E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Tryezë me bashkiakët e PS

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha i shtrin dorën opozitës për të diskutuar mbi kërkesat e vendorëve të majtë për pakësimin e të ardhurave si pasojë e uljes së taksave. Kreu i maxhorancës i ka kërkuar ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha organizimin e një tryeze me pushtetarët vendorë për të dëgjuar pretendimet e tyre dhe për të kompensuar të ardhurat që janë ulur si pasojë e politikave të qeverisë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha komentoi protestën e të kryebashkiakëve të majtë pak ditë më parë para kryeministrisë, për të cilën tha se ajo s’kishte asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve. “Me gjithë këto çështje, unë sërish i kam kërkuar Ministrit të Financave dhe Ministrit të Brendshëm që të thërrasin në një tryezë të rrumbullakët shoqatat e bashkive dhe komunave të vendit, pra të realizojnë një tryezë shumë të zgjeruar, ku të marrin pjesë edhe këta zotërinj të cilët nuk kishin asgjë të përbashkët me protestën e plehut, sepse plehu lidhej vetëm me një person dhe është e qartë se me kë. Këta drejtues lokalë kanë ardhur, vijnë dhe do të vijnë në zyrën time sa herë të kenë nevojë për problemet e qytetarëve”, u shpreh Berisha. Sipas tij “Pra, ministrat e mësipërm le të ulen me këta përfaqësues dhe t’u japin atyre garanci të plotë se çdo zvogëlim, çdo qindarkë e munguar për shkak të politikës sonë të taksave të ulëta, do t’u kompensohet nga buxheti i shtetit, madje edhe më shumë. Unë dua të theksoj këtu se ne jemi të vendosur të rrisim sa më shumë investimet për komunitetin, ne jemi të vendosur që ato investime të realizohen  sa më shpejt, sa më mirë të kontrolluara, sa më me eficencë”. Ai i kujtoi pushtetit vendor se qeveria ka pasur në programin e saj elektoral uljen e taksave dhe një administratë të vogël. “Nuk duhet të ndodhë siç ndodhi në Tiranë që vetëm tabela e dyqanit filloi të kushtojë pothuajse sa gjysma e taksës së biznesit të vogël dhe taksa e gjelbërimit u bë 4-fish i asaj që kishte qenë 2 vjet më parë,  ose nëse këto para shkuan për të paguar mijëra militantë”, theksoi më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›