Agim Musho, sot në Prokurori për “Irenën”
02/02/2005 TIRANË -Bashkëshorti i Irena Selit, gruas së zhdukur në datën 16 dhjetor 2004, do të shkojë sot para hetuesve. Agim Musho, pronar i kompleksit “Bruno” në kryeqytet, pas disa ditësh qëndrimi në Gjermani, ka thënë se sot në datë 2 shkurt, do të jetë në Tiranë dhe do të japë sqarimet e tij për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila është duke hetuar zhdukjen misterioze të gruas së tij. Sipas burimeve nga Prokuroria, pyetjet që do t'i bëhen Mushos për ngjarjen janë gati, ndërsa priten vetëm thëniet e tij. Si një dëshmitar okular, Prokuroria e Krimeve të Rënda pret nga Agim Musho të mësojë diçka më tepër lidhur më zhdukjen e Irena Selit, ngjarje e cila edhe pas 50 ditëve mbetet ende misterioze. Zhdukja e 39-vjeçares Irena Seli ndodhi rreth orës 14.00 të datës 16 dhjetor 2004. Atë ditë, Irena me bashkëshortin e saj Agimin, vinin nga Gjermania me tragetin “Venezia”, i cili ishte nisur nga porti i qytetit të Triestes në Itali. Sipas dëshmisë së Agim Mushos, Irena është zhdukur në kohën kur ai merrej me vulosjen e pasaportave. Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme, deklaroi edhe një pistë tjetër hetimi. “Sipas informacioneve operative të policisë, besohet se prania e dy personave në portin e Durrësit, ditën e zhdukjes së Irenës, lë vend për të dyshuar për një rrëmbim”, thanë burimet e akuzës qendrore. Dosja po hetohet me referencën ligjore rrëmbim personi, ndërsa Prokuroria nuk ka dhënë ndonjë provë të fortë për ta menduar ngjarjen si një rrëmbim.