Ronaldo: Nuk largohem
26/02/2005 Të gjithë flasin për marrëdhëniet e tij me presidentin Florentino Perez dhe teknikun Vanderlei Luksemburgo, ndërsa ditët e fundit është folur për një të ardhme larg Real Madrid. Sulmuesi i Real Madrid, Ronaldo, ka thënë se nuk ka absolutisht ndër mend të largohet nga Reali, pavarësisht polemikave të ditëve të fundit (ato me trajnerin Luksemburgo. Fenomeni nuk është stërvitur për tri ditë me radhë), braziliani dëshiron të vazhdojë karrierën e tij me skuadrën merenges: “Mendoj vetëm për Real Madrid- ka vazhduar. Nuk dua të bëj polemikë dhe nuk dua absolutisht të largohem. Këtu ndihem shumë mirë dhe raportet e mia me Luksemburgon nuk janë aq të këqija sa janë përshkruar në shtyp”. Ronaldo nuk dëshiron të flasë më për gjobën që ka marrë për vonesë nga drejtuesit e Real Madrid: “Është një histori e mbyllur tashmë. Drejtuesit e klubit më kanë gjobitur dhe ky është një vendim që duhet respektuar”. Ndërsa, për fitoren 1-0, me Juventusin në Bernabeu: “Ishte e rëndësishme të fitonim dhe ia dolëm. Kemi zhvilluar një ndeshje të madhe, edhe pse rezultati nuk ka qenë ai që duhet të ishte. Tashmë, na pret një takim akoma më i vështirë në Torino. Juventusi është një skuadër shumë e fortë kur luan brenda. Në kohën, kur unë isha një futbollist i Interit, ishte pothuajse e pamundur të merrje pikë në Torino...”. Ronaldo shpreson që të mos përsëritet historia e dy viteve më parë: “Shpresoj që të mos eliminohemi. Do të jetë shumë e rëndë për ne. Këtë vit kemi një avantazh më shumë, sepse nuk kemi pësuar asnjë gol në shtëpi. Nëse do të shënojmë, Juventusi do të marrë valixhet...”. Një koment edhe për kampionatin, ku Barcelona është rikthyer përsëri, në diferencën e shtatë pikëve: “Nuk duhet të preokupohemi, sepse është një diferencë e përkohshme. Nuk duhet të gabojmë në asnjë nga ndeshjet e ardhshme. Barcelona është duke demonstruar një futboll bindës dhe e meriton me siguri vendin e parë, por ne nuk duhet të dorëzohemi deri në fund”. Disa vetë mendojnë se, Ronaldo është shëndoshur. Fenomeni përgjigjet me një batutë: “Kilet e tepërta më shërbejnë për t`u karikuar më shumë. Ju premtoj se tani nuk do të ndalem më”- ka përfunduar.