E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuman jep dorëheqjen

26/02/2005  Ronald Kuman ka dhënë dorëheqjen nga detyra e trajnerit të Ajaksit, si pasojë e skualifikimit nga Kupa UEFA. Skuadra holandeze ka humbur me rezultatin 3-1, përballë Okserit në transfertë, gjë e cila duket e ka bërë tepër të vështirë, qëndrimin e tij në krye të Ajaksit. Goli në minutat e fundit, shënuar nga Matis ka bërë që Ajaksi t’i japi lamtumirën, edhe kompeticionit të Kupës UEFA, ashtu siç ka ndodhur në Ligën e Kampioneve. Në vendimin e largimit të Kuman, nga pankina e Ajaksit ka ndikuar edhe pozicionimi tepër delikat në renditjen e kampionatit holandez. Kështu, Ajaksi gjendet tetë pikë diferencë larg liderëve të PSV Eindhoven. “Unë i kam kërkuar vetë bordit drejtues që ne t’i jepnim fund menjëherë bashkëpunimit tonë, ka deklaruar Kuman. Doja që mbi të gjitha, të isha i ndershëm si me veten time, edhe me klubin e Ajaksit. Në këtë mënyrë, rezultati i arritur në mbrëmjen e së enjtes ishte vendimtar për largimin tim nga drejtimi i kësaj skuadre. Prandaj, unë nuk mund të ofroj forcat dhe energjitë e mia për të ndryshuar diçka në këtë skuadër. E kisha të vështirë që të mendoja sërish, lidhur me suksesin e Ajaksit, nën drejtimin tim”. Kuman e ka drejtuar Ajaksin, në triumfin e një titulli kampion dhe Kupës Amstel, në sezonin 2001-2002. Ndërsa, në sezonin 2002-2003, skuadra e Kuman arriti të shkonte deri në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve. “Ajaksi ka mbetur i zhgënjyer nisur nga mënyra se si ka shkuar ky sezon, ka deklaruar presidenti i Ajaksit, Arie Van Eijden. Rezultati zhgënjyes, ditën e enjte, ishte diçka, për të cilën, ne nuk mendonim se do të kishte pasoja mbi dikë. Ne kemi arritur gjëra të mëdha me Ronald Kuman, por sidoqoftë e pranojmë vendimin e tij”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›