E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dita kur “shpërtheu” paqja

10/02/2005  Ariel Sharon dhe Mahmud Abas kanë shpallur fundin e të gjithë veprimeve armiqësore pas samitit të tyre të parë, në Sharm el Sheik. A merr kështu fund, pas katër vitesh gjakderdhjeje, kryengritja palestineze? Ka arsye për optimizëm, ndonëse nuk është hera e parë

Mbeten shumë gjëra për t’u zgjidhur. Në rrugët e territoreve të pushtuara, një lirim i një numri më të madh të burgosurish është çështje e rëndësishme, por është edhe problemi i refugjatëve palestinezë; statusi i Jeruzalemit Lindor, të cilin palestinezët e kërkojnë si kryeqytet të tyrin; kolonët hebrenj në territoret e pushtuara, që vazhdojnë të zgjerohen; dhe muri ndarës izraelit që ka hapur shumë polemika

“Qetësia që do të mbizotërojë në tokat tona duke filluar nga sot, shënon fillimin e një epoke të re”, deklaroi Mahmud Abas, pas takimit të tij të parë si udhëheqës palestinez, me Kryeministrin e Izraelit, Ariel Sharon. “Për herë të parë, pas shumë kohësh, në rajonin tonë ekziston shpresa për një të ardhme më të mirë, për ne, fëmijët dhe nipërit tanë”, u përgjigj zoti Sharon. Fjalë të bukura, por, siç theksoi Sharon, duke patur parasysh dështimin e deklaratave të mëdha të samiteve të mëhershëm, lidhur me Lindjen e Mesme, vetëm “veprat, jo fjalët” do të bëjnë që të arrijmë në një zgjidhje me dy shtete që jetojnë përkrah njëri-tjetrit.

Samiti, që u mbajt të martën në Sharm el Sheik të Egjiptit, kishte për qëllim të kapte shansin më të mirë për paqe në Lindjen e Mesme, që nga fillimi i intifadës palestineze kundër pushtimit izraelit më shumë se katër vite më parë. Në samit u arrit të bëhej një thirrje e paekuivok, nga të dy palët, për t’u dhënë fund të gjithë veprimeve armiqësore – në rastin e zotit Abas, praktikisht fund intifadës. Prodhoi gjithashtu një angazhim të ri nga ana e Sharonit ndaj planit “road map”, të mbështetur ndërkombëtarisht dhe rezultatit të menduar të tij për një shtet të pavarur palestinez – vetëm katër muaj pasi një prej këshilltarëve të tij kryesorë kishte deklaruar se Izraeli “ngrin” të gjithë këto angazhime.

Ajo që ka ofruar këtë mundësi për paqe është vdekja në nëntorin e vitit të kaluar e Jaser Arafatit. Që atëherë, Abas, një avokat i vendosur i bisedimeve dhe jo luftimeve, e ka pasuar atë si udhëheqës i Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe, në zgjedhjet e muajit të kaluar, si president i Autoritetit Palestinez. Pasi ka mbajtur për 40 vjet timonin e kursit të historisë palestineze – në të mirë e në të keq – Arafat u kthye thjesht një personazh plotësues: në samitin e Sharm el Sheikut, njeriu që për shumë kohë personifikoi betejën palestineze për liri, rrallë u përmend.

Veç Arafatit, një tjetër mungesë e rëndësishme në samit ishte ajo e grupeve të vjetër militantë palestinezë, të cilët do të luajnë një rol kyç në përmbushjen e zotimeve që u ndërmorën në samit. Abas dhe Sharon thanë se kishin rënë dakord të ndalnin “të gjithë aktet e dhunës kundër izraelitëve dhe palestinezëve, kudo ku ata janë”. Por, ndërkohë që Sharoni ka kontrollin e gjeneralëve të tij dhe si rrjedhim është në gjendje të mbajë fjalën, Abas, deri tani, nuk mundet. Grupet militantë, qofshin këta islamikë si Hamas, ose bashkëngjitur partisë së tij Fatah, nuk i ka nën komandë, ndonëse ai shpreson t’i bindë që ta pranojnë këtë. Deri tani, ata nuk kanë rënë dakord për një armëpushim formal. Gjithë sa kanë ofruar është një shtyrje e vullnetshme e sulmeve, vazhdimi i të cilëve do të varet nga lëshimet që do të bëjë Izraeli.

Tashmë Izraeli i ka bërë disa prej lëshimeve të kërkuar. Ndalja e aktiviteteve ushtarake që premtoi zoti Sharon përfshin edhe pezullimin e vrasjeve të luftëtarëve të militantëve. Gjithashtu, është rënë dakord që shpejt Izraeli të tërhiqet nga pesë qytete në Bregun Perëndimor, duke ua kaluar përgjegjësinë për sigurinë forcave të Autoritetit Palestinez. Oferta e fundit e Izraelit, për të liruar 900 nga 7000 të burgosurit palestinezë, është përcjellë me zemërim nga palestinezët, sepse shumica e të liruarve kanë qenë burgosur me akuza të lehta, ose thuajse i kanë përfunduar afatet e burgimit. Deri tani, Izraeli ka insistuar se nuk ka ndërmend të lirojë së shpejti të burgosur “që i kanë duart me gjak”. Gjithë sa mundi të arrijë samiti ishte pohimi për krijimin e një komisioni të përbashkët, që do të shqyrtojë në lidhje me lirime të mëtejshme të të burgosurve palestinezë.

“Një ligj, një autoritet, një armë”, tha Abas, duke shprehur vizionin e tij për rendin, që kërkon të sjellë në çështjet palestineze. Për këtë, atij do t’i duhet të ndërtojë kredibilitetin e tij, të Autoritetit Palestinez dhe forcave të sigurisë përpara popullit palestinez – dhe para udhëheqësve të militantëve, që kërkojnë që Abas të pastrojë burokracinë e korruptuar të Autoritetit Palestinez.

Si Sekretarja amerikane e Shtetit, Condi Rice, ashtu dhe homologu i saj francez, Mishel Barnie, i qëndruan larg samitit të Sharm el Sheik, pavarësisht se brenda kësaj jave vizituan territoret e Izraelit dhe Palestinës. Fuqitë botërore që hartuan “Road Map” (Amerika, BE, Rusia dhe OKB) duket se kanë vendosur të zënë vend në sediljen e pasme dhe t’ia lënë këto përpjekje për arritjen e paqes udhëheqësve palestinezë e izraelitë si dhe fqinjëve të tyre – Presidentit egjiptian, Hosni Mubarak dhe Mbretit Abdullah, të Jordanisë.

Gjatë vizitës së saj në rajon, Rice u duk disi më e ashpër, nga sa ka qenë zakonisht shefi i saj, zoti Bush: ajo i bëri thirrje Sharonit që të marrë “vendime të forta”; dhe shtoi gjithashtu se 40 milionë dollarë ndihmë amerikane do të shkojë brenda 90 ditëve për të ndihmuar palestinezët që të krijojnë vende pune dhe rindërtojnë infrastrukturën e dëmtuar gjatë luftimeve – kjo si fillim i ndihmës prej 350 milionë dollarësh për Palestinën që Presidenti Bush bëri të ditur javën e kaluar.

Reagimet e para nga vendet arabe, lidhur me marrëveshjen për një armëpushim mes Izraelit dhe palestinezëve erdhën nga Egjipti dhe Jordania. Të dyja këto vende thanë se do të rikthenin ambasadorët e tyre në Izrael për herë të parë që prej filllimit të Intifadës së dytë më shumë se dy vjet më parë.

Duke folur për televizionin Al Xhazira, ministri i Jashtëm jordanez, Hani al-Mulqi, tha se qëllimi i tyre ishte t'i tregonin botës arabe se paqja ishte më e dëshiruar se çdo gjë tjetër. Përpjekjet për të zgjidhur edhe krizën në marrëdhëniet mes Sirisë edhe Izraelit duket se morën formë në Sharm El-Sheik. Ka njoftime se Presidenti Bashar Assad, i Sirisë, është gati të fillojë me Izraelin bisedimet e lëna pas dore për një kohë të gjatë

As deri te gjysma e rrugës

Mbeten shumë gjëra për t’u zgjidhur. Në rrugët e territoreve të pushtuara, një lirim i një numri më të madh të burgosurish është çështje e rëndësishme, por është edhe problemi i refugjatëve palestinezë; statusi i Jeruzalemit Lindor, të cilin palestinezët e kërkojnë si kryeqytet të tyrin; kolonët hebrenj në territoret e pushtuara, që vazhdojnë të zgjerohen; dhe muri ndarës izraelit, që ka hapur shumë polemika. Palestinezët do të presin gjithashtu që të lehtësohen kufizimet shumë të mëdha që Izraeli i ka vënë lëvizjes së tyre të lirë.

Sharon nuk do të bjerë dakord për kërkesa të tilla, deri kur marrëveshja aktuale të prodhojë një periudhë të gjatë e të qëndrueshme pa atentate e bomba. Ai përsëriti edhe një herë në samit se është i vendosur të ecë përpara këtë verë me planin e tij të tërheqjes së njëanshme të të gjithë trupave dhe kolonëve nga Rripi i Gazës, dhe një pjese të Bregut Perëndimor, pavarësisht kundërshtive të fuqishme nga lëvizja izraelite e kolonëve dhe mbështetësve të saj politikë. Vetëm pasi të jenë përfunduar të gjithë këto, do të ketë gjasa për ndonjë progres domethënës në çështjet më të rëndësishme që ndajnë sot më dysh izraelitët dhe palestinezët.

Militantët: Nuk jemi të detyruar

Grupet kryesore të armatosura palestineze, si Hamasi dhe Xhihadi Islamik, kanë thënë se nuk kanë detyrime për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit që u arrit nga udhëheqësit Abaz dhe Sharon. Hamasi - që po respekton një marrëvehsje të arritur me Presidentin palestinez - tha se duhet të ishte konsultuar përpara se të bëhej njoftimi. Por, një korrespondent i BBC-së në Gazë thotë se nuk ka shenja që tregojnë se militantët do të fillojnë sulmet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›