Bllokimi i buxhetit të Bashkisë, ndizet sherri PS-LSI
Shaban Sulçe
Bllokimi i projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 rikthen sërish sherrin dhe akuzat midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këshilltarët e LSI-së në Këshillin Bashkiak votuan kundër këtij projektbuxheti, gjë që ka sjellë reagimin e ashpër të këshilltarëve socialistë, por edhe të vetë Partisë Socialiste. Selia rozë ka akuzuar LSI-në se ka votuar kundër buxhetit, duke penguar punët në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Nga ana tjetër, LSI-ja ka argumentuar se ka votuar kundër këtij projektbuxheti, pasi ky projektbuxhet nuk është i plotë, ka mungesë transparence dhe nuk ka marrë parasysh propozimet e saj dhe të qytetarëve.
PS-ja
Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se si rezultat i bashkimit të votave të LSI-së dhe PD-së, Bashkia e Tiranës do të jetë pa buxhet, gjë që do të thotë mungesë mundësie për të realizuar punët e kërkuara nga qytetarët. “Viti 2009 e gjen Tiranën pa buxhet të miratuar, ose ndryshe pa mundësinë për të realizuar punët e kërkuara nga qytetarët, sepse Ilir Meta e grupimi i tij janë bërë njësh me Partinë Demokratike kundër qytetit tonë, kundër interesave të qytetarëve, thjesht sepse ky është një vit elektoral”, - u shpreh Kodheli. Zëdhënësja e PS-së tha se LSI-ja ka votuar më 18 shkurt 2007 për të mirëqeverisur Tiranën dhe jo për t’u bashkuar kundër buxhetit të qytetarëve. “Më 18 shkurt, Ilir Meta dhe grupimi i tij politik u votuan për të mirëqeverisur bashkitë më të mëdha të vendit, me Tiranën në krye, së bashku me Partinë Socialiste dhe aleatët e tjerë, dhe jo për t'u bashkuar me Partinë Demokratike kundër buxhetit të qytetarëve. Për Ilir Metën, njësoj si për Partinë Demokratike, nuk kanë rëndësi nevojat e shumta të qytetarëve që zgjidhen me buxhetin e rrëzuar mbrëmë, nuk kanë rëndësi rrugët, shkollat, kopshtet, qendrat sociale dhe lulishtet që përfshihen në financimin e këtij buxheti të rrëzuar me votat e tyre të përbashkëta, por ka rëndësi vetëm politika e vjetër e interesave të politikanëve që nuk e duan ndryshimin në të mirë të qytetarëve”, - tha Kodheli.
LSI-ja
Në emër të këshilltarëve bashkiakë të LSI-së të Bashkisë së Tiranës, Monika Kryemadhi dhe Sokol Dervishaj kanë sqaruar dje arsyet se përse LSI-ja votoi kundër projektbuxhetit të Bashkisë për vitin 2009. Dervishaj tha se vota kundër e LSI-së nuk është thjesht politike, por është një votë kundër ndaj një projektbuxheti, i cili nuk plotëson kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Tiranës. Ndërkohë, Kryemadhi kërkoi nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të reflektojë ndaj qëndrimeve dhe propozimeve të LSI-së, me qëllim që buxheti i Bashkisë së Tiranës të jetë buxheti i qytetarëve, gjithëpërfshirës dhe transparent. “Kemi kërkuar një shpjegim të detajuar të realizimit të Buxhetit të vitit 2008, çka nuk është reflektuar në mbledhjen e djeshme. Pa pasur një panoramë të qartë dhe të plotë të mënyrës së shpenzimit të parave publike nga Bashkia e Tiranës për vitin 2008, nuk mund të diskutojmë për prioritetet e vitit 2009.
Në mbledhjet e Komisioneve të Këshillit Bashkiak kemi kërkuar një transparencë më të madhe të mënyrës së hartimit të projektbuxhetit 2009, procesin e marrjes së mendimeve nga drejtuesit e Njësive Bashkiake, të cilët kanë shprehur rezerva dhe kontestime të shumta mbi këtë projektbuxhet, gjë që nuk është bërë as në mbledhjen e djeshme. Kemi kërkuar rritjen e fondeve për disa çështje të rëndësishme, sikurse janë ngrohja në shkolla e çerdhe, ngritjen dhe funksionimin e qendrave sociale për moshën e tretë, kategoritë në nevojë, paraplegjikët e tetraplegjikët, si dhe ngritjen e një thertoreje për qytetin e Tiranës, çka nuk ishte reflektuar as në mbledhjen e djeshme”, - tha Kryemadhi.
Arsyet e rrëzimit të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për 2009-n
Është kërkuar transparencë e fondeve të përcaktuara në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës për të gjitha projektet: për infrastrukturën rrugore, shkollat, taksat etj.
Kërkohet ndërhyrja në detajimin e buxhetit të përcaktuar për këtë vit, në pikat e mësipërme.
Shkolla “Myslym Keta”, “Musine Kokalari” dhe disa shkolla e çerdhe të tjera janë restauruar me fondet e buxhetit të 2008-s, ndërsa janë parashikuar përsëri në buxhetin e 2009-s.
Nuk janë marrë parasysh kërkesat e qytetarëve për vendet ku duhet të investohet dhe njëkohësisht kërkesat e kryetarëve të njësive bashkiake.
Ka mungesë transparence në 10 për qindëshin e buxhetit që duhet të realizohet me investimet e qytetarëve. Sipas Ferdinand Ponit, në këtë rast ka abuzime, pasi fondi do të përdoret për zgjedhjet elektorale dhe jo për investime në lagjet përkatëse të kryeqytetit.
14 Janar 2009