Agim Krajka - Femra është një livadh i hapur
Ani jaupaj
Femrat kanë aftësinë të shohin shumë mirë nga afër, ruhuni! Shopenhaueri nuk e linte me kaq, ndryshe as nuk do kuptohej se kujt i drejtohej. Aty ku përfundon rrezja e saj e shikimit, shfaqet syri tjetër, i (ciklonit) mashkullit. Mirëpo, që ta përqendrosh vështrimin kaq fortë te një femër, duhet të ketë qenë e aftë ta kapërcejë atë fijen e hollë që ose të lë, ose të pengon të depërtosh deri në mendje. Për Agim Krajkën të tilla kanë qenë pak. Themi pak, jo një, duke ju referuar bashkëshortes, sepse deri në moshën 30 vjeç, kohë kur është martuar, ka patur plot nga ato bukuroshet që i prishnin gjumin a e bënin të shkrepte sakaq tingujt e hiteve të radhës që do shfaqeshin nëpër festivale. Kështu ndoshta dhe nisin sukseset e para të një artisti. Aty këtu harruar, nëpër ‘lule’, nisën e u thurën vargjet e para. Ndërkaq vajzat po rriteshin aq fantazueshëm në ato mendjet e tyre djallëzore saqë ëndrrat nuk kishin të sosur.
“Të shihnim një shoqe klase t’i ngrihej fustani, qoftë edhe një gisht, ishte ushqim i mjaftueshëm për ëndrrat e dy netëve”. Biseda për femrën, parë nga sytë e një burri, nuk nisi rastësisht kështu. Dukej, haptazi, që kompozitori nuk e përmbante dot dufin sa herë që nis të krahasojë gruan apo vajzën e dy kohëve, atë të ‘tijës’ dhe të sotshmes.
Pasqyrimi i imazhit të një gruaje, varet nga shkëlqimi i syve të një burri. E thënë qartë, nuk është se ka aksioma që mund t’i bashkëngjisësh karakterit të secilës grua. Prandaj edhe Krajka është i bindur që gjykimi varet nga syri dhe koha kur e sheh. “Kur ishim të rinj, çdo gjë që fluturonte na dukej se hahej”. Tani, madje jo tani, por kohë më parë, pikvështrimet kanë ndryshuar. Mosha nuk është më ajo, aktiviteti artistik nuk është më ai. Nëse gjithë miqtë a kolegët e tij e kujtonin si më aktivin e grupeve që shëtisnin anë e mbanë Shqipërinë me aktivitetet muzikore, sot nga ato kohë kanë mbetur vetëm kujtimet dhe batutat. Sado që mosha nuk e lejon më të jetë ai energjiku i dikurshëm, ilariteti që shkakton është përherë i dukshëm. Madje tani edhe më shumë se më parë. Nëse dikur ironia e batutave ju drejtohej të tjerëve, tani që është kthyer në autoironi, ka edhe më shumë efekt. Sepse nuk ka se si të përkthehet ndryshe përveç se si autoironi fakti që profesori, sa herë e pyet djalin e tij (të voglin që është ende beqar) se si i shkojnë punët me femrat e merr prej tij përgjigje më shumë se pozitive, komenti është “Po për babën nuk mendon”!
Si duket femra nga sytë e Krajkës?
Jashtë subjektit, e shoh femrën si krijesë të barabartë me mashkullin për të krijuar vazhdimësinë e jetës. Por përtej kësaj, duket sikur zoti e ka sjellë gruan për të zbukuruar jetën e burrit. Femra është një livadh i hapur, i bukur të cilin po të dish ta punosh siç duhet i mer të gjitha ato që ke kërkuar prej saj. Në të kundërt, nuk do të arrish kurrë të shijosh prej saj kënaqësinë që fsheh e që është e zonja të dhurojë. Ai që ia arrin qëllimit, di natyrisht të konsiderojë të gjitha vlerat e saj.
Keni arritur ju ta bëni këtë? I keni marrë frytet që keni dashur?
Natyrisht, livadhin po nuk e punove mbetet djerrë. Gjatë gjithë jetës, nuk e kam parë a menduar ndonjëherë femrën vetëm për tu dëfryer. Imazhit të tokës së bukur që kam në kokë, kam ditur t’i bëj edhe hyzmetin. ( Tek e fundit, kompozitori Agim Krajka, përveç faktit që një artist di ta njohë e ta vlerësojë më mirë se të tjerët një femër, duke qenë se është muza parësore e krijimtarisë, është bërë personazh i pyetjeve rreth një femre, pikërisht pse njihet për dobësitë ndaj saj).
çfarë konkretisht ju pëlqen më së shumti te një femër?
Më pëlqejnë të gjitha gjërat që më mungojnë vetë.
Pra, jo bukuria?
Jo, i bukur jam vetë. Përtej humorit, bukuria është derivat i gjenezës, nuk është që e ka individi në dorë, kjo mbush vetëm gjysmën e së tërës. Pjesa tjetër, për mua absolutisht më e rëndësishmja e që varet kryesisht nga gjithsecila pavarësisht dozës së ndikimit familjar, është niveli intelektual. Nëse nuk më thonë gjë fjalët, dukuri që sot jo vetëm unë, po kushdo e hasim gjithnjë e më dendur, bukuria venitet sakaq. Për mua nuk ka femra të bukura e të shëmtuara, janë të ditura e të paditura.
Megjithatë në moshën 17-vjeçare, sa ka qenë ajo që pak kohë më pas do të bëhej bashkëshortja e mandej nënë e fëmijëve, nuk është që mund të pritet kushedi çë nga fjalët, kështu që mbetemi te bukuria...
Në këtë rast ka qenë dashuri me shikim të parë. Sapo e pash në orkestrën e festivalit, duke i rënë violinës me atë pamjen ende prej vogëlusheje, vendosa, do të bëhej gruaja ime. Mosha nuk më shqetësonte, madje më mirë që ishte ashtu. Ajo sapo kishte hapur sytë e po merrte oksigjen, kisha fatin unë për ta mësuar. Kështu që ajo çka Ksemiramizi është sot, është edhe pak meritë e imja.
Këtë ishit duke pritur deri në të 30-tat, duke marrë parasysh kohën, që të vendosnit për lidhjen e madhe?
Ndoshta po, por nuk ishte e planifikuar. Unë disa gjëra i kisha arritur, emri im ishte në rrugë të mbarë, përvoja kisha kaluar plot, nuk kisha çfarë të prisja më. Nga ana tjetër sytë e saj patën efekt të menjëhershëm, kështu që u mblodhën pak të gjitha bashkë.
Ka fare pak mundësi që pikërisht në kohën e vendimit të keni qenë vetëm. Me siguri ndonjë zemër tjetër e keni lënë të mënjanuar?
Me aq sa kujtoj mund të kenë qenë edhe më shumë se një. Megjithatë nuk besoj t’i kem coptuar aq shumë, të shumtat ishin histori që ashtu siç fillonin, ashtu ju vinte fundi, shumë shpejt. Po ky nuk është vetëm rasti im, histori të tilla ka pafund se pushka nuk mbahet për të qëlluar vetëm një herë.
Ende edhe sot mendoni kështu?
Lulen e do gjithnjë. Ndoshta nuk ke më pse ta këpusësh nga kopshti, apo nuk mund ta hash por aromën nuk e refuzon askush, sepse ngelet e bukur.
ç’pjesë e krijimtarisë i krijohet femrës?
Për të mos thënë e gjitha sepse për shkak të kohës disa gjëra nuk mund t’i bënim siç donim, do tu bindeshim rrethanave, një pjesë shumë e mirë i kushtohet burimit të frymëzimit.
Ka ditur ajo ta fitojë produktin e krijimtarisë, duke ju shërbyer, pra duke u kthyer në muzë?
Nuk ka asnjë dyshim. Cila muzë mund të të frymëzojë më mirë përpara pianos!
A jeni përpjekur ju të shkoni më larg bukurisë, duke hyrë në të fshehtat, misteret e saj?
Që një femër të të shërbejë si burim frymëzimi, duhet së pari ta njohësh mirë. Nëse nuk hyn në të fshehtat e saj, atëherë të gjitha femrat janë njësoj. Unë mendoj që e kam bërë, ndoshta jo aq sa duhet, këtë nuk mund ta di, por të paktën jam përpjekur që të njohë sa më shumë prej saj, për ta ndjerë edhe më afër.
Po në rini, keni qenë kaq i matur?
Nuk do ishte e besueshme të thoja po. Ne vërtet që gjuanim për sorra e laraska plot, ama kur vinte puna te thëllëza, mateshim mirë.