E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama ngre alibi për "prishjen e paralajmëruar " tryezës

E majta evropiane dëgjon pretendimet e kreut të PS-së, Edi Rama, për hetimin e zgjedhjeve vetëm dy ditë para se ai të ulet në tryezën e bisedimeve me Kryeministrin Berisha. Gjatë udhëtimit të tij në Strasburg, ku ka plane të takohet me eurodeputetë socialistë, Rama ka marrë gjithashtu këshillën që të kthehet në Kuvend në takimin e parë e ndoshta më të rëndësishmin, me zv.presidentin e Parlamentit Evropian, Libor Roucek. Roucek vetëm dy javë më parë në takimin që pati me kundërshtarët e Ramës, Ben Blushi dhe Kastriot Islami, e cilësoi bojkotin të gabuar në një demokraci dhe mbështeti qëndrimin e këtyre deputetëve që të hyjnë në Kuvend. Këtë gjë ai ia ka bërë të ditur dhe Ramës dje, por sigurisht PS, e cila shpërndau edhe lajmin dhe informacionet e takimet është kujdesur maksimalisht që ta orientojë çështjen tek hapja e kutive dhe jo tek fakti që partia më e madhe opozitare prej 6 muajsh vazhdon të qëndrojë jashtë dyerve të Kuvendit. Në takimin e djeshëm Rama ka tentuar të krijojë idenë se ka mbështetje nga përfaqësues të institucioneve evropiane për kushtin që ai ka vënë në këtë tryezë e që ka të bëjë me hapjen e kutive. I pyetur për këtë çështje Roucek së pari ia anashkaloi një përgjigje të drejtpërdrejtë duke thënë: “Unë mendoj se është shumë e nevojshme të kryhet hetimi për këto zgjedhje, që kjo t'i shërbejë jo asaj që ka kaluar, por sidomos së ardhmes dhe që në të ardhmen të mos ketë as edhe një problem me zgjedhjet, ashtu siç nga ana tjetër është e rëndësishme për opozitën që pas këtij kompromisi të futet në Parlament dhe të vazhdojë rrjedhën normale opozitare. Kjo do të ishte një rezultat shumë i mirë për të gjithë, veçanërisht për popullin shqiptar”. Pra, kësisoj, zyrtari i PS-së sheh si thelbësore kthimin e socialistëve në Kuvend. Më tej, ai tregoi besim për institucionin e Presidentit, duke u shprehur: “Besoj te ndërmjetësimi i Presidentit, besoj se ai mund ta bëjë dhe besoj edhe se ai ka vullnetin e duhur për të ulur liderin e opozitës dhe Kryeministrin në një tavolinë për të gjetur kështu kompromisin që i duhet vendit”. Por këmbënguljes së mediave që Rama kishte marrë në udhëtimin e tij në Strasburg që të japë një koment për hapjen e kutive, Roucek iu përgjigj: “Nuk më takon mua t'u them politikanëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë. Ndoshta hapja e një pjese të kutive, në zona të ndryshme, pra hapja e disa kutive në çdo zonë edhe kjo mund të ishte një zgjidhje”. Rama ishte i shoqëruar nga Arta Dade, sekretare e marrëdhënieve me jashtë në PS, deputetët Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj. Ai tha pas takimit se në këto takime kishte mbështetur kërkesën për “një transparencë të plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, materialeve zgjedhore, për të bërë të mundur që populli shqiptar të shikojë dritën e diellit, çfarë ka ndodhur para, gjatë dhe pas 28 qershorit dhe njëkohësisht për të krijuar kushtet që administrata zgjedhore në të ardhmen të garantojë vullnetin e popullit dhe çdo komisioner të mos jetë thjesht komisioneri i forcës që përfaqëson, por qytetari që përgjigjet para ligjit për respektimin e tij në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, siç është ai i zgjedhjeve”.

Roucek me deputetët e LMN-së

Zv.presidenti i PE-së, Roucek, në takim me tre deputetët e PS-së, Blushi, Islami dhe Harasani, e ka krahasuar reagimin e Ramës me atë të demokratëve në Amerikë kur u zgjodh George W. Bush, por në fund u pranua vendimi i institucioneve përkatëse, ndryshe nga Shqipëria. “Do të dëshiroja që vendimi të merrej nga e gjithë partia para mbarimit të afatit, që do të thotë para marsit. Mesazhi im është që duhet rikonsideruar situata, jo vetëm në Shqipëri, por ka një rregull të përgjithshëm. Bojkotimi i Parlamentit nuk të çon gjëkundi”, - është shprehur ai në takimin me deputetët socialistë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›