E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari, nën hetim për dëshmi të rreme



SARANDE - Një 36-vjeçar, dëshmitar i tragjedisë së Butrintit, është kthyer në të pandehur të saj pas dyshimeve për një dëshmi të rreme nga ana e tij. Elidon Manaj, nga fshati Dukas i Patosit, po hetohet nga Prokuroria e Sarandës, pas ndryshimit të deklarimeve të tij në sallën e gjyqit. Ai është një ndër dëshmitarët e parë të ngjarjes së rëndë të 19 tetorit 2008, kur gjatë tentativës së 27 shtetasve për të kaluar kufirin, 5 prej tyre humbën jetën, pas përmbysjes së varkës. Manaj, i cili ndodhej në radhët e klandestinëve, në momentet e para të marrjes në pyetje ka njohur dhe identifikuar si organizatorë shtetasit e pandehur: Hiqmet Sollakun, aktualisht nën arrest dhe Brahim Madhin, i shpallur në kërkim. Por, në seancën e fundit në Gjykatën e Sarandës, 36-vjeçari ka pohuar se nuk është ndihmuar nga askush për të nisur udhëtimin klandestin, duke u takuar rastësisht me grupin. Madje duke dëshmuar, ai është shprehur para gjykatës se në polici ndaj tij është ushtruar dhunë psikike. Këto deklarata, sipas burimeve nga organi i akuzës, bien në kontradiktë me ato që dha pak orë pas ngjarjes tragjike. Nisur nga këto rrethana, ndaj Manajt u formulua akuza e dëshmisë së rreme. Ndaj tij kanë nisur hetimet në gjendje të lirë. Aktualisht, në qeli ndodhen Hyqmet Sollaku nga Fieri e Dashamir Mane nga Saranda, ndërsa në kërkim nga Interpoli janë fierakët Albert Gega e Brahim Madhi. Deri tani janë zhvilluar rreth 20 seanca gjyqësore, por ende vazhdon dhënia e dëshmive. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›