Shqiptari incest me vajzën
Një vajzë 15 vjeçe nga Shqipëria, me banim në Itali ishte përdhunuar dhe kërcënuar për tre vjet me radhë nga babai i saj. Tmerri i përjetuar ka marrë fund dje për minorenen kur policia ka prangosur babain e saj, një 37 vjeçar shqiptar. Ngjarja e rëndë me protagonistë një familje shqiptare ka ndodhur në zonën e Barit, Itali. Lajmi u bë i ditur nga mediat italiane, në të cilat është përcjellë me bujë rasti i incestit për tre vjet në familjen e shqiptarëve. Burimet mediatike nuk publikuan identitetin e shqiptarit të arrestuar, ndërkohë që të rezervuara ishin edhe detaje të mëtejshme mbi origjinën e tyre shqiptare, apo aktivitetin e tyre në Itali. “Ka përdhunuar për tre vjet vajzën e tij, sot 15 vjeçe dhe për këtë është arrestuar nga agjentët e komisariatit të Gravinës, në Pulia (Bari), pas një urdhër arresti të Gjykatës së Barit”, citonte dje një nga agjencitë elektronike të lajmeve në vendin fqinj. Mësohet se mbi babain abuzues rëndon akuza e “dhunës seksuale në rrethana rënduese e kryer në vazhdueshmëri”. Referuar burimeve, dhuna seksuale në familjen shqiptare në Itali kishte filluar tre vjet më parë. E mitura ishte vetëm 12 vjeç kur me të ishte abuzuar fillimisht. Po sipas burimeve në vijim ajo ishte mbajtur nën presion dhe kërcënime nga babai i saj. Ndonëse ajo abuzohej që në moshën 12 vjeçare, vetëm një vit më parë e mitura kishte gjetur kurajën t’i tregonte të ëmës së saj se çfarë i ndodhte. Por frika e hakmarrjes nga ana e bashkëshortit ka bërë që ajo të mos e denonconte atë në polici. Sipas burimeve, disa episode ende më të rënda të shënuara në kohët e fundit e kanë detyruar të ndryshojë qëndrim. Ajo është drejtuar në një qendër këshilluese. Në vijim kanë qenë mjekët ata që kanë lajmëruar policinë dhe kanë bindur nënën e së miturës të denonconte bashkëshortin e saj abuzues.
Policia hetim heshtjes së nënës
Policia italiane e cila po heton incestin në familjen shqiptare ka marrë në pyetje nënën e vajzës e cila dyshohet se ka qenë në dijeni të abuzimit. Ajo ka dhënë dëshminë e saj dje për hetuesit ndërsa nuk janë bërë të ditura detaje rreth saj. Policia është në pritje të raportit të mjekëve mbi abuzimin seksual ndaj vajzës.