E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Kryeziut, hetohet për rrëmbim 13 ditë pas ngjarjes

 

TIRANE - Dosja penale për zhdukjen e shqiptarit nga Kosova, Ismet Kryeziu, vlerësohet përfundimisht si rrëmbim personi dhe kalon në Zyrën e Hetimit të Krimeve kundër Lirisë së Personit. Prej ditës së djeshme, pas më tepër se 13 ditë hezitimi nga ana e prokurorisë dhe policisë, zhdukja e Kryeziut po hetohet nga ana e policisë së Tiranës për veprën penale të rrëmbimit të personit. Lajmi është konfirmuar për gazetën “Panorama” nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët kanë pohuar dje se dosja ka ndryshuar destinacion nga seksioni i hetimit të Krimeve dhe Akteve Terroriste, në drejtim të seksionit tjetër për hetimin e krimeve kundër lirisë së personit. Një veprim i tillë është bërë nga policia e kryeqytetit, pas një konsultimi të kryer mes specialistëve të hetimit të Drejtorisë së Tiranës dhe drejtuesve të Prokurorisë së kryeqytetit, të cilën e klasifikuan ngjarjen si “rrëmbim personi”. Në fund këta kanë vendosur të klasifikojnë zhdukjen e njeriut të prezantuar si ish-eksponent i UÇK-së dhe aktivist i saj, si rrëmbim personi. Kjo ka bërë që seksioni i hetimit të Krimeve Kundër Lirisë së Personit të nisë shqyrtimin e dosjes nga e para, e po kështu të gjitha deklarimet e marra pas denoncimit nga bashkëshortja të rimerren. Fillimisht denoncimi i bashkëshortes së tij u depozitua pranë Komisariatit nr. 4, ku edhe u regjistrua si kallëzim penal. Por në atë kohë, policia e këtij komisariati nuk nxitoi t’ia përcillte dosjen seksioneve të hetimit të krimeve në Drejtorinë e Qarkut. Në këtë mënyrë kërkimet dhe hetimet mbi zhdukjen e 54-vjeçarit Ismet Kryeziu u zhvillua nga ky komisariat, me qëllim gjetjen e tij. Një shkak tjetër, sipas burimeve të policisë, që ka ndikuar edhe në mosdelegimin e dosjes në seksionet e posaçme, mësohet se ka qenë këmbëngulja e bashkëshortes së kryeziut, Anila Leli. Kjo e fundit ka këmbëngulur dhe ka pohuar se nuk mund të përcaktonte nëse bashkëshortin e saj mund ta kishin rrëmbyer, marrë peng apo se mund të ishte larguar me dëshirën e tij. Kjo ka bërë që policia të hezitonte për të klasifikuar natyrën e ngjarjes së ndodhur, duke shkaktuar konfuzion për mënyrën se si do të kanalizohej hetimi. Ndërrimi i dorës së hetimit të zhdukjes të Ismet Kryeziut, ka bërë hetuesit të rianalizojnë disa prej deklarimeve dhe disa prej personave të pyetur të rimerren në pyetje. Po kështu mësohet se klasifikimi i ngjarjes si rrëmbim personi është bërë pas mbajtjes në survejim nga Antiterrori të disa personave, që më parë kanë pasur kontakte me Ismet Kryeziun. Hetuesit kanë pohuar se kanë bërë gati një listë me dëshmitarë të rinj, që mendohet se mund të hedhin dritë mbi zhdukjen e Kryeziut. Personat e parë që janë listuar për t’i rimarrë në pyetje policia mësohet se janë bashkëshortja e tij, Anila Leli, vjehrri i Kryeziut, Çerçiz Leli, vjehrra dhe kunata. Bashkëshortja Anila mësohet se është marrë në pyetje nga policia dy net më parë, me qëllim për të dhënë deklarime shtesë në lidhje me zhdukjen e të shoqit. Deklarimet dhe dijenia e saj mbi ngjarjen sipas burimeve të policisë nuk kanë ndryshuar shumë nga thëniet e regjistruara në Komisariatin e Policisë nr. 4, ndërsa sipas policisë nuk kanë pasur ndonjë informacion të ri mbi ngjarjen. Po kështu mësohet se në listën e dëshmitarëve që duhen ripyetur janë edhe një pjesë e miqve dhe të të njohurve të Kryeziut në Tiranë. Mes tyre sipas policisë mësohet se janë tre ish-oficerët shqiptarë që kanë shërbyer në UÇK gjatë periudhës së luftës, Adem Shehu, Dilaver Goxhaj dhe djali i tij, Dritan Goxhaj.                        d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›