E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasilika Dhrami - Të lësh shifrat për aromën e kuzhinës



Ani Jaupaj

Shpesh, rrëfimet e kuzhinierëve mbi lidhjen e tyre me profesionin, dëshmojnë për fillime të hershme. Burrat apo gratë e veshur në të bardha me skufje në kokë, kanë qenë gjithnjë në kuzhinë, qysh fëmijë, duke ndjekur radhën e veprimeve të nënave të tyre tek gatuajnë, zhurmat e lugëve të drurit mbi sipërfaqet e sheshta të tiganëve të rëndë, kanë qenë ato që provokonin dëshirën për t’i hyrë më në brendësi procesit të gatimit, por jo vetëm, kanë qenë gjithherë ndjellësit më të suksesshëm të oreksit (në rast që mungon!). Më pas kurioziteti ka bërë që të kenë tentuar vetë të eksperimentojnë derisa...një ditë e kanë shndërruar pasionin në profesion. Se në fakt, të gjithë e dinë se të gatuash do të thotë dashuri, se një pjatë nuk mund të shijohet nëse kuzhinieri a kuzhinierja nuk ka mundur të përfytyrojë shijen që në çastin që ka sjellë nëpër mend mpleksjen e gjithë përbërësve që realizojnë një pjatë.
Në të vërtetë kështu i ka ndodhur edhe Vasilika Dhramit edhe pse historia e saj ndryshon nga ajo e të tjerëve. Ajo gjithherë kishte qenë protagoniste në kuzhina, ku gatuheshin e realizoheshin darka festive, apo thjesht ushqimet e përditshme. Në kuzhinën e shtëpisë së saj, ishte padyshim ajo ‘mbretëresha’. Por në një kuzhinë restoranti ama, e gjeti veten relativisht vonë. Brenda stafit të restorantit ishte prej kohësh, por nuk u ishte afruar shumë tiganëve për shkak të funksionit tjetër që duhet të kryente si ekonomiste. Por ja që koka nuk i ndahej nga avujt e aromat ndjellëse dhe sytë ishin gjithnjë në ndjekje të lëvizjeve të shpejta të duarve të kryekuzhinierit. Shpesh harrohej aq shumë pas asortimenteve të kuzhinës së restorantit e kombinimeve të tyre, sa që linte pas dore regjistrat e shifrat. Që gatimin e kishte pasion këtë e dinte prej kohësh, por idenë për t’ju kushtuar seriozisht e për të investuar në këtë pasion, po fillonte ta mendonte ndërsa punonte pikërisht si ekonomiste e një restoranti. U lëkund gjatë mes idesë për të braktisur profesionin që kishte e për t’i hyrë me kohë të plotë kuzhinës. A duhej ta bënte? A do të ishte një zgjedhje e mirë? A do të mund ta bënte? Aq sa e tundonte edhe e trembte kjo ide. Nuk e shprehte, e bluante vetmevete deri sa më në fund vendosi: do t’i kushtohej kuzhinës, edhe pse të merrej mirëfilli me të në moshën e saj 38 vjeçare,kohë kur i hyri kësaj pune përpara shtatë vitesh, nuk dukej e lehtë; pavarësisht se prej disa vitesh, lëvizjet e saj të herëpashershme në restorantet e Tiranës, kishin bërë punën e tyre në nuhatje e mprehtësi për radhën e veprimeve të punës.
U ndodh në vendin e duhur në momentin e duhur. Afrimiteti që kishte pasur me kryekuzhinieren e restorantit ‘Alcora’ (aktualisht te chiken wings)ku punonte ishte në favorin e saj. I shërbeu ndër të tjera si shtysë për të marrë vendimin pa e kthyer kokën pas. Ato të dyja ishin kthyer tashmë në një ‘grup’ për të lëvizur gjithandej së bashku. Natyrshëm, Vasilika Dhrami do të ndeshej në kohët e para jo me pak gjëra e procese gatimi të panjohura. Me receta që nuk kishin qenë pjesë e pjatave që shtronte në tryezën e familjes. Me produkte që nuk i kishte hasur më parë. Por duke e pasur udhërrëfyesen mbi krye, e kishte më të lehtë. Të mësoje disa e mandej një pjesë shumë të mirë të specialiteteve të kuzhinës nuk do dukej më aq e paarrirë sa ç’iu duk në kohën kur bluante me vete vendimin për t’i hyrë kësaj rruge.
Në kuzhinën e stërmadhe, ku më parë i dukej vetja mikeshë, tani u gjend fare mirë e familjarizuar. E gjeti veten sakaq duke përgatitur specialitet italiane, pastat e freskëta apo specialitetet e peshkut. Dëshira dhe dashuria për kuzhinën i dallohet që në shkathtësinë e lëvizjeve. është përherë e freskët, me ide të reja për të pasuruar menynë dhe me qetësinë e mjaftueshme për t’iu përkushtuar çdo pjatë në mënyrë që të dalë ashtu siç e pat menduar jo vetëm ajo, por t’i përqaset e përfytyrimit të klientit. I ndodh shpesh që tek sa e sheh një klient të kalojë pragun e restorantit, të nisë të përgatisë pjatën e tij të preferuar, aq mirë është familjarizuar. Tani këto rite janë bërë pjesë e punës së përditshme edhe pse i duket pak sa e çuditshme që gjërat kanë vijuar kaq mirë, sikur të ishte gjendur përherë aty. Ndihet mirë me atë çka bën. E vetmja gjë që nuk arrin të përballojë më gjatë ditës si dikur, është gatimi për familjen e saj. Koha e kufizuar ia lejon vetëm në raste të rralla. Pjesëtarët e familjes janë malluar për ushqimet me të cilat i gostiste dikur e zonja e shtëpisë edhe pse atëherë menyja nuk ishte aq e larmishme sa është sot. Sepse me të mësuarit e me përvojën që ka fituar i janë lëkundur edhe shijet, nuk janë më ato të mëparshmet. Tani, pjata e saj e preferuar është ‘Kapileti’ që ka në përbërje pastën e freskët. Së paku për momentin, më vonë nuk dihet ç’ndodh me shijet e saj. Pasurohet menyja, ndryshon shija. Ndërkaq, e vetmja gjë e sigurt, është që Vasilika Dhrami, ia ka larguar vetes të gjitha pasiguritë e kohëve të para.

Tryeza e së dielës

Levrek i skarës me perime

Përbërësit:
Peshk levrek
Kripë e trashë
Lulelakër
Kungull
Brokoli
Karrota
Kripë,
majdanoz,
limon

Përgatitja:
Në skarën e ngrohur me zjarr jo shumë të fortë shtrojmë 100 gr kripë dhe vendosim sipër peshkun mbi të cilin shtojmë ehde një masë tjetër kripe të trashë. E lëmë në skarë për 30 minunta, kohë gjatë të cilës e kthejmë në të dyja anët.
Ndërkaq ziejmë perimet e sipërpërmendura. Në momentin që peshku është gati e servirim në pjatë duke e shoqëruar me perimet. Në nje enë të vogël përziejmë pak kripë të hollë, vaj ulliri, limon dhe pak pier të si, i përziejmë dhe ja shtojmë perimeve. Majdanoz sipas dëshirës.

Taliatele me domate të freskët dhe borzilok

Përbërësit për 100 gr brumë:
1 kokërr vezë
Miell (mjaftueshëm për mpiksjen e vezësderi sa të krijohet një maë brumi)
E hapim brumin deri sa të arrijmë një trashësi të hollë dhe e presim për së gjati.
Përbërësit për salsën:
Domate të freskët
Vaj ulliri
Borzilok i freskët
Piper i zi, kripë, hudhër
Djath parmixhan

Përgatitja:
Presim domatet e freskëta në kubikë të vegjël dhe i hedhim në tigan me vajin e ullirit. Shtojmë dy thelp hudhër të cilat mund ti heqim pas pak nëse nuk duam shumë aromë prej saj si dhe kripën, piperin e zi dhe në fund gjethet e borzilokut të freskët. I lëmë të ziejnë në zjar të ngadaltë duke i shtuar pak ujë kur nevojitet. Ndërkaq kemi zjerë makaronat e freskëta dhe kur të dyja të jenë gati i përziejmë. Servilen duke shtuar sërish borzilok të freskët. Së fundi pjatën e spikasin me djath parmixhan.

Sufle me mollë jeshile

Përbërësit:
500 gr mollë
50 gr sheqer
3 vezë
2 lugë lëng
limoni
Gjalpë,
sheqer pluhur

Përgatitja:
Pastrojmë mollën jeshile dhe e presim në feta të holla. Ziejmë, në një enë të vogël, fare pak ujë, lëngun e limonit dhe sheqerin. Kur të përfundojë zierja që të ketë eliminuar ujin, i shtojmë të bardhat e vezëve. Të verdhat i rrahim fortë dhe i përziejmë ngadalë pasi masa të jetë pak më e ftohtë. Në enën e vogël të ëmbëlsirë që kemi pluhurosur me sheqer dhe kemi vendosur disa nga fetat e holla të mollës shtojmë masën dhe e fusim në furrën e ngrohur më aprë në temperaturën 180 gradë. Serviret 30 minuta pas daljes nga furri duke u përmbysur ngadalë në pjatë në mënyrë që të mos prishet forma që i ka dhënë ena.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›