E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agim Musho zbulon telefonatën

16/02/2005  Bashkëshorti i së zhdukurës dyshon te Prokuroria. Akuza: Nuk ka asgjë të vërtet

TIRANË - Agim Musha, bashkëshorti i Irena Selit, gruas së zhdukur dy muaj më parë ka zbuluar dje autorin e telefonatave që janë bërë nga Amerika në adresë të tij, pas zhdukjes së bashkëshortes. Në një intervistë për televizionin privat “NEWS 24”, Agim Musha ka sqaruar disa nga momentet e zhdukjes, por ka hedhur dyshime edhe ndaj Prokurorisë. Pronari i kompleksit “Bruno” në Tiranë, duke sqaruar telefonatat nga Los Anxhelosi i SHBA-ve, lakoi emrin e ish-ministrit të Rendit, Ilir Gjoni. Musha ka thënë se autor i sinjaleve telefonike nga Los Anxhelosi, është Ilir Gjoni. Këto sinjale kanë mbërritur në telefonat e Mushës, Brunos dhe vëllait të Irenës, dy ditë pas zhdukjes së saj. Musha nuk ka dhënë shumë sqarime lidhur me këtë fakt, por ka pohuar se është i sigurtë, se autor i telefonatave, është ish-ministri i Rendit Publik.

I Dashuri

Duke folur për bashkëshorten e tij dhe marrëdhëniet me të, biznesmeni Musha tha se Irena kishte një të dashur, të cilit i kishte dhënë edhe një shtëpi në Tiranë. I shoqi i së zhdukurës, përmendi emrin e shtetasit Dritan Bonaj, i cili, sipas biznesmenit Musha, ka shkuar disa herë edhe me persona të tjerë te komleksi “Bruno”. Sipas Mushës, ky person ashtu sikurse vetë ai mund të ngjallin dyshime për Prokurorinë. “Bonaj mund të ketë patur motive për të bërë diçka kundër Irenës”, tha Musha. Ai veçaoi përpjekjen e të dashurit për t’i marrë shtëpinë Irenës, qëllimin për t’i marrë asaj paratë dhe dëshirën për t’u ndarë nga ajo, pasi e bezdiste 10 herë në ditë në telefon. Këto, sipas bashkëshortit të gruas së zhdukur, janë disa prej shkaqeve që mund ta kenë çuar të dashurin e gruas së tij, në një veprim kundër Irenës.

Akuzat

Duke folur për Prokurorinë, Agim Musha ka përmenduar emrat e dy prokurorëve të çështjes “Ierna”, të cilët, sipas pretendimeve të tij, kanë lidhje me persona që janë të interesuar që fati i vërtetë i Irenës të mos zbardhet. Në këtë linjë, biznesmeni Musha tha se, dy ditë më parë, ka shkruar dhe ka kërkuar pasaportën e tij dhe të djalit në Prokurori, pasi Bruno kishte provimet në Gjermani. Sipas Mushës, Prokuroria i ka thënë se do t’i kthente pasaportën e djalit dhe do të mbante pasaportën e tij. Ai tha se ka kërkuar sqarime për bllokimin e pasaportës dhe Prokuroria i ka thënë se e mbante për verifikime. Musha nënvizoi faktin se pasaporta ka 15 ditë që mbahet nga Prokuroria dhe se gjatë kësaj kohe mund të ishte bërë çdolloj verifikimi i nevojshëm. Në vijim të këtij versioni, biznesmeni tha se mbajtja e pasaportës së tij nga Prokuroria, ka qëllime të tjera nga hetimi i drejtë i ngjarjes. Duke vijuar kritikat e tij dhe akuzat ndaj Prokurorisë, Musha tha se dy ditë më parë, dy prokurorë të çështjes kanë bërë presion ndaj Brunos, djalit të tij. “Në një lokal përballë Prokurorisë, dy prokurorët e çështjes kanë folur me Brunon dhe i kanë bërë atij presion të pranonte dhe të pohonte gjëra kundër meje. Duke dashur ta personalizojë kritikën, Musha u shpreh se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka parë plot prokurorë të aftë dhe me talent. E megjithë praninë e këtyre personave, Musha tha se njëri prej prokurorëve të dosjes mund të bëhet shkak për devijimin e hetimeve. Sipas tij, ky hetues është bërë shkak që në shtëpinë e të dashurit të Irenës, për disa kohë të mos bëheshin kontrolle, derisa me këmbënguljen e tij, dy ditë më parë, është realizuar kontrolli.

20 dëshmitarët dhe letra

I shoqi i së zhdukurës, tha se 20 dëshmitarë kanë firmosur një dokument, ku pranojnë se e kanë parë gruan e tij të ketë zbritur në portin e Durrësit, ditën e zhdukjes së saj në datë 16 dhjetor 2004. Irena nuk mund të jetë rrëmbyer dhe as është vrarë, ajo është larguar vetë dhe me dëshirën e saj. Duke folur për letrën e pakos së dashurisë, Musha tha se letra e ardhur më vonë nga Gjermania nuk është e vërtetë. Sipas tij, e vërteta është se autore e letrës dhe pakos së dashurisë, është Irena. Musha tha se vëllai i Irenës, një ditë pas zhdukjes së saj, ia ka dorëzuar pakon të dashurit të motrës. Për këtë, Musha tha se Ylli Seli, atë ditë ka bërë tre telefonata me të dashurin e Irenës dhe se kjo vërtetohet nga tabulatet telefonike të bisedave mes Ylli Selit dhe shtetasit Dritan Bonaj. Duke folur për kontradiktat në dëshmitë e tij për Prokurorinë dhe për shtypin, Musha mohoi të ketë thënë versione të ndryshme. Ai tha se dëshmitë e tij janë të vërteta dhe se ka dërguar në organin e akuzës të gjitha provat dhe faktet që dispononte për ngjarjen.

Prokuroria: Verifikuam, s`ka asgjë të vërtetë

Sapo ka mbaruar së transmetuari intervista e Agim Mushës, Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda, kanë filluar verifikimin e të gjithë veprimtarisë së personave që ka pëmendur Agim Musha. Titullarët më të lartë të akuzës, kanë kërkuar sqarime nga vartësit lidhur me deklarimet e Agim Mushës për median private. E pyetur nga gazeta “Metropol”, Prokuroria tha se ka kryer të gjitha verifikimet dhe kontaktet e duhura dhe se asnjë nga akuzat e Agim Mushës ndaj prokurorëve nuk janë të vërteta. Grupi i hetimit ka kryer të gjitha procedurat sipas ligjit dhe Kodit të Procedurës Penale. Prokuroria tha se nuk dëshiron të ngutet në reagime, pasi ajo çka i intereson më shumë është hetimi dhe zbardhja e ngjarjes. Organi i akuzës u shpreh se nuk e përjashton mundësinë që deklarime të tilla të Agim Mushës, të jenë një lojë e sajuar me qëllime të caktuara për t’u shmangur nga hetimi. Burimet e hetimit thanë se nga strukturat speciale hetimore kanë informacione dhe dyshime për kontaktet e Agim Mushës me mediat, por se nuk duan të paragjykojnë asgjë deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që e kanë çuar biznesmenin në deklaratën e mbrëmjes së djeshme. Që prej kthimit të tij nga Gjermania, më 2 shkurt bashkë me djalin e tij, Agim Musha ka qenë mjaft bashkëpunues me Prokurorinë. Natën e kthimit nga jashtë, ai bashkë me djalin kanë qëndruar shtatë orë në Prokurori, ku kanë dhënë dëshminë e tyre. Kjo ka ndodhur edhe të nesërmen në datë 3 shkurt kur Musha është treguar sërish i gatshëm të dëshmojë dhe të flasë për Prokurorinë. Edhe në vijim të hetimeve, biznesmeni nuk ka refuzuar të shkojë në Prokurori sa herë që është thirrur. Ashpërsimi i raporteve mes Mushës dhe hetuesve vjen vetëm pak ditë pasi tre shtëpitë e të shoqit të gruas së zhdukur u kontrolluan nga Policia dhe Prokuroria. Mbrëmjen e asaj nate, Musha reagoi ndaj kontrolleve në formë të revoltuar. Ndërsa dje, para deklaratave të tij, një media e përditshme, ka cituar Prokurorinë, duke pohuar se Agim Musha ishte i dyshuar për zhdukjen e Irenës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›