan gjerësisht “shkeljet e të drejtave të njeriut në “Vorio-Epir”, të cilat i paraqisnin si një “genocid” kundër minoritetit grek.

Propaganda “vorioepirote” në SHBA ishte aq radikale sa që filloi të kritikonte edhe politikën më të moderuar të qeverisë së PASOK-ut ndaj Shqipërisë. Madje, dhe përpjekjet e saj për të filluar përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Aty nga mesi i vitit 1989 u dukën shenja të zbutjes së këtyre qëndrimeve ndaj Shqipërisë. Kjo tendencë manifestohej si në tonin e propagandës së krerëve “vorioepirotë” ashtu dhe në përmbajtjen e parrullave dhe objektivave, që ato afishonin ndaj Shqipërisë. Ndryshe nga e kaluara, tani krahu më i moderuar filloi të dominojë PAOK-un dhe u hoqën nga propaganda thirrjet për aneksimin e “Vorio-Epirit” me anë të ndërhyrjes së armatosur kundër Shqipërisë. Filluan përpjekjet për të nxitur opinionin botëror të ushtronte presion mbi Shqipërinë që, kjo të lejonte praktikimin e fesë, lëvizjen pa kufizim të minoritarëve, përgatitjen e arsimtarëve të gjuhës greke në Greqi etj.

PAOK-u vazhdonte të luante rol të rëndësishëm për paraqitjen e akuzave mbi shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve nga qeveria shqiptare në Komisionin e OKB për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, duke e koordinuar dhe bashkërenduar veprimtarinë e vet me grupet “vorioepirote” në Greqi.

Ky shkallëzim i ri i propagandës greke dhe ndryshimi i taktikës së saj, zëvendësimi i thirrjeve për luftë dhe për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nëpërmjet saj, me kërkesat për zgjerimin e të drejtave kombëtare të minoritetit grek në Shqipëri, ishte rezultat i drejtpërdrejtë i ndryshimeve politike në Europën Lindore, i shembjes së komunizmit dhe i fillimit të proceseve demokratike paqësore. Një nga karakteristikat themelore të kësaj periudhe ishte ulja e tensionit ndërkombëtar dhe adaptimi i një fryme më bashkëpunuese në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pikërisht për këto arsye dhe në këto rrethana politika greke u përpoq që t`i përshtaste qëndrimet e saj me situatën e re të krijuar, por pa hequr dorë nga synimet e vjetra. Ky ndryshim i taktikave të qeverisë së Athinës u reflektua edhe në lëvizjen e diasporës greke.

Kjo ishte vetëm shfaqja e jashtme e politikës greke, pasi, në fshehtësi, ajo projektoi që t`i shfrytëzonte rrethanat e reja për realizimin e synimeve të vjetra. Në vitin 1990 Shqipëria ndodhej në kolaps të plotë ekonomik dhe politik. Varfëria ekstreme, që kishte përfshirë vendin, dhe diktatura e egër 45 vjeçare kishin krijuar premisat e një kaosi të pashembullt në historinë e shtetit shqiptar. Institucionet shtetërore ishin tejet të dobëta e të diskredituara, ndërsa zëvendësimi i tyre me institucione të reja përfaqësuese e demokratike ishte një proces i vështirë, i cili do të kërkonte një periudhë të gjatë kohe. Pikërisht kjo gjendje, pra varfëria, dobësitë e theksuara të klasës politike shqiptare, vakumi institucional, konflikti i ashpër politik, tranzicioni i vështirë e i dhimbshëm, anarkia, difektet serioze, që kishin shkaktuar politikat e regjimit komunist në ndërgjegjen kombëtare e qytetare të shtresave të ndryshme të popullsië, etj., ishin aleatët më të mirë, që i rritën edhe një herë së tepërmi orekset dhe shpresat e grekëve për të realizuar ëndrrën e vjetër të Megaliidesë.

Në vitin 1990 u përpunua plani “Lotos” për “çlirimin” e “Vorio-Epirit” nga “sundimi” shqiptar. Ai parashikonte organizimin e luftës së armatosur në formën e një lëvizje kryengritëse, e cila do të organizohej duke u bazuar në pakënaqësitë e popullit shqiptar ndaj shtetit gjatë periudhës së vështirë të tranzicionit. Pastaj kryengritja do të ndërkombëtarizohej dhe do të krijoheshin organizmat e saj politike. Shteti grek, në aparencë, do të qëndronte asnjanës, ndërsa do të organizohej bashkëpunimi i elementit grek kudo që ndodhej. Forca kryesore mbështetëse e kësaj lëvizje do të ishte emigracioni grek në Amerikë. Hartuesit e këtij plani ishin disa drejtues kryesorë të silogjeve vorio-epirote në Greqi dhe të lobit grek në SHBA, të cilët u takuan në Gjenevë dhe e miratuan këtë plan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›