E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agim Sulaj. Telajoja, shtëpia e piktorit

10/02/2005  "Shtëpia e piktorit" është krijimi në karikaturë, i cili do t'i dhuronte një tjetër vlerësim dhe kënaqësi piktorit dhe karikaturistit të mirënjohur vlonjat, Agim Sulaj, i cili prej vitesh jeton në Itali. Ai ka fituar çmimin e nderit "Honorable Mention" në konkursin ndërkombëtar të karikaturës "Euro Kartoenale 2005", që u zhvillua në Belgjikë. Një tjetër vlerësim jo vetëm për piktorin Sulaj, por për të gjithë artin shqiptar në përgjithësi. Në një intervistë telefonike dhënë për gazetën "Metropol", Sulaj është shprehur se ndjehet shumë i emocionuar dhe njëkohësisht i nderuar për këtë çmim. Vetë tematika e ekspozitës kishte qenë një ngacmim i fortë për të. Pasioni i tij për pikurën, në përgjithësi, është i pandarë nga ai për karikaturën, të cilën Sulaj e konsideron "një fiskulturë mendore, esenca e jetës, loja e fëmijës dhe maturia e të rriturit". Por, pjesëmarrja në këtë ekspozitë erdhi si rezultat e temës së saj, e cila e kishte ngacmuar së tepërmi muzën krijuese të Sulajt, i cili e konsideron temën "Shtëpia e piktorit", si "fatin i atij njeriu që bën atdhe dhe shtëpi profesionin e tij, ose më mirë të them talentin e tij".

Si ndjeheni pas kësaj "fitoreje" të re?

Ndoshta fjala fitore është shumë. Besoj se është një vlerësim tjetër i punës sime dhe pse jo një fillim i mbarë për vitin 2005, një vit në të cilin kam shumë projekte për të realizuar.

Një konkurs ku merrnin pjesë 651 artistë nga 65 vende të botës...

Sinqerisht, ky fakt më ka bërë shumë përshtypje. Për mua është hera e parë që marr pjesë në konkursin e Belgjikës, madje, u njoha me këtë konkurrim nëpërmjet internetit dhe tema "Shtëpia e piktorit" më intrigoi shumë. Në njoftimin e tij, Rudy Gheysens, presidenti i "Euro Kartoneales", më bënte të ditur se kishte qenë shumë e vështirë për të zgjedhur fituesit midis 2500 punimeve të paraqitura në këtë konkurs. Gjithsesi, unë jam ftuar të shkoj në Belgjikë në datën 26 mars, ditë në të cilën do të zhvillohet ceremonia e dhënies së çmimeve dhe prezantimi i artistëve fitues.

Përse tematika "Shtëpia e piktorit" ju intrigoi kaq shumë?

"Shtëpia e piktorit" më zgjoi atë shijen e "emigrantos", (një tjetër karikaturë e tij) fatin e atij njeriu që bën atdhe dhe shtëpi profesionin e tij, ose më mirë të them talentin e tij. Dhe pikërisht këtë trajtova, një telajo piktori, me një derë dhe dritare të rëndomta, ideja: Shtëpia e piktorit ështe telajo, vendi ku ai gjendet më mirë se kudo".

Vazhdoni të ndjeni të njëjtin pasion për karikaturën si në fillimet tuaja?

Madje mund të them se me kalimin e viteve ky pasion ka ardhur gjithmonë duke u rritur. Karikatura nuk është vetëm një pasion për mua, ka qenë dhe do të jetë diçka më tepër. Ajo është për mua një fiskulturë mendore, është esenca e ditës dhe jetës, është loja e fëmijës dhe maturia e të rriturit. Ndërsa pjesëmarrja në konkurse të tilla të "fut" ethet e konkurrimit, të papriturës, që vihet ballë për ballë me artistë të tjerë, ku shpresa e vlerësimit varet vetëm te aftësitë e tyre. Kur prova të tilla kurorëzohen me sukses, pra vlerësohen, ky fakt më bind që të vazhdoj rrugën time, bindjen time, e cila jeton brenda meje. Por natyrisht, një vlerësim i tillë ndërkombëtar është diçka më shumë se një satisfaksion personal, pasi është një vlerësim për të gjithë artin shqiptar dhe atdheun tënd, të cilin nuk mundet kurrë ta harrosh.

Në fillim të intervistës më thatë se ky vlerësim ishte një ogur i mbarë për planet e shumta që keni në vitin 2005...

Eshtë e vërtetë, në këtë moment jam shumë i zënë me punë, pasi në muajn mars do të hap një ekspozitë personale në Bolonjë (Galerie Forni). Në grupin e 15 tablove, të cilat do të ekspozohen në "Galerie Forni" të Bolonjës, do të ketë edhe krijime të reja. Ky është ndoshta për këtë vit aktiviteti im më i rëndësishëm artistik. Ka qenë një ëndërr për mua një ekspozitë vetjake në sallat e kësaj galerie. Temat ose subjektet do të jenë piktura që ngacmojnë dhe prekin botën e fëmijërisë, me dëshirën për të përjetësuar në telajo, ndoshta moshën më të sinqertë të njeriut.

Agim Sulaj fiton çmimin e nderit "Honorable Mention", në konkursin ndërkombëtar të karikaturës "Euro Kartoenale 2005", që zhvillohet në Belgjikë. Ka qenë vetë presidenti i "Euro Kartoenales" (European Cartoon Contest), Rudy Gheysens, i cili ka njoftuar me postën elektronike piktorin dhe karikaturistin për fitimin e këtij çmimi. Në këtë konkurrim Sulaj ishte paraqitur me veprën e titulluar "Shtëpia e piktorit". Një nga konkurset më të mëdha ndërkombëtare të karikaturës, ku merrnin pjesë 651 artistë nga 65 vende të botës dhe ku u paraqitën rreth 2500 punime. Ky konkurs është i hapur për të gjithë karikaturistët mbi moshën 18-vjeçare dhe kishte si temë "Shtëpia e piktorit". Kërkesat e konkursit parashikojnë që punët e tyre duhet të jenë origjinale, të paekspozuara apo të botuara më parë dhe të shoqëruara me një CV të autorit dhe shpjegim të idesë, po prej autorit. Çdo konkurrues mund të prezantojë në maksimum 5 karikatura. Ky konkurs ndan disa çmime si "Vezën e artë" dhe një shumë prej 1250 eurosh për vendin e parë. "Vezën e argjendtë" dhe 870 euro për vendin e dytë. "Vezën e bronxtë" dhe 750 euro për vendin e tretë. Çmimi i KE-së vlerësohet me 375 euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›