Ministri Lulzim Basha merret i pandehur
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgjithshme ngriti dje akuzë për “shpërdorim detyre” ndaj ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, duke iu referuar veprimeve të tij në kohën kur ka qenë ministër i Transporteve. Pas më tepër se një viti hetimesh të zhvilluara për rolin e tij në prokurimin dhe tenderimin e rrugës Durrës-Kukës, Lulzim Basha është marrë i pandehur për akuzën “shpërdorim detyre”. Shkresa e firmosur nga prokurori i çështjes “Durrës-Kukës” Arben Kraja ka mbërritur dje në zyrën e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Në fletëthirrjen e Prokurorisë, ministrit i kërkohet të paraqitet në datë 27 nëntor, ora 11:00 në Prokurorinë e Përgjithshme për t’i komunikuar statusin e tij si i pandehur dhe për t’u marrë në pyetje për llogari të hetimeve të dosjes “Durrës-Kukës”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave vendimi për ngritjen e akuzës “shpërdorim detyre” ndaj Lulzim Bashës për kohën kur ai ka qenë ministër i Transporteve, është marrë mesditën e djeshme. Në këtë kohë, prokurori i çështjes zhvilloi një konsultë me kryeprokuroren Ina Rama, të cilën e informoi për vendimin e tij dhe argumentet në të cilat ai është bazuar në akuzën e ngritur ndaj ministrit Basha. Më pas, prokurori Arben Kraja ka hartuar letërthirrjen e dërguar Lulzim Bashës, ku i kërkohet atij që të paraqitet si i pandehur dhe për t’u marrë në pyetje.
Enigmat e vendimit
Në pikën nr.2 të fletëthirrjes që Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi dje Lulzim Bashës, atij i kërkohet të paraqitet për t’u marrë në pyetje si i pandehur. Marrja në pyetje është një veprim hetimor, ndërsa edhe vetë deklarimet e dhëna konsiderohen si prova penale të administruara në dosje. Pikërisht ky artikulim i Prokurorisë, duket se bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Tiranës të datës 18 nëntor 2008. Ky vendim u mor nga Kjykata e Tiranës pas ankimit, që bënë para saj Armand Teliti dhe Andi Toma, dy nga të pandehurit e dosjes “Durrës-Kukës” në të cilën hetohej edhe ministri Basha. Ata kërkuan shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë të datës 6 nëntor 2008, për shtyrjen e afatit të hetimeve deri më 6 dhjetor 2008. Në vendimin e gjykatës të firmosur nga gjyqtari Sokol Tona, thuhej se hetimi për dosjen konsiderohej i mbyllur dhe se çdo veprim hetimor apo provë e administruar në fashikull pas datës 6 nëntor 2008, konsiderohet e pavlefshme. Ky vendim i Gjykatës së Tiranës u ankimua në Apel nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa Shkalla e Dytë e gjyqësorit nuk është shprehur ende. Megjithatë në shkresën e saj dërguar Lulzim Bashës, Prokuroria është shprehur dje se do të kryejë veprime hetimore, konkretisht marrjen në pyetje të ministrit në cilësinë e të pandehurit. Një vendim i Kolegjeve të Bashkuara për një rast të ngjashëm, ka përcaktuar se Prokuroria mund të ngrejë akuzë dhe të dërgojë dosjen në gjykatë, por jo të zhvillojë hetime pas vendimit të gjykatës. Dosja penale në të cilën akuzohet Basha, u hap më 9 mars 2007. Sipas ekspertizës, vlera totale e investimit në rrugën Durrës-Kukës është 1 miliard e 23 milion euro. Specialistët e kanë llogaritur se dëmi ekonomik i shkaktuar kap shifrën 230 milionë euro.
Shpërdorimi, Toma bashkë me ministrin
TIRANE - Ish-drejtori i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Transporteve Andi Toma, i pandehur deri dje me Armand Telitin dhe Lejlja Saraçin, akuzohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me ministrin Lulzim Basha. Në formulimin e akuzës ndaj ish-zyrtarit të Ministrisë së Transporteve Andi Toma, Prokuroria është shprehur se ai ka bashkëpunuar me ministrin e Transporteve në kryerjen e veprimeve për të cilat u ngrit akuzë penale. Por vetë Andi Toma gjatë dëshmisë së tij në Prokurori është shprehur se projekt-vendimet për rrugën Durrës-Kukës janë hartuar nga Drejtoria e Rrugëve.
Prokuroria pushon akuzën për Armand Telitin dhe Lejla Saraçin
TIRANE - Gati dy vite pasi hapi hetimet për rrugën Durrës-Kukës, Prokuroria shqiptare mori dje një vendim surprizë në prag të përfundimit të afateve procedurale të dosjes. Prokurori i çështjes Arben Kraja, firmosi vendimin për pushimin e akuzës “shpërdorim detyre”, për dy nga tre zyrtarët e pandehur deri më tani, ish-zv.ministrin e Transporteve Armand Teliti dhe drejtoreshën e Përgjithshme të Rrugëve, Lejla Saraçi. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe nga vetë grupi hetimor i çështjes. “U vendos pushimi i akuzës për të pandehurit Armand Teliti dhe Lejla Saraçi për shkak të mungesës së provave”, konfirmuan burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Vendimi për ngritjen e akuzës ndaj tyre u mor nga Prokuroria e Tiranës më tepër se një vit më parë. Gjatë verifikimeve të bëra nga Prokuroria e kryeqytetit hetuesit gjetën fakte që sipas tyre implikonin sh-zv/ministrin e Transporteve Armand Teliti dhe drejtoreshën e Rrugëve Lejla Saraçi, në shkeljet e gjetura në prokurimin, tenderimin dhe përcaktimin e firmës supervizore të rrugës Durrës-Kukës. Sipas hetimeve të atëhershme të Prokurorisë, Teliti dhe Saraçi kishin hedhur firmat ne projektvendimet që kaluan më pas në zyrën e ministrit të Transporteve në atë kohë, Lulzim Basha, i cili më pas i përcolli projektvendimet në Qeveri për t’i kthyer në VKM. Por krejt i ndryshëm është tashmë qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme ndaj ish-zv/ministrit të Transporteve Armand Teliti, që aktualisht mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile dhe Lejla Saraçit. Në mënyrë zyrtare, Prokuroria tha se nuk ka prova ndaj tyre dhe se për këtë shkak ka vendosur pushimin e akuzës më tepër se një vit e gjysmë pas artikulimit të saj në Prokurorinë e Tiranës, e cila e kaloi dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme për shkak të hetimeve të nevojshme ndaj Lulzim Bashës, i cili mbante imunitet parlamentar dhe duhej hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme. tr.so
Deklarata e Ina Ramës: Gjykata na bllokoi, nuk hetojmë më
TIRANE – Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi pak ditë më parë se Prokuroria nuk mund të bënte asnjë veprim hetimor për çështjen Durrës-Kukës, për shkak të vendimit të Gjykatës së Tiranës, që konsideroi të pavlefshme shtyrjen e hetimeve deri më 6 dhjetor dhe i cilësoi të pavlefshme veprimet hetimore të bëra pas datës 9 nëntor 2008. Në deklarimin e saj, Prokuroria e Përgjithshme tha se vendimi i gjykatës “na bllokoi”, për shkak se organi i akuzës në zbatim të atij vendimi, nuk mund të bënte asnjë veprim hetimor dhe nuk mund të administronte në dosje asnjë provë të re pas datës 6 nëntor 2008. Drejtuesja e akuzës shqiptare deklaroi gjithashtu, se Prokuroria e ka ankimuar vendimin në fjalë në Gjykatën e Apelit.
Basha sot në Bruksel, me Shefer e Rehn
Sa herë që Ministri i Jashtëm ka ndonjë lëvizje të rëndësishme diplomatike, e ndjek nga pas një “goditje” nga Prokuroria e Përgjithshme. Ironia e fatit duket se është përsëritur. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha do të zhvillojë sot një takim zyrtar në Bruksel, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Fillimisht, në orën 10.45, ministri ynë i Jashtëm do të takohet me zyrtarin e lartë të NATO-s, me të cilin pritet të diskutojë reformat e ndërmarra nga qeveria dhe procesi i ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO nga vendet e Aleancës. Kur kanë ngelur edhe 5 muaj nga samiti i radhës i NATO-s, e kanë ratifikuar protokollin 9 vende, mes të cilave edhe SHBA-ja. Ndërkohë kreu i diplomacisë sonë do të takohet edhe me zyrtarin e lartë të Bashkimit Evropian, Oli Rehn.
Braçe-Olldashi debate për punimet e Rrëshen-Kalimash
Deputeti socialist Erjon Braçe, ka debatuar me ministrin e Transportit, Sokol Olldashi në lidhje me rrugën Durrës-Kukës. Në seancën e mbrëmshme parlamentare Braçe deklaroi se qeveria ka realizuar një superabuzim me rrugën Durrës-Kukës. Sipas tij, në buxhetin e vitit 2009, 80% e parave që do të shkojnë për rrugët, janë planifikuar të jenë vetëm për rrugën Rrëshen-Kalimash. Braçe theksoi se vetëm abuzimi me rritjen e çmimeve për gërmimin e rrugës Rrëshen–Kalimash është 232 milionë euro dhe këto para do të mjaftonin të ndërtoheshin 15 mijë e 900 apartamente. “Për vitin 2009, Sali Berisha ka vendosur të financojë për rrugët, 33.4 mld lek nga 36.8 mld lek kosto, ose 91 % të gjithë parave të rrugëve, do të financohen për segmentin Milot-Morinë. 31.3 mld ose 80 % të gjithë parave që do të hidhen për rrugën, do të shkojnë për 56 km të Rrëshen-Kalimash. Për gjithë Shqipërinë tjetër ka vetëm 5.5 mld lekë. Vetëm për muajin tetor në këtë segment janë paguar gati 8 mld lekë, ose 65 mln euro, ose sa buxheti i 550 mijë pensionistëve për një muaj e gjysmë”, deklaroi Braçe. Ndërsa ministri Olldashi është kundërpërgjigjur se “rruga po ndërtohet dhe se socialistët të mos maten me krahasime pallatesh se do të dalin keq pastaj”. Por Braçe ka replikuar duke theksuar se “është i gatshëm që me këto dokumente të publikuara nga vetë qeveria të ballafaqohet në Prokurori me ministrin Olldashi”. Ndërsa ministri i Transportit ka shtuar se “është i gatshëm që t’i verë Braçes në dispozicion të gjithë ekspertët e drejtorisë dhe të kryejë matjet e rrugës Rrëshen-Kalimash”.