Agjencia e Mjedisit, gjobë 1 milion bashkisë për plehrat në protestë
Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë gjobit me 1 milion lekë Ndërmarrjen Pastrim Gjelbërimit nr. 1 të Bashkisë së Tiranës. Penalizimi vjen pas marrjes së plehrave nga Shara për t’i vendosur në qendër të kryeqytetit. Në një deklaratë për shtyp lëshuar dje nga Drejtoria e Mjedisit Tiranë thuhej se u mor informacioni nga Policia e Shtetit, ku në datën 4 dhe 5 dhjetor 2009 është konstatuar se në rrugë dhe drejtime të ndryshme të qytetit të Tiranës, mjete të Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit nr.1 të Bashkisë Tiranë, kanë pasur si destinacion qendrën e kryeqytetit saktësisht bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të shkarkuar plehra të marra nga Sharra dhe drejtime të tjera të sistemuara në qese plastike të zeza. Fill pas kësaj deklarate ka reaguar Bashkia e Tiranës. “Në bazë të ligjit dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak, ne do të procedojmë me gjobitjen e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për ndotje të mjedisit, ndërsa Drejtoria Juridike është duke përgatitur kallëzimin penal për ushtrim dhune të jashtëligjshme nga ana e forcave policore”, thuhet në deklaratën e bashkisë. Sipas saj, gjoba do të mbështetet me prova filmike dhe fotografike. “Në të njëjtin kuadër, ne si Inspektorat kemi konstatuar që Këshilli i Ministrave në fushatën publicitare për organizimin e një eventi në sheshin “Skënderbej”, ka përdorur në një masë të gjerë vendosjen e mbi 1000 posterave nëpër pemët e qytetit, duke i dëmtuar ato dhe duke shkelur ligjin. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të procedojë me gjobitjen e subjektit juridik “Këshilli i Ministrave”, me gjobë në vlerën 129 mijë lekë”, bëri me dije Bashkia e Tiranës.