E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Popa: Ramiz Alia u përzu nga mbledhja që vendosi murin e Berlinit

Quhet Agim Popa personi i cili të befason me dëshmitë që mbart në vetvete. Veç shumë delegacioneve të nivelit të lartë që kanë ardhur për vizita zyrtare në vendin tonë në kohën e qeverisjes komuniste, ai ka përkthyer edhe vetë Enver Hoxhën apo Mehmet Shehun madje në momente tepër kritike të historisë së Shqipërisë së atyre viteve, si dhe shumë udhëheqës të tjerë të lartë të asaj kohe. Por, të veçantën te personi i tij e gjejmë se pikërisht ai ka përkthyer liderin e ish - Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovit gjatë ditëve që ai bëri vizitën e famshme në Shqipëri ashtu siç ka qenë njëri prej tre përkthyesve të Enver Hoxhës në mbledhjen e 81 Partive në nëntorin e vitit 1960 në Moskë. Ndërsa Agim Popën e shohim edhe në përbërjen e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Ramiz Alia i cili në gushtin e vitit 1961 u nis për në mbledhjen më të veçantë të kohës ku do të vendosej për murin e Berlinit. Por, çfarë ka ndodhur në të vërtetë në atë takim të jashtëzakonshëm në atë gusht kur diskutohej nga krerët e shteteve komuniste copëtimi i Berlinit nëpërmjet murit famëkeq?
* Në këtë mënyrë, Agim Popa hedh dritë mbi ngjarjen më ogurzezë të ndodhur më 9 gusht të vitit '61 kur burrat më të fuqishëm të politikës komuniste u mblodhën në Moskë për të vendosur për murin famëkeq të Berlinit.
* Alarmi i Hrushovit, kur mësoi se në mbledhjen që ai kishte kërkuar për ndërjen e shëmtuar të Gjermanisë, Enver Hoxha kishte dërguar për tu përfaqësuar nga Ramiz Alia.
Grindja vulgare dhe irritimi i Hrushovit me Ramiz Alinë të cilit i deklaroi se nuk e njihte si përfaqësues të Shqipërisë.
* Urdhëri që u dha në sallën e mbledhjes ku vendosej fati i Berlinit që delegacioni shqiptar me Ramiz Alinë të mos lejohej të hynte në punime .
* Idiotësitë e ndodhura mes burrave të shquar të globit
të cilët kur panë insistimin për të hyrë në sallën famëkeqe,
dolën masivisht në barin e hotelit.
* Ecejaket fëminore të tyre nëpër labirinthet e korridoreve për të vrojtuar vjedhurazi vetlargimin e Ramiz Alisë.
* Për se u detyruan liderët e shteteve komuniste që nëpërmjet kamerierëve të shërbimit të gënjenin Ramiz Alinë i cili nuk lëvizte nga bari i hollit të sallës së punimeve, se mbledhja e shumëpritur ishte anuluar.
* Çfarë ndodhi në momentin kur Alia i mashtruar hipi në avionin e kthimit për Tiranë dhe çastet e pabesueshme kur mësoi për vendimin menjëhershëm të Hrushovit, për copëtimin tragjik të Berlinit.

(Vijon nga numri i djeshëm)

Profesor Popa. E lamë intervistën e numrit të kaluar pikërisht në situatën e krijuar në mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore në Moskë. Mund të kujtojmë sadopak për të vijuar me atë çka ka ndodhur në ato ditë të jashtëzakonshme për vendin tonë i cili po divorcohej me aleatin historik ku kishte mbështetur shpresën e ndihmës ekonomike qysh prej çlirimit të vendit?
Së pari dua të rikujtoj edhe një herë momentet kur unë krijova një bindje te Mehmet Shehu si njohës i mirë i rusishtes. Këtë e them se mendoj se ishte pikërisht kjo bindje që ai krijoi që më dha mundësinë që të ndodhesha si përkthyes në shumë momente të rëndësishme të delegacioneve tona siç ishte rasti i vizitës së Mehmet Shehut në OKB apo ai i mbledhjes që po zbardhim që ishte pikërisht ajo e nëntorit të vitit 1960 në Moskë. Së pari, Mehmeti më miratoi gjatë përkthimit kur u diskutua emri "Jagodi" dhe jo "Jagëti" siç e kishit përmendur në intervistat e para. Po ashtu ishin emrat "kllubnjika" dhe jo "kujkua".
Po ashtu në përgjigje të pyetjes suaj po rregulloj saktësisht frazimin që duhet të citohet pasi takimi nuk kishte të bënte me parti marksiste - leniniste, por me Parti Komuniste.
Por edhe shumë dëshmi të sjella në intervistat e kaluara kryesisht që kishin të bënin me mjekët e Enver Hoxhës, gjej momentin të saktësoj edhe një detaj shumë të veçantë por që ka rëndësi të madhe për saktësi të opinionit. Ato fakte unë i kam dëshmi të sakta të kushëririt tim të parë Ylli Popës pasi ai nuk është vëllai im por kushëriri. E që të mos e zgjasim në disa saktësi të tilla të cilat janë të nevojshme për të mos disinformuar opinionin për vetë rolin që luan historia po përsëris edhe një herë se ishte data 16 nëntor kur Enveri e mbajti fjalimin e tij që u cilësua nga më të veçantët në atë takim. Pas fjalimit të tij filluan sulmet.
Dhe kush ishte më i zellshëm në sulmet ndaj delegacionit shqiptar?
E para ka qenë Dolores Ibaluri apo siç e quanin Apasionarja e cila ishte e Partisë Komuniste të Spanjës. Ajo ishte më agresivja dhe më e papajtueshmja me Enver Hoxhën. Pas saj vinte Moris Torez e Partisë Komuniste të Francës, Haled Bagdash e Partisë Komuniste të Sirisë por që çuditërisht banonte në Moskë. Gomulla i Partisë Komuniste të Polonisë e të tjerët me radhë, por që këta ishin më të spikaturit.
Pastaj ndodhën ngjarjet e njohura që ne i përmendëm edhe nga numri i kaluar që delegacioni shqiptar iku nga Moska duke braktisur fare mbledhjen. Fillimisht, Enver Hoxha u largua nga vila ku ishim vendosur pasi e panë që kishte në çdo vend. Aty ka një moment tjetër interesant se Mehmet Shehu para se të iknim nga vila dhe të vendoseshim në ambasadë ka bërë një të sharë me forcë duke e ditur se do ta dëgjonin ata "lart" por që sigurisht nuk do të guxonin të deklaronin se kishin vënë përgjues. Kështu ikëm në ambasadë.
Pas kësaj është larguar Enver Hoxha?
Jo. Ka ndenjur dhe dy tre ditë pastaj u largua me Mehmet Shehun që ju tashmë nuk mendoj se nuk e dini se është një histori e përmendur kushedi sa herë. Është pikërisht ngjarja që ai ka ikur me tren për t'ju shmangur ndonjë rreziku që mund t'i ndodhte nga ajri. Por, që në mbledhje ka vijuar të rrinte Hysni Kapo për të firmosur rezolutën e saj në fund. Sigurisht edhe unë do të isha pjesë e delegacionit që do të rrinte në mbledhje.
Siç dihet dhe sa doli dhe nga dëshmia juaj ajo çarje apo përplasje e Enver Hoxhës me Hrushovin ka ndodhur kryesisht për problemin kinez. Nga kush përbëhej saktësisht delegacioni kinez në atë takim e mbani mend?
Delegacioni kinez kryesohej nga Lu Shao Ci, por që ai nuk foli asnjëherë por foli vetëm Ten Hsiao Pini.
Kush ishte Lu Shao Ci?
Ishte zëvendës Kryetar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.
Pra zëvendësi i Kryetarit Mao?
Po.
Po Ten Hsiao Pini çfarë ishte në atë kohë?
Ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë. Me këtë ka një episode të bukur.
Çfarë episodi?
Por ai mbante me vete një shkop bambuje dhe dukej sikur çalonte. Në fakt kishte ndrydhur pak këmbën duke lozur nga këto lojërat me dorë, por që kishte ndodhur që kishte ndrydhur paksa këmbën. Kështu nuk e ndante atë bambujën nga dora. Delegacioni kinez bëri edhe një vizitë ku ishte vendosur delegacioni jonë. Dhe kur e pa me atë shkop Enver Hoxha i tha:
- Shoku Ten, kushedi sa do të jetë trembur Hrushovi nga shkopi yt.
Teni e mori shkopin në dorë dhe duke e lëkundur ja nisi të përgjigjej po me humor duke thënë:
- Çudi kështu më tha edhe shoku Hrushov kur e takova në hollin e mbledhjes. Më tha që "kam frik nga shkopi yt" dhe unë ja ktheva " Jo shoku Hrushov, shkopi im nuk të vret, ky është i lehtë, është prej bambuje. Ky është bota ime pa armë". Kuptohet e kishte fjalën te pretendimet dhe deklaratat e Hrushovit te bota pa armë etj. Kështu kaloi me humor ajo batutë e Ten Hsiao Pinit.
Zoti Agim. Ndërsa folëm për shumë fenomene dhe ngjarje të ndodhura në periudhën e Shqipërisë komuniste kur ju keni qenë në një pozicion goxha të spikatur siç ishte ai i drejtimit të sektorit të jashtëm të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. E ndërsa temat e bisedës sonë të gjatë kanë kaluar sa në një drejtim në një tjetër ku ju keni pasur fatin të jeni dëshmitar okular gjë që na keni dhënë mundësinë të hedhim dritë mbi shumë të panjohura të ndodhura deri më tash, pikërisht sot do të dëshiroja të ndaleshin në një tjetër dëshmi e cila ka po aq rëndësi sa ç'kanë pasur ato që keni shoqëruar Mehmet Shehun për në Nju Jork apo të keni qenë një ndër përkthyesit e delegacionit shqiptar në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë. Dëshmia e sotme të cilën do të dëshiroja të ma përshkruanit me hollësi të veçantë ka të bëjë me atë të pjesëmarrjes së delegacionit shqiptar në mbledhjen e partive komuniste në Moskë ku është diskutuar pikërisht për çështjen e Gjermanisë.
Është e vërtetë që unë kam qenë edhe në atë takim. Kam qenë si përkthyes i delegacionit shqiptar të kryesuar nga Ramiz Alia.
Më flisni ju lutem më hollësisht?
Saktësisht flitet për takimin e Moskës së 9 Gushtit të vitit 1961 i cili siç edhe e shprehët juve ka qenë për çështjen gjermane. Ajo ka qenë ndërkohë dhe lëvizja ime e fundit në Bashkimin Sovjetik ku isha pikërisht në përbërje të grupit të punës me delegacionin e PPSh-së të kryesuar siç jua theksova edhe pak më parë nga Ramiz Alia. Ai siç ju thashë shkoi në Moskë për të marrë pjesë në mbledhjen e sekretarëve të partive komuniste e punëtore të vendeve socialiste të Evropës për problemin gjerman.
Ku e kishte zanafillën ky problem të cilën ju e etiketokeni "Problemi Gjerman".
Ai lidhej me çështjen e eksodit masiv të shumë gjermanëve lindorë për në Republikën Federale gjermane përmes Berlinit Perëndimor. Prandaj edhe në atë takim të përbërë nga pjesëmarrësit e mësipërcituar morën pikërisht vendimin ogurzi për të ndërtuar murin famëkeq të Berlinit apo siç u njoh botërisht "Muri i Berlinit" i cili sundoi hijerëndë për më se 30 vjet derisa u shemb. Pikërisht në atë mbledhje është dhe incidenti më i dukshëm me përfaqësuesit e partisë sonë që ishte Ramiz Alia.
Pse?
Jemi në kohën që kanë ndodhur çarjet e mëdha me Bashkimin Sovjetik. Ki parasysh se flitet për një mbledhje të datës 9 gusht të vitit 1961 ku deri në atë ditë kishin ndodhur shumë ngjarje mes dy vendeve tona të cilat nuk dua të t'i përsëris më tej pasi tashmë janë të njohura dhe të përsëritura në intervistat e numrave të kaluar. Por, që incidentet filluan që tek pretendimet e palës sovjetike dhe kryesisht të Hrushovit kur panë se në krye të delegacionit shqiptar ishte Ramiz Alia.
Përse?
Sepse ata pretendonin nga ana juridike se manifestimi i qëndrimit të delegacionit të PPSh-së në atë takim, si jo kompetent, sepse nuk kryesohej as nga sekretari i Parë as nga Kryeministri i Shqipërisë.
Ku zhvillohej takimi?
Takimi zhvillohej pikërisht në sallën "Gjeorgjevskja" aty ku ishte zhvilluar takimi i rëndësishëm i një viti më parë i 81 partive komuniste. Ndërsa vendosja e delegacionit tonë u bë në hotelin e njohur "Moska" të ndodhur jo shumë larg sallës ku do të zhvilloheshin punimet e takimit që po flasim.
Kush ka ngulur më shumë këmbë për këtë fakt veç Nikita Hrushovit, pasi ka jo pak rëndësi kjo gjë?
Ka insistuar sidomos ullbrihti i Gjermanisë lindore, Zhivkovi i Bullgarisë si dhe Nikita Hrushovi.
Dhe reagimi?
Pas kësaj u vu re kundërshtimi i vendosur i Ramiz Alisë se ai ishte ngarkuar pikërisht nga Partia e Punës së Shqipërisë të përfaqësonte dhe ishte i autorizuar të merrte në emër të saj të gjitha përgjegjësitë për çështjen që do të diskutohej e vendosej nga ai takim.
Por këmbëngulja e tyre ishte e çuditshme ashtu si edhe Ramiz Alia nuk lëshonte pe. Pas kësaj kur panë se delegacioni shqiptar ishte i vendosur të përfaqësonte partinë dhe vendin e vet në atë takim u bë një gjest jo vetëm i çuditshëm, por edhe shumë qesharak.
Çfarë gjesti?
Bënë menjëherë ndërprerjen e punës me qëllimin e pushimit dhe dolën në bufenë e hollit ku zhvillohej takimi. Këtë e bënë për të pritur që të largohej delegacioni i Partisë së Punës së Shqipërisë. Këtu është një fenomen që duhet të përmendet pasi ata që quheshin burra shteti kaluan në disa gjeste shumë qesharake.
Cilat ishin këto gjeste?
Ndërsa delegacioni ynë nuk lëvizte nga vendi, por ndërsa ishte ulur në barin apo kafenenë e hollit priste me durim të jashtëzakonshëm që të rifillonin punimet dhe të kryente misionin e pjesëmarrjes siç kishte marrë detyrën. Por, në këtë kohë ata të vendosur kryesisht në vende që nuk ishin karshi delegacionit tonë nxirrnin herë pas here kokën nëse janë larguar shqiptarët apo jo. Ne sigurisht i pamë në shumë raste këto gjeste qesharake të tyre dhe natyrisht që nuk lëvizëm nga vendi dhe s'kishim ndërmend të lëviznim.
Nxirrnin kokën fshehurazi nga pozicionet e padukshme apo që s'ishin karshi delegacionit shqiptar?
Po ore nxirrnin kokën duke e futur menjëherë për të parë nëse ishim aty apo na ishte sosur durimi dhe kishim ikur.
Dhe si vijoi ajo skenë kaq fantastike nëse do ta quajmë të tillë?
Po kur panë se edhe ne nuk kishim ndërmend të largoheshim atëherë filloi të punojë mendja e tyre se si të mundeshin të na largonin nga salla. Kështu edhe rrugëzgjidhja që gjetën nuk ishte shumë e këndshme pasi gjetën atë më të rëndomtën.
Kë?
Mund ta quash shumë mirë si bashkëpunim me kamerierët pasi pikërisht me ndihmën e kamerierëve ata arritën të na mashtronin.
Konkretisht?
Kur e panë që siç ju thash se ishim të vendosur që të mos lëviznim atëherë dërguam një kamarier të shërbimit për të njoftuar se mbledhja ishte shtyrë për të nesërmen, kështu që në këtë mënyrë ne u detyruam të largoheshim nga Kremlini ku zhvillohej takimi famëkeq si të thuash dhe prej andej të nesërmen, u kthyem në Shqipëri.
Me sa jam i informuar profesor Popa, Hrushovi mosvajtjen e Enver Hoxhës në atë takim e ka cilësuar si një shmangie nga përgjegjësia për vendimet që do të merreshin për çështjen gjermane dhe se këtë e bënte pikërisht për ta pasur mirë me perëndimin. Nuk e di si mund të mbrohej Enver Hoxha nga kjo akuzë e cila tashmë mbështetej nga Hrushovi në faktin e sipër përmendur të mos ardhjes në takimin e atij 9 gushti?
Është e vërtetë që u bë një akuzë e tillë. Por duke qenë se nga Hrushovi dhe përkrahësit e tij u bë akuza se kryetari i Parë i K.Q të Partisë së Punës së Shqipërisë nuk erdhi në takim sepse nuk donte të merrte përgjegjësi për vendimet që do të merreshin për çështjen gjermane, ngaqë siç e shprehët dhe juve se synonte ta kishte mirë me perëndimin, pikërisht pas kthimit të delegacionit në Shqipëri u veprua menjëherë.
Si?
U botua në shtyp fjala e plotë që Ramiz Alia do të mbante në emër të delegacionit në takim. Pikërisht në atë fjalim të tij të botuar në shtypin shqiptar apo më mirë të themi në fjalën e Ramiz Alisë të bërë publike në Shqipëri pasqyrohej më së miri qëndrimi i vendosur i PPSh-së për çështjet gjermane, në përkrahje të Republikës Demokratike Gjermane, etj.
Çfarë do të thoshte kjo?
Kjo do të thoshte që Shqipëria nuk u tërhoq nga vendimet apo nga përgjegjësitë me synimin e ardhshëm në qëndrimin që do të mbante me perëndimin, por i shfaqi hapur duke i bërë publike mendimet dhe qëndrimet e veta gjë që nënkuptonte se ishte e konsumuar fjala e saj në atë takim dhe nuk linte më vend për dyshime dhe aludime. Pra, saktësisht Shqipëria u shfaq me qëndrimin e saj të prerë.
Dhe pas ikjes së delegacionit shqiptar nga ai takim veprim të cilin ata e kërkonin me insistim u mor vendimi i jashtëzakonshëm për ndërtimin e objektit më të shëmtuar të asaj kohe pikërisht muri që do të ndante Berlinin?
Pikërisht në atë mbledhje, pas largimit të delegacionit të Partisë së Punës së Shqipërisë, u vendos ngritja e murit të Berlinit, i cili siç dhe e dini shumë mirë fitoi një famë të keqe dhe për më shumë nuk ishte se përbënte ndonjë zgjedhje të vërtetë të problemit gjerman, përkundrazi shkaktoi një dëm të madh.
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›