Sadiku: Si më qethën shokët para ndeshjes

Armando Sadiku
Bomberi tregon startin spektakolar dhe ambientin te skuadra e Luganos.
“Nëse i shënoj Lokarnos, nuk do festoj në shenjë respekti”
Skuadër e re, “look” i ri, “zakon” i vjetër: Sadiku e nisi me dopietë te Lugano. Bomberi shqiptar shënoi dy gola kundër Bel Bienes dhe dhuroi asistin për golin e katërt. “Debutim ëndrrash. Javën tjetër do të luajmë kundër Lokarnos, ish-skuadrës sime. Nëse u shënoj atyre, nuk do të festoj, sepse atij klubi i detyrohem shumë”, ka thënë futbollisti për “Panorama Sport”.
Armando, si ndihesh kur shënon dy gola në debutim?
Si në ëndërr. As e kisha imagjinuar se mund të shkonte kështu. Por prisni, është vetëm fillimi. Jam i bindur se këtu do të shënoj shumë gola.
Pse jeni kaq i bindur?
Sepse Lugano, në ndryshim nga Lokarno, është një skuadër që e dominon kundërshtarin. E thënë shkurt, është një nga skuadrat më të mira të Kategorisë së Dytë zvicerane dhe luan gjithnjë për të fituar. Këtu mund të kesh 5-6 raste për të shënuar dhe të të falet edhe ndonjë gabim, kurse te Lokarno mund të kishte gjithsej vetëm dy raste, edhe ato shumë të vështira. Kjo më bën optimist.
Çfarë ju pëlqen më shumë te Lugano?
Mbi të gjitha më pëlqen fakti që kam një trajner të cilin e njoh shumë mirë dhe e di se çfarë kërkon. Kam punuar me Davide Morandin vitin e kaluar te Lokarno dhe ai më mbështet shumë.
Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes?
Më përgëzoi edhe më tha se këtu duhet vetëm të mos humb përqendrim dhe ai është gati të vërë bast se unë do shpallem golashënuesi më i mirë.
Cili është objektivi juaj personal?
Të shënoj mbi 20 gola dhe të shpallem sërish golashënuesi më i mirë i sezonit, ashtu si një vit më parë.
E dini se janë shpërndarë ftesat e Kombëtares?
Jo, nuk e di, sepse unë nuk kam marrë ende një ftesë për ndeshjen e 15 gushtit kundër Moldavisë.
Po edhe nëse ju grumbullojnë, ju mund të mos luani…
Nuk ka asnjë problem. E rëndësishme është që unë të grumbullohem, pastaj nëse ia dal ose jo të luaj, kjo më takon mua.
Keni ndryshuar pamjen, modeli i flokëve ngjason me atë të Balotelit…
(qesh me të madhe)… Histori e gjatë ajo.
OK, na e thuaj shkurtimisht.
Në fakt, më qethën shokët e skuadrës.
Si ju qethën shokët e skuadrës?
Po bënim shaka një ditë para ndeshjes dhe po u thosha se do qethesha. Njëri nga ata mori makinën dhe më propozoi një model. Më pëlqeu ideja dhe u qetha në këtë model. Por më solli fat.
Kjo do të thotë se do qetheni kështu para çdo ndeshjeje?
Jo, jo. Ishte thjesht një shaka e shokëve, vetëm kaq.
Këtë të shtunë do të luani kundër Lokarnos. Nëse i shënoni ish-skuadrës tuaj do festoni?
Do përpiqem të mos festoj në shenjë respekti. Do luftoj deri në fund që t’ju shënoj dhe ta fitojmë ndeshjen, por po shënova nuk do festoj.
Çfarë objektivi ka Lugano?
Objektivi kryesor është që të ngjitemi në Superligë. Kjo do të ishte një arritje e madhe.
Nëse shpallesh sërish golashënues, do ndërrosh ekip ashtu siç bëre këtë verë?
Varet. Nëse do eci mirë dhe do të më vijë oferta e duhur nga ndonjë skuadër cilësore, pse të mos shkoj?! Por mendoj se është herët për kësi bisedash, pasi jemi vetëm në fillim të sezonit dhe unë kam vetëm një javë që kam firmosur me këtë skuadër.
A je gati të sfidosh Bogdanin, Salihin dhe Çanin në kombëtare?
Jam gati të bëj atë që do më kërkojë trajneri. Emra nuk ju përmend, sepse të gjithë ata që përmendët janë të frikshëm për t’i lënë në stol.