E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët e emigrantëve padisin ushtrinë greke për thirrjet raciste

Autori i Lajmit: Redaksia

Thirrjet raciste të ushtrisë greke tashmë janë postuar në gjykatë. Grupi i Avokatëve për të Drejtat e Refugjatëve dhe Emigrantëve depozitoi ditën e djeshme një padi kundër anëtarëve të Forcave Speciale Reparti i Rojës Bregdetare të Greqisë, për fyerjet publike që ushtruan më 25 mars 2010 gjatë paradës ushtarake me rastin e festës kombëtare helene, në qendër të Athinës. Grupi i Avokatëve argumentoi se “arsyeja për këtë nismë ligjore është papajtueshmëria me thirrjet e pjesëmarrësve të ushtrisë greke, të cilët janë dëgjuar dhe parë duke hedhur parulla kundër emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vend”. Në njoftimin e Grupit të Avokatëve përmendet në mënyrë specifike se "ky kontingjent, pas largimit nga podiumi i zyrtarëve në sheshin Sintagma doli në rrugë dhe, ndërsa përshkonin rrugën në Universitetin e Shën Konstandinit, në një formë të strukturuar dhe me ritmin e paradës u konstatuan duke thirrur parulla raciste dhe intolerance ndaj fqinjëve”.
Padia
Grupi i Avokatëve thotë se në padinë e saj, bazohet në Kushtetutën e Republikës së Greqisë, e cila ndalon thirrjet për urrejtje racore, fetare dhe etnike, madje, ligji grek nr 927 i vitit 1979, parashikon edhe dënim të fajtorëve që kanë konsumuar të tilla vepra penale. “Kërkojmë zbatimin e ligjit nr 927/1979, i cili deri sot nuk ka gjetur zbatim dhe të ndëshkohen përgjegjësit e ushtrimit të thirrjeve për dhunë dhe racizëm”, - përfundon deklarata e nënshkruar nga Grupi i Avokatëve për të Drejtat e Refugjatëve dhe Emigrantëve. Ndërkohë që parakalonin sipas procedurës, ushtria greke ka shpërthyer me këngë ““Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar”.
Thirrjet
Thirrjet raciste erdhën pikërisht kur Forcat Speciale sapo përshkuan zonën e Sintagma (Kushtetueses) dhe ushtarët u afruan në rrugët “Panepistimiu” dhe “Agjios Konstandinos”, nisën të klithnin për kasaphanë ndaj fqinjëve të Greqisë, duke mos kursyer shqiptarët, turqit dhe shkupjanët, siç i njohin qytetarët e Maqedonisë. Thirrja tjetër e këngës horrore, ishte: “Do të bëhet kasaphanë, pastaj do të hakmerrem, kur të adhuroni kishën edhe kryqin”. Për këtë thirrje ka pasur reagime qoftë nga shteti grek, i cili ka nisur ndëshkimin e ushtarëve dhe komandove që morën pjesë në paradë. Gjithashtu reagime ka pasur edhe nga shtetet që u prekën nga këto kore raciste. Edhe pse qëndrimi në disa raste nuk ishte ai i duhuri, sërish shtetet fqinje, përfshi këtu edhe Shqipërinë, kërkuan që të merreshin masa ndaj këtij rasti të paprecedentë.

Ky lajm është publikuar: 08/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›