Nano veteranëve, nuk do të ndryshoj datën e çlirimit

26/05/2005 Kryeministri Fatos Nano i ka siguruar veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare se do të trefishojë në katër vitet e ardhshme listën e barnave të rimbursueshme. Gjatë konferencës së VIII-të të veteranëve kreu i mazhorancës socialiste i ka bërë thirrje kësaj shtrese që të votojnë për Partinë Socialiste, duke sulmuar opozitën aktuale si shtrëmbëruese të historisë së vendit. Nano, duke siguruar veteranët se data e çlirimit të vendit është 29 nëntori, tha: “PS-ja vjen si aleate tek ju, sepse kurrë nuk e tradhtuam idealin tuaj, nuk lejuam të njolloset vepra juaj sublime, nuk lejuam të shtrembërohet e, aq më pak, të mohohet historia që ju e shkruajtët me gjak dhe ne i demaskuam së bashku me ju pseudohistorianët e kolaboracionistët, si dhe kalemxhinjtë, që u përpoqën të llangosnin me mellan blu e ta zhbënin veprën tuaj heroike. Unë zotohem, në emër të brezit tim, se do të vazhdojmë të mos lejojmë kërrkënd as sot, as kurrë, të nëpërkëmbë veprën tuaj monumentale“. Kreu i ekzekutivit shqiptar u ka premtuar veteranëve dhe një shërbim shëndetësor cilësor. Sipas tij, “politika sociale të shtetit, duke vendosur pagat e diferencuara për mjekun e familjes, po bëhet e mundur që për herë të parë të sigurohen standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kurim, thënë ndryshe, 1 mjek për 500 banorë sot, një mjek për 400 banorë nesër. Zbatimi i kësaj reforme, më shumë se për këdo tjetër, është në ndihmën tuaj veçanërisht të veteranëve a të pensionistëve që jetojnë larg qyteteve, të cilët edhe për një vizitë të zakonshme mjekësore, u duhet të bëjnë kilometra të tëra e shpesh në kushte të vështira, dhe prandaj ne do të shpërblejmë me 75 mijë lekë të reja në muaj mjekun e familjes, që ai të udhëtojë pranë jush“, tha Nano. Po dje, Nano ka uruar fëmijët e klasës së parë të shkollës “Dora D’Istria”, me rastin e Festës së Abetares.