Agim Pepa: Më zhgënjeu vetëdorëzimi në polici
Fatos Mahmutaj
“Po shef, ja po e zbresim”. Kaq dëgjohet në radion marrëse-dhënëse të oficerit të policisë që na shoqëron për të kuptuar se Agim Pepa kishte pranuar të fliste me ne. Ndodhemi në burgun e Peqinit për të takuar personin që pesë vjet më parë ishte kryeartikulli i shtypit dhe kronika kryesore e lajmeve televizive për shkak të krimit për të cilin u akuzua. Vrasja e komisarit të policisë, Gani Malushi, do ta bënte personin më të kërkuar në vend, derisa ai u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit, në kohën që autoritetet e shtetit po pranonin se ishin sfiduar përballë tij. Agim Pepa duket se nuk kishte ndryshuar shumë pas pesë viteve në qeli. Ka shkurtuar flokët dhe ka shtuar vetëm ca kile në peshë, ndoshta nga mungesa e aktivitetit fizik për shkak të izolimit në qeli. Por që vetë nuk e pranon një fakt të tillë, duke këmbëngulur se duket i tillë ngaqë ishte veshur trashë për shkak të temperaturave të ulëta në Peqin. Është i qetë dhe mjaft i rezervuar në ato që flet. Pas çdo fjalie përmend se kërkon falje nga familja Malushi dhe pohon zhgënjimin pas vetëdorëzimit në polici.
Zoti Pepa, ju u vetëdorëzuat në polici kur ishit për tetë muaj personi më i kërkuar në vend, çfarë ju detyroi ta bënit këtë?
U vetëdorëzova me mendimin se do merrja lehtësi. Mendova se për shkak të kësaj do merrja një dënim sa më të ulët. Kjo për shkak se pranova edhe krimin. U vetëdorëzova një ditë para seancës gjyqësore që të deklaroja në gjyq se njëra vrasje, pra ajo e komisar Malushit ishte vrasje pa dashje, ndërsa tjetra, ajo e Gjovalin Ndreut normalisht që ishte me qëllim. Gjithashtu u vetëdorëzova që t’i tregoja familjes Malushi se vrasja e Ganiut ishte pa dashje dhe se plumbat e kanë kapur me rikoshet. Desha t’u thosha që nuk kam pasur punë me ta, por me hasmin tim. Vetëm kaq.
Gjatë deklarimeve në gjykatë ju keni pohuar se keni bërë një vrasje për hakmarrje, dhe tjetrën për shkaqe që nuk vareshin nga ju. Si e gjykoni vendimin e drejtësisë ndaj jush?
Nuk është vendim i drejtë. Është i padrejtë. Këtë e them unë dhe mbrojtja ime. E kemi kundërshtuar këtë vendim. Më kanë dënuar si Agim Pepa dhe jo për krimin kryer.
Pse mendoni se jeni dënuar kështu, si Agim Pepa dhe jo për krimin?
Sepse krimi që kreva unë mori ngjyrë politike dhe u bë shumë publik. E them këtë se unë nuk jam njeri i politikës, as majtas dhe as djathtas. Thjesht jam vetëm vëzhgues i saj nga jashtë. Për këtë shkak mendoj se më dënuan si Gim Pepa.
Ku ndodhet aktualisht çështja juaj?
Çështja tashmë është futur në arshivë. Dhoma e Këshillimit e Gjykatës së Lartë nuk pranoi ta shqyrtonte. Tashmë e kam dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Duhen shumë vite derisa të mbarojnë.
Ishit personi më i kërkuar i policisë gjatë periudhës gusht 2003- prill 2004 dhe u vetëdorëzuat në polici. Mendoni se u shpërblyet apo zhgënjyet nga ky veprim?
U zhgënjeva. Mora dënim të dyfishtë. U dënova përjetë në Shkallë të Parë për vrasjen që kisha kryer pa dashje.
Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e ndryshoi akuzën duke të dënuar përjetë për vrasjen e Ndreut dhe 25 vjet burg për atë të Malushit. Si e shihni këtë ndryshim?
Po, është e vërtetë që Apeli bëri këtë ndryshim. Por nuk ndryshoi asgjë nga dënimi përfundimtar. Të paktën të vlerësohej vetëdorëzimi.
Thatë që jeni i ndërgjegjshëm që keni kryer një vrasje për hakmarrje. Pse zgjodhët qendrën e Durrësit, dhe për më tepër në kulmin e qarkullimit për të bërë një gjë të tillë dhe jo një vend tjetër?
E pashë rastësisht pak orë më parë Ndreun. E ndoqa derisa ai shkoi nga motra dhe pastaj i bëra pritë atje.
Si arritët t’i shpëtonit dhjetëra operacioneve policore për tetë muaj rresht?
Kemi plot shokë e miq. Nuk jemi pa krahë fare. Pavarësisht se kam bërë një krim, për të cilin më shtyu Kanuni, normalisht miqtë më kanë mbetur.
Vrasja e Gjovalin Ndreut ju mbylli përjetë në burg. Si e gjykon këtë krim, tashmë që ndaj teje ka një vendim kapital të formës së prerë?
Unë jam mirditor, pavarësisht se banoj në Durrës. Ne kemi një ligj brenda ligjit. Është Kanuni. Faktikisht ky nuk duhet të ekzistojë, por ja që ekziston. Dhe unë e zbatoj atë. Detyrimisht në Mirditë po vrave do të vrasin.
Familja juaj tashmë jeton në hasmëri me familjen e Ndreut?
Jo, nuk kemi probleme hasmërie. Më ka vrarë babën, i kam vrarë djalin. Me një fjalë jemi një me një dhe për pasojë nuk kemi probleme.
Gjatë kohës që ndodheshit në kërkim, mendohej se ju fshiheshit maleve të vendit të origjinës tënde, të paktën kjo sipas policisë, ndërsa kur u vetëdorëzuat nuk të jepnit këtë përshtypje, pra dukej se kishit jetuar mirë. Mund të na thoni ku jetuat gjatë kësaj kohe?
Në shtëpi kam qëndruar. Normal fare.
Çfarë prisni tani nga drejtësia?
Pres të më rikthejnë çështjen për rigjykim.
Juridikisht rikthimi i gjykimit bëhet vetëm nëse gjenden prova të reja?
Çështja nuk duhet të hapet vetëm në interes të Gjykatës e Prokurorisë, por edhe në interes të të dënuarit. Do e dërgoj dosjen në Strasburg.
Çfarë pret nga gjykatat shqiptare para se ta dërgosh çështjen në Strasburg?
Rikthimin e gjykimit dhe një dënim më të ulët. Nuk morën parasysh asnjë lehtësi. Dua vetëm të dënohem për gjestin, krimin që kam bërë.
Nëse do të vetëdorëzoheshit që në fillim, mendoni se do të kishit përfituar lehtësi?
Do më kishin vrarë fare. Kjo më trembte. Ndaj nuk u vetëdorëzova, se bëra ndërmend të vetëdorëzohesha që në moment. Por nuk kishte drejtësi dhe rregull. Në krye të këtyre fjalëve qëndronin ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Rendit, që jepnin urdhra për eliminimin tim.
Avokati ju dorëzoi te zyra e Drejtorit të Policisë së Durrësit, a ju dhunoi njeri ato momente?
Jo, aspak. Drejtori i Policisë na priti mirë, lajmëroi në Tiranë dhe më morën për të më dërguar në paraburgim. Nuk ushtroi njeri dhunë ndaj meje.
Çfarë ndryshimi ka midis jetës 8-mujore në arrati dhe jetës tashmë në qeli?
Ndryshimi është i madh. Këtu ka rregulla të vendosura nga të tjerët, ndërsa jashtë ka rregulla që i vendos vetë.
Për familjen Malushi, ç’mund të na thoni?
I kam kërkuar dhe i kërkoj falje publike. Nuk më ka pas dhe nuk i kam pasur borxhe. Vrasja e tij ka qenë pa dashjen time. Ka vdekur nga një plumb rikoshet. Edhe Prokuroria këtë duhet të shohë: Faktin që viktima vdiq nga një plumb rikoshet, ndërsa tjetri me 20 plumba. Po të kisha probleme me Malushin, ia ndaja dhjetë njërit e dhjetë tjetrit. Nuk më kushtonte kjo gjë.
E dinit që makinën që qëlluat ju udhëtonin dy persona?
Nuk e dija. Dhe për më tepër nuk e shihja se xhamat ishin të errët. Shto edhe faktin që isha shumë i tronditur, pasi po merrja hak për babanë e vrarë.
Dënimi përjetë për Agim Pepën
Agim Pepa, 43 vjeç, u dënua në 2004-ën me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të Krujës, Gani Malushi dhe shoferit të tij, Gjovalin Ndreu. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Durrësit mesditën e 6 gushtit të vitit 2003, kur Pepa i kishte zënë pritë makinës së policisë që drejtohej nga Gjovalin Ndreu. I ati i Ndreut, Prengë Bardhoku kishte vuajtur një dënim me pak muaj burg për vrasjen e të atit të Pepës, Ndue Shurbi. Kjo ishte zanafilla e hasmërisë midis dy familjeve, e cila do të merrte më vonë komisarin Malushi. Pas atentatit ndaj makinës, Malushi u dërgua i plagosur rëndë në Spitalin Ushtarak ku ndërroi jetë një ditë më pas, ndërsa Pepa u largua duke grabitur një makinë dhe më pas edhe katër të tjera. Qe i pamundur arrestimi i tij derisa ai u vetëdorëzua në polici më 1 prill 2004. f.m.