E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prezantohet prefekti i ri

26/05/2005  Rrokadë në prefekturën e Shkodrës

SHKODER - Në prefekturën e Shkodrës ka mbërritur dje zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Paqësor Zeneli. Qëllimi i vizitës së tij ka qenë prezantimi i prefektit të ri, Oltion Luli, pas dorëheqjes së ish-prefekti Ramadan Hasanaj, pas shpalljes së kandidaturës së tij për PS, në zgjedhjet e 3 korrikut.

Gjatë prezantimit të prefektit Luli, Zeneli falenderoi Ramadan Hasanaj për kontributin, devotshmërinë, përgjegjshmërinë ligjore dhe përkushtimin e tij në kryerjen e detyrës, karakteristika këto që dolën në pah më së miri sidomos gjatë periudhës së emergjencave që kaloi prefektura e Shkodrës.

Më pas, ai vazhdoi edhe me prezantimin e vlerave të prefektit të emëruar Luli.

Nga ana tjetër, Hasanaj, i cili e kishte ushtruar detyrën e prefektit për më shumë se 7 muaj, shprehu falenderimet për stafin e tij, njësitë vendore dhe shoqatat joqeveritare, që kishin dhënë kontributin e tyre të çmuar në mbarëvajtjen e punës së tij. Një falenderim të veçantë, ai i bëri struktuarve të policisë dhe të ushtrisë, të cilat ishin të gatshme dhe nuk u kursyen në asnjë moment, sidomos gjatë periudhës së emergjencave të muajve të ftohtë. Hasanaj u shpreh se largohej nga ky institucion me një respekt të madh dhe me një besim se kishin vënë një gur të mirë të cilin prefekti i ri do të dijë si ta menaxhojë.

Në fund prefekti Luli falenderoi qeverinë dhe Kryeministrin për besimin e treguar ndaj tij dhe premtoi se do të mbështetej dhe do të shpinte më tej gjithë atë përvojë të mirë dhe të suksesshme që kishte krijuar prefekti Hasanaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›