E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Bashës: Prokuroria po përdoret si mashë politike

 

Avokati i ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, e konsideroi dje si një abuzim me pushtetin ligjor veprimin e Prokurorisë për ngritjen e akuzës dhe marrjen të pandehur për ish-kreun e Ministrisë së Transporteve.  Sipas avokatit Zef Nika, Prokuroria po kërkon ta marrë në pyetje Lulzim Bashën kur Gjykata e Tiranës me vendimin e saj të datës 18 nëntor 2008 e ka ndaluar një gjë të tillë, duke paralajmëruar se edhe nëse do të kryhet nga Prokuroria, do të jetë një veprim i paligjshëm. Më poshtë publikohet reagimi i plotë i avokatit. Sot më datë 24 nëntor 2008 unë Avokat Zef Nikaj, u njoha nëpërmjet klientit tim z. Lulzim Basha me një shkresë të datës 24 nëntor 2008 të nënshkruar nga Prokurori i Përgjithshem i Republikës Znj. Ina Rama bashkëlidhur së cilës gjendej fletëthirrje po e datës 24 nëntor 2008 nënshkruar nga prokurori Arben Kraja. Sipas fletëthirrjes njoftohet klienti im z. Lulzim Basha të paraqitet në datën 27 nëntor 2008 në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo paraqitje sipas fletëthirrjes duhet të bëhet për t’u njohur me Aktin e Njoftimit të Akuzës dhe për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit. Këto dy shkresa si avokat mbrojtës i vlerësoj si shkelje flagrante të ligjit për këto arsye:
1. Me Vendim të datës 18 nëntor 2008 Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë ka vendosur të pranojë kërkesën për anulim të vendimit për zgjatjen e afatit të hetimeve për procedimin penal nr. 1 të vitit 2007. Sipas këtij vendimi, i marrë në bazë të nenit 325 të Kodit të Procedurës Penale, dhe bazuar në nenin 325 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale... “hetimet nuk mund të vazhdojnë…”. Pra, pas datës  06-11-2008 nuk mund të kryhet asnjë veprim hetimor për llogari të kësaj çështjeje, përndryshe çdo veprim është absolutisht i pavlefshëm dhe i papërdorshëm.
2. Eshtë shkelur neni 34 i Kodit të Procedurës Penale në pikën 1 të tij sipas të cilit, në rastet kur bëhet një njoftim i tillë, së bashku me aktin e letërthirrjes, duhet të të behet e ditur edhe akti i akuzës konkrete, në të cilin duhet të tregohen..”të dhëna të mjaftueshme për marrjen si të pandehur”. Pra duhet të tregohen prova dhe fakte në ngarkim të personit të cilit duhet t’i atribuohet akuza dhe të tregohet dispozita penale konkrete, me qëllim për të vendosur të pandehurin në kushtet e mbrojtjes ligjore. Kjo letërthirrje nuk është shoqëruar me asnjë dokument të tillë çka përbën një shkelje të rëndë ligjore.
3. Në përmbajtjen e letërthirrjes klientit tim i kërkohet që:
a. Të paraqitet në prokurori në datë 27/11/2008 ora 14, si dhe
b. Kërkohet të pyetet në cilësinë e të pandehurit.
Të dyja këto kërkesa të Prokurorisë së Përgjithshme si organ që hetoi çështjen konkrete janë shkelje ligjore, sepse, klienti im në cilësinë e personit nën hetim nuk mund të detyrohet të paraqitet në prokurori, për të kryer ndonjë veprim procedural, përveçse kur ai e sheh të arsyeshme, që me dëshirë të kryejë diçka të tillë.
Po kështu edhe kërkesa  e prokurorisë për të realizuar pyetjen e klientit tim në cilësinë e të pandehurit është tërësisht në shkelje flagrante ligjore sepse ky është një veprim i pastër dhe klasik hetimor, i cili i ndalohet prokurorisë sipas Vendimit të datës 18 nëntor 2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.
4. Letërthirrja që i është komunikuar klientit tim mbart edhe një shkelje ligjore tjetër të rëndë, pasi sipas nenit 34 të Kodit të procedurës penale, një njoftim i një akuzë eventuale duhet domosdoshmërish t’i komunikohej edhe mbrojtësit të tij, me qëllim garantimin e se drejtës së mbrojtjes. Në këtë rast unë si avokat mbrojtës nuk kam marre asnjë njoftim zyrtar.
Të gjitha këto akte dhe veprime procedurale janë absolutisht të pavlefshme në kuptim të nenit 128 dhe të papërdorshme në bazë të nenit 151 pika 4 të Kodit të Procedurës Penale.
Në thelb këto veprime në tërësinë e tyre tregojnë abuzim me pushtetin ligjor nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme si dhe shkelje të dispozitave të Kushtetutës së Shqipërisë që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat dhe liritë e individit për një proces të rregullt ligjor.
Shpërfillja flagrante e detyrimeve ligjore dhe e vendimit të Gjykatës demonstron qartë prapavijën e pastër dhe prapaskenat politike të trajtimit të kësaj çështje dhe përdorimin si një mashë politike të Prokurorisë së Përgjithshme.
Për të gjitha këto veprime arbitrare në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin dhe Kushtetutën do të ndjekim rrugën ligjore nga ana jonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›