Dëshmitë e nëntë travestitëve zbardhin vrasjen e “Kristinës”
TIRANE – Dëshmitë e nëntë travestitëve çojnë në gjykatë me akuzën e vrasjes një shtetas shqiptar nga Kosova i cili dyshohet se ka qëlluar me thikë në Tiranë vitin që shkoi travestitin e njohur me emrin “Kristina”. Burime të Prokurorisë së Tiranës kanë pohuar se ky institucion ka përfunduar hetimet për vrasjen me thikë të shtetasit Petrit Muça, i njohur ndryshe me emrin “Kristina”. I akuzuar për vrasjen, sipas prokurorisë, është shtetasi nga Kosova Sefedin Hoxha. Krimi ka ndodhur në afërsi të qendrës së Tiranës në një godinë të pa banuar përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ku megjithëse është gjetur një thikë, e cila besohet se është përdorur në vrasje, në të nuk janë gjetur gjurmë të autorit të krimit. Sipas prokurorisë prova më e fortë e cila fajëson të dyshuarin nga Kosova, janë deklarimet e dhëna gjatë hetimit nga nëntë travestitë të tjerë që ndodheshin në qendër të Tiranës bashkë me viktimën, pak kohë para vrasjes. Në mungesë të provave të drejtpërdrejta për vrasjen, prokuroria është përqendruar në pyetjen e dëshmitarëve okularë që kanë parë për herë të fundit viktimën. Sipas dëshmive të dhëna nga të paktën nëntë të njohur të viktimës me pseudonimin “Kristina”, autori i vrasjes është shtetasi nga Kosova Sefedin Hoxha. Dëshmitarët kanë thënë se ai është takuar me travestitin në afërsi të Kullës së Sahatit në Tiranë dhe më pas të dy janë drejtuar tek një godinë e braktisur dhe e pa banuar përballë drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Mbrëmjen e 19 shtatorit 2009, pak orë pasi ishte takuar me shtetasin kosovar, Petrit Muça, i njohur me pseudonimin “kristina” është gjetur i vdekur dhe i mbuluar me gjak brenda godinës së braktisur në afërsi të qendrës së kryeqytetit. Dëshmitarët kanë pohuar se në momentet e para, i dyshuari për vrasjen kishte menduar se travestiti ishte një vajzë, por më vonë kishte mësuar të vërtetën gjatë bashkëbisedimit me viktimën ndërsa shkonin drejt godinës së braktisur. I akuzuari për krimin, Sefedin Hoxha mësohet se rreth një muaj para arrestimit në Tiranë, ishte larguar pa adresë nga Kosova ku ishin bërë disa kërkime për gjetjen e tij. Në Tiranë ai nuk ka pasur një vendbanim të përhershëm ndërsa pas arrestimit ai ka pohuar se ishte takuar me viktimën natën e krimit, por ka mohuar kategorikisht akuzën e vrasjes.