E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Zeqo braktis Skënderbeun

Agim Zeqo

Agim Zeqo nuk është më president i klubit të Skënderbeut. Zërat që qarkullonin prej kohësh pranë skuadrës korçare u konfirmuan dje në drekë, kur biznesmeni Zeqo zyrtarizoi “divorcin”. Pas dy vitesh e gjysmë në krye të klubit ai dha dorëheqjen e parevokueshme, duke sqaruar me një mesazh se ka vendosur të largohet për shkak të angazhimeve që ka me bizneset e tij. Edhe miqtë e ngushtë të ish-presidentit të Skënderbeut tregojnë për “Panorama Sport” se kohët e fundit Zeqo ishte ndier i lodhur nga detyra që kishte marrë përsipër të bënte në klubin korçar. “Po lë shumë gjëra pas dore me bizneset e mia, nuk mundem të vazhdoj më”. Kështu mësohet t’u ketë thënë Zeqo bashkëpunëtorëve të tij. Edhe pse klubi që ai drejtonte ka qenë sistematikisht i akuzuar nga rivalët për mënyrën se si i fitonte ndeshjet, përsëri dominoi në Kategorinë Superiore, duke fituar titullin kampion dy herë radhazi. Nëpërmjet një mesazhi telefonik, Zeqo ka vënë në dijeni mediat për largimin e tij nga Skënderbeu. Ish-presidenti i korçarëve deklaroi: “Të dashur miq të mediave, më lejoni t’u informoj se sot (dje) largohem pas një periudhe prej 2 vitesh e gjysmë në krye të klubit të Skënderbeut. Për arsye të angazhimeve në bizneset e mia kam vendosur ta lë këtë post. Jam munduar që në këtë periudhë të jap maksimumin tim në ecurinë e skuadrës, si në aktivitetet kombëtare, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. I falënderoj të gjithë ata që më mbështetën financiarisht në këtë “aventurë” të bukur dhe me shumë adrenalinë! Besoj se me rezultatet që arriti Skënderbeu në këto dy vite, e justifikoi investimin dhe i ktheu qytetit tim të lindjes krenarinë e munguar”.

Ardian Takaj, presidenti i ri i klubit
Ardian Takaj do të jetë presidenti i ri i klubit të Skënderbeut. Gjithçka u zyrtarizua dje pas mbledhjes së donatorëve. Takaj nuk është një emër i panjohur, pasi në dy vite e gjysmë që Skënderbeu drejtohej nga Agim Zeqo, edhe ai ka qenë pjesë e financimit. Në rolin e zv.presidentit, Takaj e ka ndihmuar jo pak skuadrën korçare, veçanërisht në akomodimin e saj. Biznesmeni është pronar i një kompleksi në Durrës, aty ku Skënderbeu grumbullohet rregullisht gjatë kampionatit. Biznesmeni ka luajtur një rol të rëndësishëm në klub gjatë viteve të fundit dhe tashmë do të udhëheqë Skënderbeun.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›