Agim Rada do gdhendë Petro Markon
Busti i një prej figurave më të njohura të letërsisë shqipe, Petro Marko do të vendoset së shpejti në fshatin e lindjes, në Dhërmi. Skulptori Agim Rada u shpall fitues i konkursit, të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve, (GKA). Skulptura e bustit të Petro Markos që do të realizohet në bronz, do të jetë një shprehje artistike me qëllim, përjetësimin e figurës dhe personalitetit të tij psikologjik, bënë të ditur burimet zyrtare të GKA-së. Realizimi i plotë i skulpturës do të bëhet në një fazë të dytë pas preventivit të bërë nga Qendra e Realizimit të Veprave Artistike, mundësuar nga Ministria e Kulturës. Në konkursin për skulpturën e Petro Markos morën pjesë shumë artistë dhe arkitektë shqiptarë, të cilët punuan individualisht, por dhe në grup për bocetet e tyre në përmasat 90-100 cm të larta. Komisioni përzgjedhës kryesohej nga Eleni Gjovreku, me anëtarë artistët Rubens Shima, Gazmend Leka, Buron Kaceli dhe Maksim Bushi. Konkursi nisi në ditët e para të muajit dhjetor 2008, ndërsa pranimet e boceteve u mbyllën në shkurt 2009.