LSI zhvillon sot në Korçë miting
26/05/2005 Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të zhvillojë sot një miting madhështor në qytetin e Korçës. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, ka nisur dje turin elektoral 5-ditor në Juglindje dhe në Jug të Shqipërisë, duke prezantuar kandidatët e partisë për zgjedhjet e 3 korrikut. Në prag të Konventës Elektorale të LSI, Meta ka paraqitur dhe pjesë kryesore të platformës elektorale në takimet që ka zhvilluar me qytetarë të Prrenjasit dhe në Pogradec. Ditën e sotme, kreu i LSI-së do të vijojë me disa takime në Maliq, Pojan dhe Devoll. Ndërkaq turi elektoral do të vazhdojë me takime që Meta do të zhvillojë në Kolonjë, në Ersekë, në Leskovik dhe në Përmet gjatë ditës së premte. Ndërsa ditën e shtunë, Meta do të zhvillojë takime në Sarandë dhe në Delvinë, për të vazhduar më pas me takimet e ditës së diel në Libofshë të Fierit dhe në Patos. Ky tur elektoral i kryetarit të LSI-së, zhvillohet në prag të Konventës Elektorale të LSI-së, e cila do të mbahet më datën 2 qershor. Meta zhvilloi dje një takim me qindra të rinj në qytetin e Pogradecit.