E Shtunë, 31 Tetor 2026

Racizmi grek, studentët kërkojnë reagim nga shteti

PROTESTA/ Studentë të universiteteve të vendit kanë protestuar para Ambasadës Greke


TIRANË- Studentë të universiteteve të ndryshme të vendit zhvilluan një protestë dje përpara zyrave të Ambasadës Greke në kryeqytet, ndaj thirrjeve raciste që ushtria greke lëshoi pak ditë më parë.


Protesta ka nisur pak pas mesdite, kur një grup prej dhjetëra studentësh, me flamurin shqiptar mbi supe kanë nisur në mënyrë paqësore të këndojnë këngë patriotike shqiptare.


Me flamuj dhe banderola në duar ata kanë qëndruar për rreth një orë para dyerve të Ambasadës Greke, duke dhënë kështu një shembull patriotizmi. Studentët gjatë protestës së tyre u shprehën të indinjuar nga akti racist i radhës që vjen nga shteti fqinj.


Pas Ambasadës Greke ata iu drejtuan sheshit "Skënderbej" ku vijuan protestën e tyre. Lidhur me organizimin e protestës, ata u shprehën se ajo ishte njoftuar përmes internetit, ndërkohë që më pas studentë të ndryshëm janë mbledhur rreth orës 13:00 përpara Ambasadës Greke.


Një nga përfaqësuesit e studentëve të Vlorës, Eneid Hamzaj, shprehet se nga qyteti i tij kanë ardhur 20 studentë, ndërkohë që u bashkuan edhe studentë të universitetit të Shkodrës, të rinj nga Dibra dhe nga universitetet e Tiranës. Mësohet se të gjitha grupet e mbërritura ishin organizuar në mënyrë spontane në një kohë të shkurtër.


Eneid, pse protestuat sot?


Indinjata është shumë e thellë, jo vetëm për përmbajtjen e videos që është publikuar të ushtarëve grekë, por edhe për dy arsye të tjera kryesore: së pari që kemi të bëjmë me një aktivitet zyrtar shtetëror, në një vend publik dhe mbi të gjitha, që ishte e përsëritur. Këtu kuptojmë dhe reagimin që ka qenë ndryshe nga herët e tjera.


Nuk mendoni se ka pasur reagim nga ana e institucioneve shqiptare?


Nuk kemi parë një reagim bindës nga ana e institucioneve shqiptare. Pak ditë më pare, kemi qenë dëshmitarë që shteti maqedonas ka nxjerrë një notë proteste dhe ka thirrur për shpjegim ambasadoren greke.


Gjykojmë që autoriteti i shtetit shqiptar, nëpërmjet institucioneve të tij, parlamentit dhe qeverisë, duhet të jetë më i fortë dhe më i aftë për të mbrojtur dinjitetin e kombit dhe shtetasve të vet.


Nuk kemi të bëjmë me një veprim ordiner të një individi apo qytetarëve të tjerë, që është thjesht individuale. Kemi të bëjmë me një strukturë shtetërore, aq me tepër ushtarake, që dallohet për disiplinën e vet.


Ç'ndodhi gjatë protestës?


U hodhën disa parulla, si "Pa Kosovë e Çamëri, nuk ka Shqipëri", "Jemi krenarë që jemi shqiptarë", etj.


Lajmëruat për protestën?


Ne menduam që si studentë të Vlorës ta organizonim në mënyrë paqësore dhe lajmëruam pranë policisë së qarkut të Tiranës. Kjo u bë për të qenë konform ligjit dhe për të treguar se protesta jonë ishte diçka e ligjshme dhe e rregullt. Pati mirëkuptimin e drejtorisë së policisë, e cila dha leje dhe garantoi zhvillimin e tubimit sipas ligjit.


Protesta vijoi paqësore?


Deri në përfundim të asaj çka ishte parashikuar, protesta ishte paqësore dhe civile.


Pati incidente?


Mesa u njoftuam, pasi kishte përfunduar protesta, një grup të rinjsh, të cilët kanë ardhur më vonë në protestë, disa metra më tej kanë djegur një flamur grek.


Somario: Nuk kemi të bëjmë me një veprim ordiner të një individi apo qytetarëve të tjerë, që është thjesht individuale. Kemi të bëjmë me një strukturë shtetërore, aq me tepër ushtarake, që dallohet për disiplinën e vet

Dule: Thirrjet greke, të papranueshme


Një përgjigje ndaj kërkesës së studentëve për reagim nga ana e palës shqiptare, kundër thirrjeve raciste antishqiptare ka qenë reagimi i kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule. Sipas tij, thirrjet në kor të forcave të armatosura greke, gjatë paradës për festën Kombëtare të Greqisë janë të papranueshme.


Megjithatë të papranueshëm Dule ka konsideruar edhe reagimin e studentëve të universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, të cilët kanë djegur flamurin grek, në shenjë proteste.


Deklaratat kreu i PBDNJ-së i bëri gjatë takimit që pati me reporterin për Shqipërinë në PE, Nikolas Chountis, i cili njëkohësisht është edhe përfaqësuesi i Greqisë në Parlamentin Evropian.


Në deklaratën e tij Dule ka sqaruar se takimi me reporterin Chountis, nuk kishte temë situatën e krijuar ditët e fundit, por transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

**********************

Fier, babë e bir protestojnë kundër Greqisë

FIER - Në qytetin e Fierit ngjarja e rezervistëve greke me sharjet fyese ndaj shqiptarëve ka kaluar në heshtje. Ndërsa pritej që shoqata të ndryshme të reagonin ndaj këtij veprimi antishqiptar, kjo gjë nuk ka ndodhur.


Por sot fierakëve u ka rënë në sy një gjë e veçantë dhe mund të thuash e rrallë për natyrën e një proteste në vendin tonë. Në sheshin kryesor të qytetit është shfaqur një burrë.


I gjithë trupi i tij ishte mbuluar me pankarta ku dënohej veprimi antishqiptar i disa grekëve që ai i ka quajtur fashistë. Protestuesin e quajnë Edmond Hoxha, 34 vjeç, banues në Mbrostar Ura, lagje periferike e këtij qyteti.


Të binte në sy edhe një dalë i vogël i moshës tetë vjeç, Arjon Hoxha, djali i Edmondit, i cili është nxënës në klasën e parë. Ai kishte dalë bashkë me të atin ndërsa në duar mbante flamurin kombëtar.


Të dy së bashku, duke tërhequr vëmendjen e qindra qytetarëve kanë përshkuar për rreth një orë rrugët kryesore të qytetit. Një bilbil i mbajtur në gojë, të cilën e frynte gjatë gjithë kohës, mbante ritmin e ecjes së këtyre dy personave. Dhjetëra drejtues mjetesh qëndronin në rrugë, ndërsa të tjerë iu shkonin pas.


Kjo protestë, sipas tij, ishte një solidaritet që ai po u bënte shumë protestave të tjera në vendin tone. "Unë kam punuar në Greqi mbi pesë vjet. Kam respekt për populin grek, për pronarin ku kam punuar dhe familjen e tij. Kam punuar në një brigade greke me profesion pllakazhi, por është një turp i madh që disa prej këtij populli që unë kam respekt ngrihen dhe na shajnë", shprehet Edmondi.


"Nuk trembemi kur qentë lehin", "Ne kemi treguar se populli shqiptar është i qetë dhe nuk ngacmon njëri, por... e kemi treguar veten kur na cënohet dinjiteti", këto dhe të tjera parulla kishin rrethuar të gjithë trupin e 34-vjeçarit.


Policia, sipas tij, nuk dha leje, por i është thënë verbalisht që mund të dalë në qytet, nëse nuk krijon probleme. "Ju vetë e shikoni që unë nuk po bërtas apo të bëj ndonjë gjë të jashtëligjshme, - thotë Edmondi.


- Por qytetarët më kanë përkrahur në këtë nismë, e cila duhet të ishte bërë nga të gjithë ne". Pas një ore protestë, ai është larguar bashkë me djalin, i cili duhet të përgatitej për të shkuar në shkollë. Shumë qytetarë gjestin e djalit të klasës së parë e kanë shpërblyer me të holla. "Të gjitha këto do t'i blej flamur dhe do t'i ndaj në rrugë", është shprehur 7-vjeçari.


************************

Digjet flamuri grek në Shkodër e Durrës


SHKODËR - Studentë të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në qytetin e Shkodrës janë mbledhur paraditen e së hënës për të protestuar ndaj videos ku ushtarët greke lëshojnë thirrje antishqiptare në paradën e 25 marsit, ditës së pavarësisë së Greqisë.


Studentët janë grumbulluar para ndërtesës së rektoratit dhe më pas kanë lëvizur në këmbë deri në sheshin "Luigj Gurakuqi" ku në shenjë proteste kanë hequr flamurin grek nga grupi i flamujve të NATO-s dhe e kanë djegur atë.


Redan Bushati, student ka theksuar se kjo është një protestë, e cila do të vazhdojë po të hënën dhe në Tiranë para ambasadës greke, pasi nuk është hera e parë që segmente të caktuara në Greqi, qofshin këto dhe struktura të shtetit po tregojnë hapur racizëm ndaj shqiptarëve dhe ndaj flamurit tonë.


Të rinjtë janë mbështetur edhe nga qytetarë të tjerë, të cilët janë shprehur se nuk është aspak e drejtë të dëgjojmë vazhdimisht thirrje kundër shqiptarëve nga fqinjët. Të rinjtë mbanin mbi supe flamurin shqiptar dhe disa parulla.

*******************

DURRËS


Një grup prej 15 të rinjsh në qytetin e Durrësit kanë dalë në shesh duke mbajtur në duar flamurin kombëtar shqiptar dhe pasi kanë hedhur parulla kundër racizmit grek dhe urrejtjes së demostruar nga trupat komando greke, kanë djegur publikisht flamurin kombëtar të Greqise.


Në këtë grup të rinjsh ka pasur edhe banorë me origjinë nga trevat e Çamërisë që banojnë në qytetin e Durrësit që nga periudha e genocidit të ushtruar ndaj popullsise çame në vitet 1945.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›