E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet asfalti, shatërvani i papritur terrorizon banorët



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Një shpërthim i papritur uji me presion ndodhi dje në aksin Vlorë-Skelë duke dëmtuar rrugën, por edhe rrezikuar një mjet që po kalonte në atë moment. Firma që po realizon punimet e ujësjellësit të ri të qytetit ka kryer një manovër prove, por me sa duket tubacionet nuk ishin ngjitur mirë e për pasojë uji ka dalë si shatërvan në sipërfaqe, duke çarë asfaltin. Për rreth 30 minuta, në këtë aks u shkaktua kaos, ndërsa qytetarët që janë ndodhur rastësisht në këtë zonë janë terrorizuar nga shpërthimi i papritur i ujit. Sipas dëshmitarëve, një makinë që po kalonte me shpejtësi në atë moment u rrezikua të përplasej si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesi i saj. Rruga është çarë në një pjesë të konsiderueshme të saj, ndërsa mësohet se tubat e linjës së re të ujësjellësit ishin të vendosura në një thellësi prej rreth 1.8 metër. “Provat e bëra nga ana e firmës, e cila ka fituar projektin për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në Vlorë, kanë sjellë çarjen e tubacionit kryesor. Aktualisht në aksin rrugor Vlorë–Skelë, konkretisht në sektorin e rrugës pranë Shkollës Industriale, rruga është çarë ndjeshëm, duke u bërë në një pjesë të saj e pakalueshme”, bënë të ditur burime nga ujësjellësi. Në vendngjarje mbërriti policia e Vlorës për të disiplinuar mjetet që ishin bllokuar si dhe drejtuesit e ndërmarrjes së shërbimeve publike, të ujësjellësit dhe përfaqësues të firmës “Albstar” që po kryen punimet. Ata ndërprenë provat dhe qetësuan qytetarët, të cilët mjaft të trembur u interesuan për disa minuta mbi atë që kishte ndodhur.
Drejtori i ndërmarrjes së shërbimeve publike, Ertel Shehu, u shpreh se çarja e rrugës ka ardhur si pasojë e provave të ujësjellësit. Edhe kreu i ujësjellësit Viron Hysi, pohoi të njëjtin fakt. “Provat që po bën firma e cila po kryen punimet e ujësjellësit bënë që të shkaktohet kjo çarje rruge, si pasojë e presionit të ujit dhe të kryerjes së punimeve me cilësi të dobët në ngjitjen e tubacioneve”, u shpreh Hysi. Ai garantoi se do të ndërhyhet menjëherë për normalizimin e situatës dhe rehabilitimin tërësor të rrugës. Me gjithë deklaratat pozitive të dy drejtuesve lokalë, aksi kryesor i qytetit të Vlorës është dëmtuar dhe problemet e qarkullimit të automjeteve dhe njëherazi këmbësorëve janë evidente. Uji vijon të rrjedhë nga tubacionet mbi sipërfaqen e rrugës, duke krijuar llumra e baltë. Mësohet se edhe më parë gjatë provave kanë ndodhur çarje të tjera të tubacionit për shkak të cilësisë të dobët të ngjitjes së tubave plastikë. Për t’i riparuar ato është dashur të hapen përsëri rrugët në disa vende duke krijuar anomali të shumta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›