Akademia e Shkencave shtohet me tre akademikë të rinj
alma mile.
Shtohet me tri emra të rinj lista e Akademisë së Shkencave. Anastas Angjeli, Aurela Anastasi dhe Ilir Malollari janë tri akademikët e rinj të asociuar, të zgjedhur dje nga Asambleja e Akademisë së Shkencave. Pas një fushate, e cila zgjati rreth 1 muaj e gjysmë, Asambleja votoi dje për kandidatët që konkurronin për fushat sociologji, ekonomi, jurisprudencë, kimi, si edhe për vendin bosh të akademikut të përhershëm. Pasi mbajtën një minutë heshtje për akademikun Teku Biçoku, i cili u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë, anëtarët e pranishëm në mbledhjen e djeshme zhvilluan procesin e votimi. Mes katër fushave ku konkurrohej, u zgjodhën vetëm tre syresh dhe konkretisht për fushën ekonomike, në të cilën u zgjodh në mënyrë unanime prof. Dr. Anastas Angjeli, në kimi prof. Dr. Ilir Malollari dhe në jurisprudencë Aurela Anastasi, profesoreshë e së Drejtës Kushtetuese. Nëse në fushën ekonomike kishte disa kandidatura, në dy të tjerat, u votua vetëm për një kandidat. Ndërkohë mësojmë se nuk u arrit numri i duhur i votave për zgjedhjen e akademikut në fushën sociologjike. Kjo do të thotë se së shpejti do të zhvillohet një raund tjetër zgjedhjesh. E njëjta gjë ndodhi edhe për zgjedhjen e akademikut të përhershëm. Për këtë vend kandidonin tre emra të njohur të kulturës shqiptare, si historiani Kristo Frashëri, studiuesi Alfred Uçi dhe etnologia Andromaqi Gjergji. Mësohet se asnjë prej kandidatëve nuk mori numrin e duhur të votave, (50%+1). Sipas akademikut Kolec Topalli, pas një muaji mund të zhvillohet takimi i radhës i Asamblesë së Akademisë së Shkencave për zgjedhjen e akademikëve të përhershëm. “Jo detyrimisht ata duhet të plotësohen. Nëse nuk plotësojnë numrin e votave, atëherë do të zhvillohen të tjera zgjedhje”, - thotë Topalli. Sipas tij, pas ndarjes nga jeta të akademikut Teki Biçoku, i cili ishte një ndër të përhershmit, numri i vendeve bosh është dy. Mësojmë se në mbledhjen e djeshme merrnin pjesë 32 akademikë, anëtarë të rregullt dhe të asociuar. Në bazë të rregullores, disa prej akademikëve që jetojnë jashtë vendit kanë votuar në distancë (me zarf). Dy ditë më parë, akademik, prof. Dr. Artan Fuga, ngriti disa prej problemeve që ai ka hasur gjatë këtij procesi zgjedhjesh. Sipas tij, komisioni i ngritur për shqyrtimin e dosjeve nuk përbëhej nga njerëz të fushave për të cilat konkurrohej, fushata ishte e zbehtë, çka e tregoi dhe numri i ulët i kandidatëve dhe dosjet e këtyre të fundit nuk ishin plotësuar në mënyrë të tillë, që të vërtetonin Curriculumin e paraqitur prej tyre. Fuga ishte i mendimit që kjo mbledhje të shtyhej: “Të nxjerrim një herë një rregullore të saktë. Të përpunojmë procedura korrekte, jo inkoherente dhe që mbështeten jo në kompetencat shkencore, por në moskompetencat shkencore, të heqim dorë nga trajtimi burokratik dhe administrativo-formalist i vlerësimit shkencor”. Sipas akademikut Vasil Tole, pjesëmarrës në mbledhjen e djeshme, gjithçka u zhvillua në mënyrë korrekte dhe në bazë të ligjit dhe për të fakti që në një prej fushave ku konkurrohej, si dhe në pozicionin e akademikut të përhershëm nuk u arrit në një vendim unanim, është tregues i funksionimit të sistemit. Por ai thotë gjithashtu që në të ardhmen gjithçka mund të zhvillohet edhe më mirë. Ndërsa akademiku Topalli thotë se nuk pati debate dhe se për ndonjë problem që mund të ketë dalë do të diskutohet në të ardhmen.
Të zgjedhur
Ekonomi: Anastas Angjeli
Jurisprudencë: Aurela Anastasi
Kimi: Ilir Malollari
Për zgjedhjet e ardhshme:
Sociologji
2 Akademikë të përhershëm