E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria shënon rënie të numrit të viktimave të trafikut



TIRANE - David L. Philips, studiues i njohur amerikan shkruan në një artikull për Shqipërinë botuar në “Illyria” në Nju Jork, se Qeveria shqiptare po lufton trafikun e qenieve njerëzore me një Strategji Kombëtare për luftën kundër trafikimit me afat 2008-10. Strategjia përfshin mbrojtjen dhe mbështetjen, parandalimin, përndjekjen ligjore dhe koordinimin ndërmjet agjencive. Sipas artikullit, Qeveria e Shqipërisë ka përmirësuar kohët e fundit sistemet e identifikimit kombëtar dhe atë të denoncimit të viktimave, kjo pjesërisht fal punës së policisë së shtetit. Numri i viktimave të identifikuara është pesëfishuar, nga 22 në vitin 2007 në 108 në vitin 2008 dhe, për shkak të intensifikimit të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, numri i viktimave ra në 94 në vitin 2009. Ligji i vitit 2009 për Mbështetjen Sociale, angazhon qeverinë të mbështesë qendrat e pritjes dhe strehimit me paketa për riintegrimin e plotë të viktimave, në terma afatshkurtër dhe afatgjatë, gjithashtu edhe duke garantuar sigurinë e tyre. Shërbimi në këto qendra përfshin strehimin, ushqimin, veshjen, kujdesin ndaj shëndetit, konsultimin, ndihmën ligjore, trajnimin profesional dhe forma të tjera mbështetje që synojnë të ndihmojnë viktimat për t’u riintegruar në shoqëri. Qeveria njoftoi kohët e fundit se do të paguajë të gjitha kostot e ushqimit dhe stafit të këtyre qendrave. Qeveria njoftoi gjithashtu se viktimat, pasi të largohen nga këto qendra, do të përfitojnë 1.5 herë më shumë ndihmë sociale se të papunët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›