Klos, bashkia e fundosur në borxhe
KLOS - Bashkia e Klosit është mbërthyer nga kriza. Këtë e pranon edhe kryetari i kësaj njësie vendore, Ramazan Mjeshtri. Megjithëse i rezervuar në prononcimin e tij, ai thotë se granti i ardhur nga Qeveria për vitin 2010 është 80 milionë lekë më pak se ai i vitit të kaluar. “Ky grant është më i ulët sepse tenderët me vlerë të lartë nuk do të zhvillohen në bashki e komuna por në dikastere”, tha Mjeshtri. Kjo bashki nuk ka shpërndarë ndihmën ekonomike për qindra familje që prej muajit dhjetor të vitit 2009. “Kemi pasur shumë probleme me ndarjen e ndihmës ekonomike. Me shumë përpjekje kemi shpërndarë ndihmën e muajve tetor-nëntor dhe tani po orvatemi të ndajmë edhe atë të muajve dhjetor 2009 dhe janar 2010”. Por ajo çka e veçon krizën e kësaj bashkie është borxhi i madh i akumuluar gjatë vitit të kaluar elektoral, pasi klosianët kanë votuar dy herë, në zgjedhjet e qershorit për Kuvendin e Shqipërisë dhe në nëntor për Kryetarin e Bashkisë, pasi ish-kryetari u zgjodh deputet. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se bashkia u detyrohet firmave të ndërtimit të paktën në shumën 400 milionë lekë, pasi ato kanë kryer punimet në rrugë, ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore etj, por fondet nuk janë lëvruar ende. h.p