E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e gruas, i pandehur mjeku

 

KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

Mjeku që e raportoi si vetëhelmim vdekjen e 26-vjeçares, Fitnete Doçi, një vit më parë në Krujë, merret i pandehur.    Sipas policisë, mjeku i fshatit Tapizë, Laim Bushi akuzohet për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ngjarja për të cilën akuzohet Bushi, tashmë i pushuar nga puna, ka ndodhur në vitin 2007, kur në rrethana misterioze vdiq Fitnete Doçi. Viktima u varros nga familjarët e të shoqit, duke e konsideruar vdekjen e saj si vetëhelmim. Kjo pistë ishte përforcuar pasi edhe mjeku i Tapizës, Laim Bushi, konfirmoi të njëjtin fakt. Por, këmbëngulja e familjarëve të viktimës solli rihapjen e hetimit. Ata denoncuan në polici bashkëshortin e vajzës së tyre, Sefedin Doçi për vrasje. Pas denoncimit, blutë rimorën në pyetje Doçin. Dëshmia e tij kontradiktore solli më shumë dyshime për një vrasje të pastër. Sefedin Doçi u arrestua si i dyshuari kryesor për vrasjen e 26–vjeçares, seancat në ngarkim të të cilit vijojnë edhe sot. Grupi i hetimit zhvarrosi viktimën dhe bashkë me ekspertët e mjekësisë ligjore konstatuan shenja dhune në trup dhe fyt. Kjo vërtetoi dyshimin e familjarëve të saj se ajo nuk ishte vetëhelmuar, ashtu siç pretendoi bashkëshorti i saj, por se ishte vrarë. Pas analizave ligjore, nuk rezultuan shenja helmimi, siç kishte deklaruar edhe mjeku i fshatit Tapizë, Laim Bushi. Hetimet nxorën se Fitnete Doçi ishte vrarë pas një grindjeje me të shoqin një ditë pas ditëlindjes, kur ajo sapo kishte mbushur 26 vjeçe. Ajo ka lënë jetime dy vajza, njëra 8 dhe tjetra 4 vjeçe. Prokurorja e rrethit të Krujës, Sonila Domi e ka dërguar dosjen në ngarkim të mjekut në gjykatë. Bushi do të gjykohet në gjendje të lirë. Seanca e parë ndaj tij, e zhvilluar ditën e djeshme, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes, pasi nuk ishte njohur me dosjen hetimore të klientit të tij. Në këto kushte, gjyqtarja pranoi kërkesën e mbrojtjes, duke lënë një datë tjetër për seancën e radhës në ngarkim të mjekut.

I dyshuari mohon vrasjen e Anglisë

SHKODER - Tetë vjet pas vrasjes së Florian Ndojës në Britaninë e Madhe, një nga të dyshuarit për autorësinë e kësaj ngjarjeje, Taulant Çefa mohoi dje në sallën e gjyqit të ketë gisht në këtë krim. Vëllai i tij, Pjerin Çefa, u kthye në Shqipëri pas krimit të kryer më 26 tetor 2000. Ai u shpall fajtor, por për shkak të gjendjes shëndetësore, ndodhet në një spital neuro-psikiatrik.  Pesë muaj pas arrestimit nga policia e Shkodrës, Taulant Çefa sqaroi dyshimin e policisë për shenjat e tij të gjetura në trupin e viktimës. Sipas tij, kur ai kishte shkuar në banesë, e kishte gjetur të vrarë Ndojën. Ai e kishte marrë trupin duke e transportuar gjer te shkallët e shtëpisë ku ata banonin. Më pas, kishte ndihmuar të vëllain të largohej nga Londra, në mënyrë që t’i shpëtonte arrestimit. Duket se policia e Birmingamit dhe ajo e Shkodrës kanë fakte të reja, sipas të cilave, i implikuar në këtë ngjarje është edhe vëllai tjetër, Taulant Çefa.                           r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›