E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-Gjashta, nis sot procesi në gjykatë

 

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda fillon sot procesin gjyqësor për personat e akuzuar si autorë të ngjarjes së njohur si masakra e “Qafë-Gjashtës”. Sipas orarit të bërë publik nga siti zyrtar i Krimeve të Rënda, do të jetë ora 09:00 kur në bankën e të akuzuarve do të ulen 10 të pandehur, ndërsa trupi gjykues do të kryesohet nga gjyqtari Fran Prendi. Në procesin gjyqësor ndaj personave mbi të cilët rëndon sulmi me armë mbi 4 efektivë policie në mars të vitit 1997, njëri nga të cilët u vra dhe u dogj, ndërsa tjetri u mor peng dhe u torturua do të pyeten rreth 60 dëshmitarë. Të akuzuarit e kësaj ngjarjeje janë Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel (Flamur ose Vladimir Këndezi), Aleksandër Bala dhe Riston Llapa. Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë për Krimet e Rënda pohohet se përplasja mes policisë dhe grupit të armatosur ka ndodhur në 4 mars të vitit 1997. Sipas Prokurorisë, efektivët e policisë së Vlorës Gjergj Mehmeti, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj kanë shkuar në Sarandë për të rivënë në funksionim komisariatin e policisë së këtij qyteti, ndërsa në kthim janë qëlluar me armë nga të pandehurit. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë dhe është djegur më pas Mehmeti, ndërsa është mbajtur peng dhe keqtrajtuar Aliaj.                           ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›