Tirana në sytë e dëshmitarëve të eksodit
Alma Mile
Kishin vetëm pak ditë që kishin ardhur në Shqipëri, kur u gjendët përballë njëri-tjetrit duke pyetur se çfarë po bënin. Eh, sigurisht artizanati, tradita në zhdukje e që duhet rivlerësuar, kanë rëndësinë e vet, por jo më shumë se ai vend që po ndryshonte që nuk e kishin imagjinuar aq shumë. Vito Mastrosimini, Massimo Lapertosa dhe Mimmo Migailo, ndodhen në Tiranë për të prezantuar një copëz të projektit “Forum”, i cili ka nisur në Pulia e po vazhdon në kryeqendrën shqiptare. Bëhet fjalë për ekspozitën “MANUFACTA VIARUM” dhe dokumentarin “TIRANA-e ardhmja, e shkuara dhe e tashmja”, që prezantohen sot në ambientet e Universitetit “UFO”, me ndihmën e artistit Shpend Bengu, i cili i ka ndihmuar edhe gjatë realizimit të projektit. Ekspozita fotografike, e realizuar nga fotografët Giuseppe Savinio dhe Antonio Sigismondi, fokusohet më së shumti mbi zejtarinë dhe bukuritë e natyrës shqiptare. Ndërsa dokumentari, i cili nisi si një çmim për të rinjtë shqiptarë që merrnin pjesë në një kurs videodokumentari, u shndërrua nga regjisori Massimo Lapertosa dhe drejtori i fotografisë Mimmo Migailo, në një dokumentar kushtuar Tiranës, së shkuarës, së tashmes dhe të ardhmes. “Kishim një ide tërësisht ndryshe nga ajo që gjetëm këtu. Duke jetuar në Bari e duke pasur parasysh zbarkimet e refugjatëve, (madje kam bërë disa xhirime asokohe), në mendjen tonë kishim një përshtypje paksa të vjetër për Shqipërinë. Mbetëm të habitur, sepse gjetëm një tjetër pamje, të rinjtë me të cilët punuam janë të zotët, të përgatitur dhe pamë një qytet që ngjan me këdo tjetër vend të Evropës”, - thotë Migailo. Dokumentari ndërtohet mbi bazën e kontrastit. Mbi atë çka qenë e ç’është. Në përballjen e pamjeve nga qendra e nga periferia, të traditës dhe të modernes, të asfaltit dhe të baltës. Menaxheri i projektit Vito Mastrosimini, thotë se ekspozita dhe dokumentari janë shfaqur tanimë në Pulia dhe kanë tërhequr jo pak vëmendje. “Gjen bukuri të natyrës, së trashëgimisë, arkitekturës, që të tërheqin që të vizitosh Shqipërinë. Ndërsa përmes artizanatit zbulon poezinë e të punuarit me dorë, e njëjta që është edhe në Itali, që ka humbur disi dhe që ka nevojë të rivlerësohet e të mbrohet”, - thotë Mastrosimini, duke shpresuar që falë këtij projekti mund të krijohen lidhje më të forta mes dy brigjeve.
Dokumentari juaj flet jo vetëm për të tashmen dhe ta ardhmen, por edhe për të kaluarën, si e keni ndërtuar atë?
Më shumë se kemi ndërtuar të kaluarën, kemi kërkuar të flasim me ata që kanë jetuar atë. Titulli lindi gjatë punës. Projekti fillestar ishte përqendruar në të njëjtat tema si ekspozita fotografike. Ne u nisëm me idenë për të bërë një dokumentar mbi artizanatin, por në fund thamë, çfarë jemi duke bërë?! Le të merremi me njerëzit. Janë ata që na “rrëmbyen”. Kështu që kursi ndryshoi tërësisht dhe gjatë xhirimeve, plani u zhvendos pak nga pak mbi njerëzit.
Çfarë mësuat prej tyre?
Duke parë materialin e xhiruar, njerëzit që kishim intervistuar mund të grupoheshin tre grupe personazhesh, që identifikoheshin nga kufiri-regjim. Ishin ata që e kishin jetuar regjimin, që kishin pak vështirësi për t’u adaptuar me të tashmen, brezat që kanë lindur në ndryshimin e sistemeve dhe ata me të rinjtë, që e jetojnë të kaluarën vetëm përmes tregimeve dhe dëshmive, por e kanë të vështirë për të bërë krahasime. Janë ata që kanë dëshirë të bëjnë përpara dhe që në këndvështrimin tim janë një mundësi e jashtëzakonshme për këtë vend që po vrapon dhe që ka forca e energji. Mund të ndodhë që gjatë vrapimit të rrëzohesh, por nuk do të ndodhë këtu.
Kjo ishte hera e parë në Shqipëri, ç’përshtypje morët?
Erdhëm për herë të parë në Shqipëri për të realizuar dokumentarin. Erdhëm të përgatitur nga Shpend Bengu mbi atë që na priste, por impakti gjithsesi ishte shumë i fortë. Kush jeton në Bari, atje ka një imazh të fortë, të zbarkimit të anijeve me refugjatë, që është e pamundur të mos lërë shenjë. Dhe kush nuk e ka vizituar Shqipërinë ka pikërisht atë ide, deri në momentin që nuk vjen për të parë se çfarë ka ndodhur që atëherë. Dhe kanë ndodhur shumë gjëra. Në fillim të dokumentarit është një pjesë e xhiruar në vitet e fundit të regjimit, ku duket blloku dhe të krahasosh atë imazh me atë që është sot. Jo më kot ne kemi xhiruar edhe jetën e natës, të rinjtë që dalin, shkojnë nëpër koncerte, një kontrast i fortë, që tregon se sa shumë ka ndryshuar vendi dhe që nuk mund të qëndrojmë të fiksuar me një ide të kaluar.
Cila ishte ndjesia që provuat para nisjes, kuriozitet, apo frikë?
Kishim shumë kuriozitet, por frikë jo. Të jetosh në Bari, që është një qytet jo edhe aq i qetë, nuk mund të kesh frikë...
Nëse nuk je kurioz nuk arrin gjë. Sigurisht që jo gjithçka është fushë me lule. Kur kalon nëpër sheshin kryesor të duket vetja si në Zyrih. Pallate të lartë prej xhami, banka ngado, por sapo kalon ca më thellë, e kupton që nuk je në Zyrih, por kjo ndodh në të gjitha ato vende, ku ka zhvillime të mëdha, ku fshihen edhe rreziqe.. Por zbulova që Shqipëria është vendi me mesataren e popullsisë më të ulët në Evropë dhe mjafton kjo për të dhënë një ide të mirë për të ardhmen. Shpresa është konkluzioni i kësaj eksperience.
Projekti i Komunitetit Evropian
Ekspozita dhe dokumentari lindi nga një ide e Komunitetit Evropian dhe u financua nga Fondi Evropian për Zhvillimin Rajonal. Përmes Interreg Itali-Shqipëri u realizua projekt me emrin “Forum”, që konsiston pikërisht në prezantimin e kulturës shqiptare në Itali. Sipas menaxherit të projektit Vito Mastrosimini, projekti ka tre vjet që zhvillohet, në fushën e fotografisë dhe të dokumentarëve. Në lidhje me këtë të fundit është organizuar edhe një kurs me të rinj shqiptarë, të cilët e drejtuan Tulio Bernabei dhe Enzo Procopio, që janë dokumentaristë të “Discovery Channel” dhe “National Geographic”.