E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agim Nesho me kompetencat e ambasadorit në Uashington

26/05/2005  Skema e Qeverisë, rrokadë ambasadorësh për vendin e Tarifës

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, mund të jetë zëvendësuesi i ambasadorit, tashmë të larguar nga detyra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fatos Tarifa, ndoshta jo në postin e ambasadorit, por sekretarit, që është një emërtesë e ministrit të Jashtëm. Lëvizjet e fundit që krerët e qeverisë synojnë të realizojnë në diplomacinë shqiptare jashtë vendit, duhet të gëzojnë më parë dhe mbështetjen e Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu. Ky i fundit, sipas burimeve të qeverisë, ka refuzuar të bëjë dekretime para zgjedhjeve për poste të tilla të rëndësishme. Burimet theksojnë se dekretimi i ambasadorit të ri në SHBA, do të mund të bëhet vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve të 3 korrikut. Kjo për shkak se ambasadorët duhet të kalojnë nëpërmjet Komisionit të Jashtëm Parlamentar, i cili, tashmë nuk ka mandat për t’u mbledhur apo vendosur. Po ashtu, proceduart e emërimit të ambasadorit përfshijnë edhe një kohë tjetër që i duhet vendit pritës për të dhënë aprovimin, në këtë rast SHBA-së. Megjithatë është një skemë e qeverisë, sipas së cilës do të arrihej vendi vakant i ambasadorit Tarifa, pas një shkëmbimi vendesh mes ambasadorëve aktualë dhe futjes në këtë skemë edhe të ish-deputetit socialist, Ilir Zela, i cili ka drejtuar edhe Komisionin me Jashtë në Parlamentin shqiptar. Ky i fundit do të zinte vendin e Shpëtim Çaushit në selinë e NATO-s, ndërsa vetë Çaushi do të transferohej në OKB, si ambasador i Shqipërisë në këtë organizatë. Emërimi i ambasadorit të ri në SHBA do të shoqërohej me disa lëvizje paralele dhe emërtesa të reja, një punë jo e lehtë kjo për qeverinë në muajin e fundit të mandatit të saj dhe para zgjedhjeve, të cilat pritet të kenë surpriza. Opozita, nëpërmjet sekretarit për marrëdhëniet me jashtë të Partisë Demokartike, Besnik Mustafaj, ka kërkuar që Kryeministri Nano të mos bëjë emërime të reja ambasadorësh deri në përfundim të zgjedhjeve. Vetëm disa javë më parë, Kryeminsitri ka caktuar si ambasador ish-deputetin tjetër socialist Bardhyl Agasi në Danimarkë, kjo pas largimit të tij nga strukturat drejtuese të PS-së. Por refuzimi i Moisiut për të bërë dekretin e ka detyruar Ministrinë e Jashtme ta nisë atë me detyrën e sekretarit në këtë ambasadë. Incidenti i Fatos Tarifës në diplomacinë shqiptare, u bë publik disa javë më parë nga një media shqiptare. Dhe nuk ka vonuar dhe reagimi i shtetit, ku pas kërkesës së Kryeministrit Fatos Nano dhe me dekret nga Presidenti, vetëm dy ditë më parë, është liruar nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fatos Tarifa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›