E Hënë, 2 Nëntor 2026

Takimi me Topin kyç për datën e zgjedhjeve

02/02/2005  Alfred Moisiu diskutoi dje me Fatos Nanon, dhe me drejtuesit e LZHK, LSI dhe PDR

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, nisi dje konsultimet me partitë politike, lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Moisiu, së pari, ka diskutuar me kryesocialistin Fatos Nano dhe më pas me krerët e partive të vogla. Burimet thanë se Nano është treguar tejet i ftohtë për datën e zgjedhjeve. Ndërsa Moisiu ka hedhur idenë e afrimit të ditës së votimit në qershor. Por, për këtë do të duhet një iniciativë që do të ndryshojë përcaktimet e kodit zgjedhor që përcaktojnë si afatin e datës së votimeve datën 3 korrik deri më 31 korrik. Tashmë pritet takimi me përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të cilët janë më të interesuarit për të ndërmarrë iniciativën ligjvënëse. Kjo për vetë faktin se në konferencat e dhëna për shtypin, PD-ja ka kërkuar që zgjedhjet të zhvillohen në muajin maj, ose në qershor. Në selinë e kreut të shtetit janë thirrur kryetari i Grupit parlamentar të LZHK-së, Maksim Begeja, kryetar i Grupit parlamentar të LSI-së, Sabit Brokaj, kryetar i Grupit parlamentar të PDR-së dhe PDK-së, Nard Ndoka dhe kryetar i PBL-së, Arjan Starova. Por dhe në këto takime nuk ka pasur një qartësim, mbi ndryshimin ose jo të kodit zgjedhor. Në këto takime, Presidenti u njoh me pikëpamjet e partive politike respektive mbi periudhën më të përshtatshme kohore për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, neni 65, “zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij”. Kodi Zgjedhor në fuqi në nenin 2, pika 2, saktëson se “mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të tij”, pra më 3 shtator 2005. Mbështetur në afatin kushtetues dhe Kodin Zgjedhur, zgjedhjet duhet të zhvillohen jo më parë se sa data 3 korrik 2005 dhe jo më vonë se data 31 korrik. Ndaj vetëm një ndryshim i Kodit Zgjedhor mund të afrojë datën e votimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›