E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS miraton ndryshimet në statut

Autori i Lajmit: Redaksia

Asambleja e Partisë Socialiste ka miratuar ndryshimet në statut dhe ka vendosur mbështetjen e protestave për transparencën e zgjedhjeve. Pas një mbledhjeje disaorëshe, që nisi në orën 11: 00, Asambleja vendosi që PS të jetë bashkë me popullin opozitar në protesta për ti dhënë fund pushtetit të Berishës. Në përfundim të punimeve, deputeti i PS-së, Blendi Klosi, konfirmoi se vendimet e mëtejshme tashmë për ndryshimet do të merren në Kongres në datën 18 prill, kurse dje u miratuan në parim. Lideri socialist Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e palëkundur të forcës që drejton, për transparencën e zgjedhjeve dhe për ti dhënë fundin e merituar pushtetit që pas grabitjes së votave, po rrënon ekonominë e vendit. Një pikë e veçantë në rendin e ditës iu la edhe çështjeve jashtë rendit të ditës. Përgjigjet e dhëna nga anëtarësia, por edhe vendimi i kongresit të vitit 2007-të kanë qenë dy argumentet që kanë detyruar grupin e punës për ndryshimet në statut që ti thotë jo legalizimit të fraksioneve apo siç njihet ndryshe oponencës kolektive.
Ndryshimet
Ndryshimet e propozuara konsistojnë në disa përmirësime në strukturën organizative të saj në nivel vendor dhe rajonal, në përbërjen sa më cilësore të forumeve të saj, në freskimin e organeve qendrore me përfaqësues të zgjedhur direkt nga anëtarësia, si dhe një filozofi e re në menaxhimin dhe drejtimin e partisë në të gjitha nivelet, por pa ndryshime esenciale të parimeve dhe strukturës së statutit aktual. Kështu, në ndryshimet kryesore mund të veçohet krijimi i strukturave të partisë në nivel rrethi, zgjedhja e Asamblesë së Rrethit, kryetarit të PS-së së Rrethit, krijimi i Këshillit Koordinues i Qarkut. Gjithashtu, ndryshohet edhe mënyra e zgjedhjes së krerëve të partisë në bazë komune, bashkie dhe rrethi, ky i fundit është pjesë direkte e Asamblesë Kombëtare. Tashmë këta tre drejtues nuk do të zgjidhen më sipas parimit një anëtar, një votë, pasi për ta do të votojnë asambletë përkatëse. Ndryshime janë bërë edhe në kapitullin e parimeve të përgjithshme, ku PS-ja cilësohet tashmë si një forcë politike e majtë demokratike, ndërsa sanksionohet se vendimet e shumicës janë të detyrueshme për tu zbatuar edhe nga pakica.
Relacioni
Paketa e ndryshimeve statutore përmban një sërë propozimesh që prekin kryesisht pjesën e organizimit të partisë në bazë. Duke argumentuar arsyet se pse u mendua që të ndërhyhej vetëm në këtë pjesë, Klosi në relacionin e vet shpjegues, sqaron se nevoja e tyre lindi, së pari, nga eksperienca e këtyre viteve të funksionimit të strukturës organizative të partisë në nivel vendor, e cila rezultoi e decentralizuar. Në relacion pranohet se mënyra e organizimit të partisë në nivel vendor solli "mangësi në aspektin e menaxhimit dhe drejtimit të saj". Gjithashtu, evidentohet fakti se në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, nga pikëpamja e funksionimit të strukturës së partisë në kushtet e sistemit zgjedhor që u aplikua, evidentoi si nevojë parësore krijimin e një strukture të fortë e të qëndrueshme në të gjitha hallkat, që nga bashkia, komuna, rrethi dhe qarku. Në relacion thuhet gjithashtu, se përveç tërheqjes së mendimit të një pjese të anëtarësisë nëpërmjet anketimit, një bazë e rëndësishme të dhënash ishte dhe studimi i propozimeve të depozituara në kongresin e jashtëzakonshëm të gushtit të shkuar.

Ky lajm është publikuar: 08/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›