E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angelopoulos:Nuk u ndahem historive të Ballkanit

 

Ardhja në Shqipëri i dhuroi një Çmim Karriere. Për regjisorin grek Theo Angeloupolos nuk ishte hera e parë që vinte në Shqipëri, por kthimi pas 16 vjetësh, ishte po aq surprizues si të ishte hera e parë. I ftuar nga organizatorët e Tirana International Film Festival, Angelopoulos zhvilloi dje një takim me gazetarë e njerëz të artit e më pas edhe me kryeministrin Sali Berisha. Ndonëse brenda një kohe të kufizuar, regjisori iu përgjigj pyetjeve kurioze të të pranishmëve. Siç e do adeti, pas marrjes së një çmimi, ai nuk mund të mos thoshte edhe dy fjalë për të. “Mendoj se një çmim është mirënjohje ndaj vlerave dhe një rivlerësim. Ka dhurata të mëdha e të vogla, por mbeten dhurata”, tha Angelopoulos. I konsideruar si një nga mjeshtërit e kinematografisë, vepra e tij ka tërhequr vëmendjen për trajtimin e temave personale prej të cilave abstragon për “historinë e madhe”, siç e quan ai. “Vepra ime në thelb ka të bëjë me historinë e madhe. Unë kam lindur në një periudhë kur Greqia ishte tepër e tronditur, sikurse i gjithë Ballkani, por edhe Evropa. Jetova që i vogël luftëra, Luftën e Dytë Botërore, luftën civile greke. Jam i lindur brenda ngjarjeve të mëdha. Nuk mund të ndërroj. S’mund të zhbëhem prej tyre. Më ndjekin, si një fat,  përpiqem të flas për ato që quhen histori personale, fate njerëzish, e të gjitha këto të para në kontekstin e historisë së madhe të gjithë Ballkanit”, sqaron regjisori, i cili shton se historitë që e kanë rrënjën në Ballkan do të vazhdojnë të frymëzojnë jo vetëm atë, por edhe kineastë të tjerë. “Ballkani është zona më e tronditur e Evropës, nga e cila kanë nisur shumë luftëra. Nga ana tjetër, nga pikëpamja e tematologjisë, ndoshta është zona më e pasur e kontinentit. Sepse ekzistojnë shumë tema, lidhjet me historinë e madhe me histori personale, me kufijtë, gjuhët, traditat. Të gjitha këto krijojnë një shumëngjyrshmëri e cila është tepër ngacmuese. Pastaj tek e fundit jemi ballkanas, e njëkohësisht edhe evropianë” shton ai, duke përmendur filmin e Goran Paskaljeviçit, i cili trajton historinë e dy çifteve të reja nga Serbia e Shqipëria. Dhe si paradoks, kjo zonë kaq e pasur me tema është kaq pak e vlerësuar financiarisht në fushën e kulturës. Ai merr si shembull Greqin, ku fondi për kulturën është fare i vogël. “Për mua ideja është se Greqia, mund të ishte vetëm një vend që prodhon kulturë. Këtë mund ta thoshte çdokush për të gjithë vendet e Ballkanit. Metamorfoza e Ballkanit, është kthimi në vende kulture në varësi të mundësive që kanë secili prej tyre. E di që është utopi, por megjithatë e them”. Ai nuk mund të mos vlerësonte edhe Festivalin e Filmit TIFF, si një vend që gjeneron kulturë, dhe sipas tij vetëm festivalet krijojnë mundësinë e përballjes mes artistëve, debatin e evidentimin e vlerave dhe problemeve të kinematografisë së sotme. Pas takimit me gazetarët, Theo Angelopoulos u takua me kryeministrin Sali Berisha. “Ne duhet të rizbulojmë traditat tona kaq të pasura dhe t’i transmetojmë përmes një arti aq popullor dhe të dashur siç është kinemaja”, tha kryeministri, duke premtuar se do të vazhdojë të mbështesë organizimin e TIFF. Ndërsa Angelopulos shprehu bindjen se aktivitete të tilla në fushën e kulturës do të gjejnë mbështetjen edhe të qeverive të tjera të shteteve të Ballkanit. “Kinemaja është gjuha më e kuptueshme për popujt tanë, që kanë nevojë të fshijnë nga kujtesa e tyre përvojat e hidhura të shekullit të kaluar dhe të ndërtojnë marrëdhënie te reja”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›