Vrasje e dyfishtë për pronën e ullinjve
Dashamir Biçaku
Hoxha i fshatit Sauk vret bashkëshorten dhe fqinjin pas grindjes për pronësinë e disa rrënjëve me ullinj.
Halim Shehu, 70 vjeç, banues në Sauk të Poshtëm në zonën e ullishtës së kësaj zone, ka qëlluar me pistoletë “TT” dje në mbrëmje rreth orës 18:50, fillimisht komshiun e tij Bexhet Xhabrahimi, rreth 60 vjeç si dhe më pas bashkëshorten Fatime Shehu, 67-vjeçare. Shkak për ngjarjen, sipas burimeve të policisë, mësohet se ka qenë një sipërfaqe ullinjsh që ishte marrë në shfrytëzim nga autori i krimit të dyfishtë që, sipas të afërmve të tij, ishte edhe hoxhë i zonës. Viktima Bexhet Xhabrahimi, që pretendonte edhe ai pronësinë e ullinjve, kërkonte që Halim Shehu të mos i shfrytëzonte më ullinjtë, por t’i vilte vetë këtë vit, ndryshe nga vitet e shkuara. Konflikti që kishte disa javë që ziente mes dy fqinjëve, ka marrë fund dje në mënyrë dramatike me dy të vrarë, ndërsa autori i krimit është vetëdorëzuar te forcat e policisë. Uniformat blu ishin njoftuar më parë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Sauk dhe menjëherë janë nisur në drejtim të zonës.
Vrasja e dyfishtë
Krimi i dyfishtë, sipas burimeve të policisë, ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:50, kur Halim Shehu dhe fqinji i tij po diskutonin për një pjesë ullishteje që ishte marrë në shfrytëzim nga familja e autorit të vrasjeve. Më parë autori i krimit, 70-vjeçari Halim Shehu, i njohur si hoxhë i një pjese të fshatit të Saukut, e kishte ftuar viktimën Bexhet Xhabrahimi për të pirë një kafe në shtëpinë e tij. Kjo me qëllim për të biseduar për problemin e vjeljes dhe të shfrytëzimit të disa rrënjëve ullinj që ndodheshin pranë banesave të tyre. Por sapo Bexhet Xhabrahimi është afruar në derën e shtëpisë së Halim Shehut, ky i fundit ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të fqinjit. Sipas burimeve policisë, viktima pësoi tri plagë të rënda në kokë dhe në trup, të cilat i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Ndërkaq fare pranë tyre ka qenë bashkëshortja e Halim Shehut, Fatimja, e cila i ka folur të shoqit që të mos qëllonte me armë, ndërsa ka ngritur duart lart për ta ndalur. Por në vend që të ulte armën, 70-vjeçari ka qëlluar edhe në drejtim të bashkëshortes, duke e goditur një herë në kokë dhe i shkaktuar sakaq vdekjen e menjëhershme.
Vetëdorëzimi
Më pas autori i ngjarjes ka lajmëruar policinë dhe është nisur për t’u dorëzuar në komisariat. Blutë e Komisariatit nr. 1 kanë ndaluar autorin e krimit të dyfishtë dhe më pas kanë bllokuar armën e krimit. I dyshuari për vrasjen është dërguar në ambientet e policisë për t’u marrë në pyetje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka administruar të paktën 4 gëzhoja, që mendohet se janë qitur nga arma pistoletë e tipit “TT” e vënë në përdorim nga 70-vjeçari, i akuzuar për ngjarjen. Pas veprimeve të kryera në vendin e krimit, trupat e viktimave janë përcjellë me dy ambulanca për në morgun e Tiranës, për të kryer autopsinë. Ndërkaq vetë autori i ngjarjes ka pranuar para hetuesve të policisë së kryeqytetit dhe prokurorisë se e kishte kryer vrasjen, pasi komshiu i tij Bexhet Xhabrahimi donte t’i merrte ullinjtë, për të cilët ai ishte munduar dhe se kishte investuar për ta. Deklarimi i të arrestuarit ka ndihmuar policinë për të krijuar një version mbi ngjarjen, ndërsa motivi për ta është më se i qartë, vrasje për motive pronësie.
Policia siguron banesën e autorit
TIRANE - Pasi policia ka përfunduar kryerjen e veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, një furgon i grupit të gatshëm i policisë së Komisariatit nr. 1, ka qëndruar pranë banesës së autorit të ngjarjes së rëndë. Kjo me qëllim parandalimin e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga ana e të afërmve të familjes Xhabrahimi. Madje, deri vonë në mbrëmje, policia nuk ka lejuar lëvizjen e familjarëve të autorit nga banesa për shkak se gjakrat mund të ishin ende të nxehtë. Shërbime të përforcuara të policisë kanë qëndruar gjatë natës duke patrulluar në të gjithë zonën, ndërsa oficerët dhe agjentët e krimeve kanë verifikuar për dëshmitarë të ngjarjes dhe persona me dijeni, të cilët janë marrë në pyetje në vendin e ngjarjes, apo edhe në ambientet e policisë dhe më pas janë lënë të lirë.